Bashkimi Evropian ka dërguar një paralajmërim të qartë për Serbinë, duke theksuar se kundërshtimi i saj ndaj anëtarësimit të Kosovës në Interpol përbën shkelje të detyrimeve nga neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit, e cila u arrit në vitin 2023 si pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Reagimi i BE-së erdhi pas deklaratave të Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Marok. Daçiq u shpreh se Kosova “nuk ka gjasa të anëtarësohet” dhe se për Serbinë “prioritet mbetet parandalimi i anëtarësimit të Kosovës”. Këto qëndrime, sipas Brukselit, bien ndesh drejtpërdrejt me angazhimet e marra nga Serbia në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit.
Neni 4 i kësaj marrëveshjeje parashikon qartë se Serbia nuk duhet ta pengojë Kosovën në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Megjithatë, BE-ja ka theksuar se Serbia ka vepruar vazhdimisht në kundërshtim me këtë detyrim, një sjellje që është vërejtur dhe kritikuar në mënyrë të përsëritur nga institucionet evropiane.
Zyrtarët e bllokut evropian kanë kujtuar se rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është e lidhur ngushtë me zbatimin e plotë dhe pa vonesa të detyrimeve që burjnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe plani i vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. BE-ja ka bërë të qartë se çdo pengesë e krijuar ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare do të reflektojë negativisht në procesin e integrimit të Serbisë.
Përveç kësaj, BE-ja ka rikujtuar se zbatimi i marrëveshjes është i lidhur edhe me përfitimet financiare nga Plani Evropian i Rritjes. Serbia është e detyruar të tregojë qasje konstruktive në dialog dhe të shmangë veprimet që tensionojnë situatën ose minojnë procesin e normalizimit.
Një zëdhënës i BE-së ka sqaruar se për çdo kërkesë për financim nga Programi i Reformës dhe Rritjes, Brukseli vlerëson nëse Serbia ka bërë progres të prekshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, siç kërkohet nga rregullorja përkatëse.
Ky paralajmërim i fundit vjen në një kohë kur tensionet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, ndërsa BE-ja kërkon qartësisht që palët të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara dhe të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare.
