Turqia po shqyrton mundësinë e bashkimit me Arabinë Saudite dhe Pakistanin në një aleancë të re mbrojtëse, të modeluar sipas NATO-s, sipas mediave turke. Ky zhvillim pritet të krijojë një “arkitekturë të re sigurie” dhe të ndikojë ndjeshëm në ekuilibrat rajonalë.
Bisedimet për përfshirjen e Ankarasë janë në një fazë të avancuar, dhe arritja e një marrëveshjeje duket shumë e mundshme. Nisma vjen pas pakti mbrojtës të shtatorit midis Arabisë Saudite dhe Pakistanit, që parashikon se çdo sulm ndaj njërës palë do të trajtohet si agresion ndaj të gjithëve – duke pasqyruar Neninin 5 të NATO-s.
Ekspertët e sigurisë shohin përfitime të shumta për tre shtetet. Arabia Saudite sjell kapital të madh dhe burime energjetike; Pakistani ofron arsenalin e vet bërthamor, raketat balistike dhe një ushtri të konsiderueshme; Turqia kontribuon me përvojë luftarake dhe teknologji të avancuar ushtarake, përfshirë dronët Bayraktar. “Ndryshimet në dinamikat rajonale po shtyjnë shtetet drejt partneriteteve të reja të sigurisë,” thekson eksperti turk Nihat Ali Ozcan.
Ky pakt i mundshëm reflekton edhe një afrim të Ankarasë me Riadin, pas tensioneve të viteve të fundit. Në kohën e Pranverës Arabe, Turqia mbështeti Katarin dhe Vëllazërinë Myslimane, duke u përplasur me Arabinë Saudite, e cila e shpalli këtë lëvizje terroriste në 2014. Megjithatë, vitet e fundit marrëdhëniet janë përmirësuar, duke përfshirë takime të përbashkëta të forcave detare në Ankara.
Për Pakistanin, kjo aleancë vjen në një moment delikat. Pas përplasjes me Indinë në maj dhe rritjes së sulmeve nga fraksioni pakistanez i Talibanëve (TTP), përfshirë sulmet vetëvrasëse në Islamabad, Islamabadit i nevojitet mbështetje strategjike më e fuqishme.
Analistët vlerësojnë se një aleancë Turqi-Arabi Saudite-Pakistan mund të ndryshojë peizazhin e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, duke krijuar një bllok ushtarak dhe ekonomik me ndikim të fortë, që mund të rivalizojë përpjekjet e partnerëve perëndimorë.
