Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, reagon OVL e UÇK-së: Tentativë e papranueshme për kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka shprehur shqetësim të thellë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur nga Prokuroria në fjalët e saj përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas OVL-së, pretendimet e paraqitura nga Prokuroria, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”, përbëjnë një tentativë të papranueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe për rishkrimin e historisë së rezistencës së tij të drejtë.
Në reagimin e saj, OVL thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbetet një ushtri çlirimtare, e lindur nga nevoja për mbijetesë dhe liri, e mbështetur fuqishëm nga populli dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare si palë legjitime në luftën kundër regjimit gjenocidal serb.
Organizata e veteranëve shpreh bindjen se procesi që po zhvillohet në këtë gjykatë është selektiv dhe i njëanshëm, duke anashkaluar krimet shtetërore të Serbisë dhe duke u fokusuar padrejtësisht mbi drejtuesit e luftës çlirimtare të Kosovës. Sipas OVL-së, një qasje e tillë cenon rëndë parimet e drejtësisë dhe barazisë para ligjit.
OVL e UÇK-së riafirmon se do të vazhdojë të mbrojë të vërtetën historike, dinjitetin e luftës çlirimtare dhe figurën e bashkëluftëtarëve të saj. “Drejtësia e vërtetë nuk mund të ndërtohet mbi shtrembërim faktesh, por vetëm mbi të vërtetën e plotë dhe të paanshme”, thuhet në reagimin e organizatës.
