- Pyetje:
Ai burrë që në këtë botë ka pasur më shumë se një grua, cilën grua do të marrë në botën tjetër? Nëse i merr që të gjitha, sa është e drejtë që edhe në atë botë një grua burrin e saj ta ndajë me një apo me më shumë gra të tjera?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Fillimisht ju falënderojmë që keni zgjedhur faqen dijaonline.com për të marrë përgjigjen rreth pyetjes suaj. Lus Allahun që të jemi të saktë në përgjigjet tona.
Në jetën e kësaj bote njeriu mund të jetë martuar më shumë se një herë dhe kjo për arsye të ndryshme, duke filluar prej asaj që mund t’i ketë vdekur gruaja e parë, ose është shkurorëzuar ose ka pasur në një kurorë më shumë se një grua.
Kur flitet për bashkëjetesën në botën tjetër duhet theksuar se për të qenë një burrë me gruan e tij në xhenet, duhet që të dy të plotësojnë kushtin kryesor për të hyrë në xhenet, që është besimi dhe veprat e mira, pra duhet parimisht që të dy ta kenë merituar hyrjen në xhenet.
Libri i Allahut e dëshmon qartë mundësinë e hyrjes në xhenet së bashku me bashkëshortet, madje edhe me familjet, si fjala e Allahut:
وَالَّذِينَ آمَنُوا وَاتَّبَعَتْهُمْ ذُرِّيَّتُهُم بِإِيمَانٍ أَلْحَقْنَا بِهِمْ ذُرِّيَّتَهُمْ
“E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t’ua shoqërojmë pasardhësit e tyre.” (Tur: 21)
Gjersa në mënyrë eksplicite për bashkëshortët thotë:
}ادْخُلُوا الْجَنَّةَ أَنْتُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ تُحْبَرُونَ{
“Hyni në xhenet, ju dhe bashkëshortet tuaja, të nderuar.” (Zuhruf: 70)
هُمْ وَأَزْوَاجُهُمْ فِي ظِلَالٍ عَلَى الْأَرَائِكِ مُتَّكِئُونَ
“Ata dhe bashkëshortet e tyre janë nën hije të mbështetur në kolltukë.” (Jasin: 56)
Pasi u kuptua se të gjithë bashkëshortët do të hyjnë së bashku në xhenet nëse janë prej banorëve të tij, kjo nënkupton se burri do të jetë me të gjitha gratë e tij në xhenet.
Ndërsa sa i përket pyetjes suaj se sa është e drejtë që një grua ta ndajë burrin edhe me gratë e tjera, për këtë çështje duhet të brengosemi më së paku sepse xheneti është vendi ku do të realizohet drejtësia më e madhe. E kur Allahu ka pranuar dikë prej robërve të Tij në xhenet, ata do të jenë më të nderuarit dhe nuk do t’i bëhet padrejtësi askujt, aq më pak grave në xhenet, të cilat do të jenë zonjat e të gjitha hyrive që do të posedojë burri.
Hareja, lumturia, gëzimi do të jenë të pandërprera gjatë gjithë qëndrimit të tyre të përjetshëm në xhenetet e Allahut.
I shtojmë kësaj atë se jeta në xhenet ka dimensione të tjera nga jeta në këtë botë, ku siç është rrëfyer nga Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Tij qoftë me të, ai ka thënë:
“إِنَّ الرَّجُلَ مِنْ أَهْلِ الْجَنَّةِ يُعْطَى قُوَّةَ مِائَةِ رَجُلٍ فِي الْأَكْلِ وَالشُّرْبِ وَالشَّهْوَةِ وَالْجِمَاعِ”
“Vërtet njeriut nga banorët e xhenetit do t’i jepet fuqia e njëqind burrave, në ngrënie, pirje, pasion dhe kontakt intim.”
(Ahmedi dhe Darimiu. Albani e verifikoi si të saktë.)
Frika se do mund të ketë xhelozi apo diçka që do t’ia prishte disponimin ndonjërës nga gratë duhet flakur tej ngase xheneti është vendi vetëm i kënaqësive e assesi i dëshpërimeve.
Për të larguar të gjithë keqkuptimin eventual, duhet ditur se në xhenet do të ketë vetëm emocione pozitive dhe assesi negative, pra nuk do të ketë zili, urrejtje, inat, xhelozi dhe asgjë që e lëndon zemrën. Këtë e vërteton fjala e Allahut:
إِنَّ الْمُتَّقِينَ فِي جَنَّاتٍ وَعُيُونٍ. ادْخُلُوهَا بِسَلَامٍ آمِنِينَ. وَنَزَعْنَا مَا فِي صُدُورِهِمْ مِنْ غِلٍّ إِخْوَانًا عَلَى سُرُرٍ مُتَقَابِلِينَ. لَا يَمَسُّهُمْ فِيهَا نَصَبٌ وَمَا هُمْ مِنْهَا بِمُخْرَجِينَ
“E ata, të cilët iu ruajtën (mosbesimit dhe punëve të këqija) janë në xhenetet mes burimeve. (U thuhet) Hyni në to, të shpëtuar (prej çdo të keqeje) të siguruar (nga vdekja). Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar. Ata aty nuk i godet kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij.” (Hixhr: 45-48)
Për fund, le të mbetet pra preokupimi për hyrjen në xhenet, e se çfarë do të ndodhë atje duhet të jetë brenga më e vogël ose thënë më drejtë nuk duhet të jetë aspak brengë sepse i Urti, i Dijshmi, i Gjithëdrejti i ka rregulluar këto gjëra më mirë se ç’mund ta paramendojmë.
Hoxhë Llukman Hoxha
Dijaonline.net