Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit. Edhe pse Dimal Basha u zgjodh kryeparlamentar, seanca u bllokua pasi nuk u arrit të votohej nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb. Sipas Gashit, kjo ngjarje është dëshmi e qartë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka si plan bllokimin e qëllimshëm të institucioneve.
“Kuvendi duhet të zhbllokohet, institucionet duhet të themelohen sa më shpejt! Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim,” shkroi Gashi. Ai shtoi se sapo u zgjodh kryetari i Kuvendit, LVV-ja filloi obstruksionet, duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re politike.
Gashi theksoi se LVV-ja, me vetëdije, u kërkoi partive të tjera të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke u fokusuar te çështja e nënkryetarit serb për të përfituar politikisht. Për pasojë, vendi ka mbetur pa institucione funksionale, duke rrezikuar edhe buxhetet e komunave si Prishtina dhe Gjilani.
Sipas Gashit, situata rrezikon një “kolaps institucional” nëse nuk ka një lidership të qartë politik. Ai e përfundoi deklaratën duke theksuar se LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet një forcë përgjegjëse dhe zgjidhëse për të kapërcyer krizat politike.
