Skena politike në Kosovë është pozicionuar qartë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, teksa partitë politike kanë finalizuar paraqitjet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, gjithsej 24 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim – përfshirë parti, koalicione, iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur.
Gjatë periudhës 24–30 nëntor 2025, u dorëzuan 23 aplikime online: 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Paralelisht u zhvillua edhe afati ligjor për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur të hyjë në garë përmes një koalicioni të ri me emrin “Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje”, i cili përfshin LVV-në, Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK). Ky është një ndryshim i lehtë krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku Guxo dhe Alternativa zakonisht renditeshin brenda listës së LVV-së.
Nga ana tjetër, partitë kryesore opozitare – PDK, LDK dhe AAK – kanë vendosur të garojnë të vetme. E njëjta vlen edhe për Nismën Socialdemokrate, e cila në zgjedhjet e fundit kishte qenë në koalicion me AAK-në, por pas zgjedhjeve të 9 shkurtit rrugët e tyre u ndanë.
Përveç koalicionit të LVV-së, janë paraqitur edhe dy koalicione të tjera:
– Koalicioni “PAI–PDAK–LPB”, që grupon partitë ashkalinj;
– Koalicioni “Koalicija VAKAT”, që përfaqëson subjektet boshnjake DSB, BSK dhe DSV.
Në garë si subjekte të vetme janë regjistruar edhe një sërë partish të komuniteteve jo-shumicë, duke përfshirë Srpska Lista, Kosova Demokratik Türk Partisi, Partinë Rome të Bashkuar, LPRK-në, NDS-në dhe të tjera.
Dy iniciativa qytetare janë certifikuar për aplikim: “Për Socialdemokratët e Ashkalinjve” dhe “Iniciativa Qytetare për Kosovë”, ndërsa si kandidat i pavarur është paraqitur Nexhmidin Sejdilar.
Subjektet politike kanë afat deri më 7 dhjetor 2025 për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë përmes platformës së KQZ-së.
