Nga Sheradin Berisha
Trashëgimia e pushtetit
Analiza e strukturave të pushtetit në Kosovë nuk mund të jetë e plotë pa zbërthyer gjenetikën e elitave të saj udhëheqëse, ku fijet e ndikimit shpesh shtrihen përgjatë dekadave dhe epokave të ndryshme ideologjike. Një rast unikal dhe tejet emblematik i kësaj vazhdimësie familjare u dëshmua më 6/7 tetor të vitit 2026, kur Kuvendi i Kosovës zgjodhi Justina Shiroka Pulën në postin e Presidentes së Republikës. Presidentja e re është mbesa e Kolë Shirokës (1922–1994), një prej politikanëve më të fuqishëm të epokës komuniste në vitet ’80 në ish Jugosllavi.
Justina Shiroka Pula vjen në këtë post me një karrierë të gjatë akademike dhe publike. E shkolluar në Prishtinë, ajo kreu studimet pasuniversitare në Zagreb (1984), doktoroi në Universitetin e Prishtinës në fushën e zhvillimit ekonomik dhe kreu studime pasdoktorale në Austri (Linc) dhe në SHBA (Arizonë).
Pasi punoi në Bankën Popullore të Kosovës, ajo nisi karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik që nga viti 1978, duke u shndërruar më vonë në gruan e parë që udhëhoqi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Krahas profilit akademik dhe angazhimit në shoqërinë civile për fuqizimin e grave, ajo pati një shtrirje të fortë politike: nga viti 2008 deri më 2011 shërbeu si ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e PDK-së në Qeverinë Thaçi, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvend.
Ky dimension familjar shpërfaq një paradoks të madh sociologjik: përderisa Kosova ndryshoi tërësisht sistemet politike – duke kaluar nga monizmi titist në shtet të pavarur – rrethi i pakicës që merr vendime për shumicën mbeti në këtë rast i lidhur me të njëjtën gjenetikë familjare.
Shënime biografike
Kolë Shiroka u lind më 1 janar 1922 në Prizren, në një familje të njohur qytetare vendase. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm (gjimnazin) i kreu në qytetin e tij të lindjes, ku u përfshi herët në lëvizjet rinore antifashiste të kohës. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, krahas angazhimit të tij në strukturat e larta politike, ai vazhdoi shkollimin e lartë dhe u diplomua në Shkollën e Lartë Politike në Beograd, një institucion elitar i asaj kohe ku përgatitej kuadri udhëheqës i nomenklaturës komuniste jugosllave.
Pas pensionimit dhe tërheqjes nga skena politike në fillim të vitit 1989, Kolë Shiroka jetoi kryesisht larg vëmendjes mediatike. Ai vdiq më 21 maj 1994 në Beograd, në moshën 72-vjeçare, duke mbyllur kështu ciklin jetësor të një figure që përjetoi ngritjen dhe shpërbërjen e plotë të sistemit komunist jugosllav të cilit i shërbeu.
Ngritja në piramidë
Rrugëtimi dhe karriera politike e Kolë Shirokës nuk nisi në vitet ’80, por shumë më herët, qysh në vitin 1945, duke u rreshtuar që në zanafillë në strukturat e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ). Ai ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i Kuvendit famëkeq të Prizrenit, të mbajtur më 8 – 10 korrik 1945, ku mori pjesë si delegat nga Rrethi i Prizrenit, ashtu sikurse ishin edhe figura të tjera si Sinan Hasani, Ali Shukria etj.
Në këtë kuvend historikisht të dëmshëm, ku u sanksionua aneksimi i dhunshëm i Kosovës nga Serbia, Kolë Shiroka u zgjodh edhe gjykatës në të ashtuquajturin “Gjyq Popullor Krahinor i Kosovës e Metohisë”. Ky institucion gjyqsor u ngrit me qëllimin e vetëm: gjykimin, përndjekjen dhe dënimin e rreptë të atdhetarëve shqiptarë që ishin të organizuar në Lëvizjen Nacional – Demokratike Shqiptare (NDSH) dhe celulat e tjera që kundërshtonin ripushtimin e trojeve shqiptare.
Ky pozicionim i hershëm si gjykatës i “gjyqit populluer krahinuer të Kosmetit” për dënimin e patriotëve nga radhët e LNDSH-së i siguroi Kolë Shirokës një ngritje të shpejtë në hierarkinë partiako-shtetërore nën parullën e “Vllazërim-Bashkimit” titist, duke kulmuar në vitet ’80 me pozitat më të larta krahinore dhe federale.
Praktika e diferencimit
Pika e kthesës në karrierën e Kolë Shirokës dhe të gjithë elitës komuniste të Kosovës erdhi me demonstratat mbarëpopullore të vitit 1981, ku rinia studentore shqiptare kërkuan me ngulm statusin “Kosova Republikë”. Ky zgjim kombëtar u cilësua nga Beogradi si “kundërrevolucion” dhe “irredentizëm – seperatizëm”.
Në këtë moment kritik, Kolë Shiroka, së bashku me zyrtarët e tjerë të lartë si Sinan Hasani, Ali Shukria, Fadil Hoxha, Azem Vllasi, Kaqusha Jashari etj., – u gjend përpara një sprove të rëndë morale dhe politike. Duke u prirë nga instinkti i ruajtjes së strukturës piramidale të pushtetit, kjo elitë zbatoi me përpikmëri politikën e egër të “diferencimit ideopolitik”.
Gjatë udhëheqjes së tij, Kolë Shiroka artikuloi një gjuhë të ashpër dhe përjashtuese ndaj kërkesave për Republikë. Universiteti i Prishtinës, mediat dhe administrata e regjimit në Kosovë iu nënshtruan një spastrimi të brendshëm, ku qindra intelektualë dhe studentë u izoluan, u përjashtuan ose u dënuan, duke minimizuar kështu çdo formë të kundërshtimit politik.
Kurthi i Beogradit
Nga viti 1986, pasi u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të LKJ-së në Beograd, Kolë Shiroka u përball me një realitet të ri politik. Ardhja në pushtet e Sllobodan Millosheviqit (1986), e sinkronizuar me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të Dobrica Qosiqit, shënoi fillimin e agresionit institucional për zhbërjen e autonomisë së Kosovës të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974.
Në këtë sferë të lartë politike, Kolë Shiroka dhe pjesa tjetër e elitës shqiptare komuniste tentuan të luanin kartën e “legalizmit titist”. Ata argumentuan se sulmi mbi autonominë e Kosovës ishte një sulm mbi vetë stabilitetin funksional të Jugosllavisë dhe “vëllazërim bashkimin” e këtij sistemi. Megjithatë, ky dualitet asimetrik doli të ishte një kurth i ngrirë. Millosheviqi përdori popullizmin e ashpër për të delegjitimuar udhëheqësit e Kosovës. Kolë Shiroka (bashkë me “elitarët” tjerë komunist shqiptar) u gjend në pozitat e një politikani të pafuqishëm, të cilit Beogradi po ia zhveshte gradualisht të gjitha levat e autoritetit, duke përdorur edhe njerëz të dëgjueshëm brenda Kosovës (ashtu si Rrahman Morina) për të bërë një rrënim të brendshëm partiak.
Fundi i iluzionit
Kulmi i krizës institucionale arriti në shkurt të vitit 1989, kur minatorët e Trepçës hynë në grevë urie në nëntokë dhe mbarë populli shqiptar u zgjua në protesta masive në mbrojtje të Kushtetutës së vitit 1974 dhe për më tepër të avansimit në Republikë. Kërkesa e parë e minatorëve dhe e popullit ishte dorëheqja – shkarkimi i treshes së imponuar nga Beogradi: Rrahman Morina, Ali Shukria dhe Hysamedin Azemi.
Në këtë atmosferë të rëndë politike, Kolë Shiroka mori vendimin e tij të fundit politik. Në shkurt të vitit 1989, ai dha dorëheqje të pakthyeshme nga anëtarësia në Komitetin Qendror të LKJ-së. Ndonëse ky akt u interpretua si një gjest distancimi nga politikat fashiste të Millosheviqit, në rrafshin analitik historik ai shënoi kapitullimin dhe skadimin përfundimtar të konceptit të “komunizmit autonomist shqiptar”. Vetëm një muaj më vonë, më 23 mars 1989, Kuvendi i Kosovës, nën rrethimin e tankeve, aprovoi ndryshimet kushtetuese që suprimuan dhunshëm autonominë e Kosovës.
Mësimi historik
Kolë Shiroka mbylli jetën e tij në izolim politik në vitin 1994, duke qenë dëshmitar i shpërbërjes të asaj Jugosllavie që kishte shërbyer gjithë jetën. Roli i tij gjatë viteve ’80 mbetet një leksion i hidhur historik mbi fatin e elitave politike shqiptare që vepruan jashtë vullnetit të mirëfilltë të popullit të tyre.
Në aspektin sociologjik, Kolë Shiroka ra viktimë e vetë sistemit piramidal që ndihmoi të ndërtonte. Ai që në vitin 1945 pranoi të dënonte lëvizjen patriotike të NDSH-së në Gjyqin Popullor Krahinor, përcolli po të njëjtën linjë besnikërie duke bërë diferencimin e rinisë dhe intelektualëve shqiptarë pas vitit 1981, për t’u flakur më pas si i skaduar nga po i njëjti mekanizëm hegjemonist serb në vitin 1989.
Trashëgimia e kësaj strukture politike dhe riciklimi i elitave brenda të njëjtës gjenezë familjare që u dëshmua me zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si Presidente më 6/7 tetor 2026, na kujton kritikat e hershme mbi këtë mendësi piramidale. Qysh në periudhën e Qeverisë së Kryeministrit Hashim Thaçi (2008 – 2011), kur Justina Shiroka Pula ushtronte funksionin e Ministres së Energjetikës dhe Minierave, unë përmes artikujve kritikë, kam denoncuar me dëshmi faktike vazhdimësinë e kësaj tregtie politike.
Në shkrimet e asaj kohe kam evidentuar se si pozitat strategjike mbi pasuritë kombëtare po i nënshtroheshin agjendave të liderëve absolutë ashtu si Hashim Thaçi, duke shmangur reformat substanciale. Rasti i gjenetikës së pushtetit vërteton se kur një elitë abuzon me mendimin kritik dhe izolohet nga substrati i saj kombëtar, ajo tenton ta mbajë pushtetin të gozhduar brenda një rrethi të ngushtë, duke e bërë të domosdoshëm një zgjim të thellë popullor, për ta ndryshuar këhë mendësi politike.
───
Bibliografia
1. Florian Bieber,(2020). The Rise of Stabilitocracy in the Western Balkans. Palgrave Macmillan.
2. Paulin Kola (2003). The Search for Greater Albania. Hurst & Company, London.
3. Noel Malcolm (1998). Kosovo: A Short History. New York University Press.
4. Azem Vllasi (2017). Kosova: Fillimi që nuk harrohet (Kujtime politike). Koha, Prishtinë.
5. Sheradin Berisha, (2008–2011). Analizat hulumtuese dhe shkrimet kritike mbi menaxhimin e sektorit energjetik në Qeverinë Thaçi dhe rolin e Ministres Justina Shiroka Pula. Pashtriku.org.
6. Sheradin Berisha (2013). OZN-a – UDB-a dhe Kuvendi i Prizrenit (8 – 10 korrik 1945).
7. Kuvendi i Republikës së Kosovës (6–7 tetor 2026). Procesverbali zyrtar i seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Prishtinë.
8. Lidhja e Komunistëve të Kosovës / Kuvendi i Prizrenit (1945–1989). Procesverbalet dhe transkriptet zyrtare të mbledhjeve të Komitetit Krahinor, vendimet e Gjyqit Popullor Krahinor për NDSH-në dhe proceset e LKJ-së. Arkivi Ndërshtetëror i Kosovës.
________
Shtojcë:
OZNA-UDB’a DHE KUVENDI I PRIZRENIT (08 – 10 KORRIK 1945)
Nga Sheradin Berisha
SHERADIN BERISHA: OZNA-UDB’a DHE KUVENDI I PRIZRENIT (08 – 10 KORRIK 19145)
*
MENAXHUESIT E KEK-ut DHE NEPOTIZMI!
Nga Sheradin Berisha
