Fundi i rritjes kineze
Ambiciet ekonomike të Pekinit janë rikthyer me këmbë në tokë.
15 qershor 2026
Nga James Palmer, zëvendësredaktor në Foreign Policy.
Për shumë vende, një rritje vjetore e PBB-së (Produktit të Brendshëm Bruto) prej 4.5 deri në 5 për qind do të përbënte një vit tejet të suksesshëm. Por për Kinën, e cila e njoftoi këtë si objektiv këtë vit, kjo shënon një ulje të qëllimshme të pritshmërive. Pas më shumë se tre dekadash të një rritjeje stratosferike — duke kapërcyer rregullisht 10 përqindëshin në vit — ambiciet ekonomike të Pekinit janë rikthyer me këmbë në tokë. Dhe kjo ka ndryshuar shumë më tepër sesa thjesht ekonominë e vendit.
Deri në fund të viteve 2010, e gjithë jeta kineze ishte modeluar rreth realitetit të një rritjeje të lartë. Njerëzit merrnin përsipër borxhe dhimbshëm të larta, të bindur se rrogat e tyre do të rriteshin aq sa për t’i përballuar ato. Ata i linin vendet e punës pa iu dridhur qerpiku pas vetëm dy muajsh, me bindjen e plotë se atje jashtë do të kishte diçka akoma më të mirë. Në një botë të mbushur me mundësi, takimet e rastësishme mund të ktheheshin në karriera që të ndryshonin jetën — ose mund të bije viktimë e njërit prej atyre mashtruesve që po ashtu lulëzonin në një epokë ku fitimet e shpejta e të lehta nuk ishin gjithmonë mashtrim. Kjo kulturë e marrjes së rrezikut përsipër i ndihmoi bizneset, dikur të vogla, të ktheheshin në gjigantë ndërkombëtarë.
Dekadat e arta ishin relativisht të zakonshme në shekullin e 20-të: “vitet e lavdishme” të Francës, Mrekullia në Rhein e Gjermanisë, e madje edhe “mrekullia meksikane”. Por rritja e Kinës pas vitit 1980 i kaloi të gjitha këto, si nga përmasat ashtu edhe nga kohëzgjatja. Kina kaloi nga një vend më i varfër se India, në një shtet që po sfidon hapur Shtetet e Bashkuara, duke kapërcyer rival pas rivali: Francën, Britaninë dhe Japoninë.
Një pjesë e kësaj rritjeje erdhi prej “efektit të llastikut”; katastrofat e politikës maoiste e kishin mbajtur vendin prapa për dekada të tëra, pikërisht në kohën kur Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani po lulëzonin. Kishte jashtëzakonisht shumë për të kompensuar: Në vitin 1978, vetëm 18 për qind e kinezëve jetonin në qytete, krahasuar me mbi 50 për qind në Korenë e Jugut. Fermerët kinezë kishin filluar të shkëputeshin nga kolektivizimi në vitet 1970, një lëvizje kjo që më në fund u miratua nga Partia Komuniste Kineze (PKK) në vitin 1979.
Megjithatë, trashëgimia e maoizmit ishte paradoksale; edhe pse PKK kishte shtypur ambiciet e kinezëve të thjeshtë, ajo kishte prezantuar me sukses një arsim të mesëm në mbarë vendin, i cili prodhoi qindra miliona punëtorë të shkolluar e me njohuri matematike për të cilët ekonomia globale kishte nevojë ulëritëse. Deng Xiaoping dhe pasardhësit e tij treguan gjithashtu një mprehtësi të jashtëzakonshme udhëheqëse, duke e drejtuar vendin me sukses përmes goditjeve financiare që tronditën Azinë në vitet 1990. Diaspora kineze i orientoi paratë sërish drejt atdheut, duke ribashkuar familjet e ndara, ndërkohë që kapitali tajvanez apo ai i Hong Kongut kërkonte mundësi investimi në Kinën kontinentale.
Një prosperitet i ri e përshkoi shoqërinë kineze në çdo nivel të saj. Paratë arritën deri në vendet më të çuditshme. Mund të mbërrije në një fshat jugor të prodhimit të çajit dhe të gjeje shtëpi ku kishin mbirë antena satelitore, ose të shihje një rrokaqiell të vetmuar e të pluhurosur në një qytet shkretëtire. “Katër Gjërat e Mëdha” të viteve 1970 — si simbole të një familjeje me gjendje të mirë ekonomike — ishin një orë dore, një biçikletë, një radio dhe një makinë qepëse. Në vitet 1980, ato ishin zëvendësuar me një kasetofon, një televizor me ngjyra, një lavatriçe dhe një frigorifer; ndërsa në vitet 1990, mikrovalët, videorekorderët, makinat, kompjuterët dhe ngrirësit e mëdhenj ishin kthyer në artikujt e luksit.
Në vende të tjera, bumi ekonomik solli me vete sisteme të mirëfillta të mirëqenies sociale, pensione bujare dhe kujdes shëndetësor universal. Kina komuniste u tregua shumë më e pamëshirshme. Nëse lije shkollën, nuk kishte asnjë rrjetë sigurie tjetër përveç familjes për të të mbajtur; prindërit ua kujtonin fëmijëve në çdo mundësi se në këtë botë ishin vetëm ata përballë të tjerëve. Përfitimet sociale mbetën thellësisht të lidhura me lejet kufizuese të qëndrimit: Mund të shpërnguleshe nga fshati në qytet, por të duhej shumë fat për t’i futur fëmijët në shkollat e atjeshme apo për të tërhequr pensionin.
Një nga bekimet më të mëdha ishte privatizimi i banesave në vitet 1990. Nëse ishe me fat që të ishte caktuar një pronë në Pekin në vitet 1980, ti arrite ta bëje tënden atë në vitet 1990 dhe ta shihje teksa i rritej vlera 15 deri në 20 herë gjatë dy dekadave në vijim. Nëse ishe një fermer, si shumica e banorëve të vendit, nuk kishe një fat të tillë.
E megjithatë, rritja ekonomike përkthehej në shpresë — dhe rrezik. “Vajzat e fabrikave” dyndeshin drejt qyteteve në kërkim të diçkaje më të mirë sesa arat ku familjet e tyre kishin cfilitur për shekuj me radhë. Të sapodiplomuarit hidheshin nga një punë në tjetrën, ndonjëherë edhe katër apo pesë herë në vit, të bindur se do t’u ofrohej diçka edhe më e mirë. Pasuritë e mëdha ngriheshin nga takime të rastësishme në trena. Mundësitë gjendeshin lirë dhe dështimet mund të braktiseshin lehtësisht; nëse hapje një restorant të suksesshëm, pse të mos hapje edhe gjashtë të tjerë vitin tjetër, pastaj 60 e pastaj 600?
Disa përparime erdhën ngadalë dhe më pas të gjitha përnjëherësh. Tollonat e ushqimit mbijetuan deri në vitin 1993; e deri në 1997-n, kinezët po konsumonin më shumë mish derri për frymë sesa amerikanët. Në vitin 1976, kur një tërmet e goditi qytetin e Tangshanit në mes të natës, për zyrtarët vendas ishte më e lehtë t’i jepnin makinës tre orë rresht deri në Pekin për t’i njoftuar personalisht drejtuesit e partisë, sesa të gjenin një linjë fikse për t’i telefonuar. Ndërsa në 1986-n, aksesi në një telefon fiks — zakonisht përmes një zyre — ishte ende një e mirë e çmuar që shkëmbehej me favore.
Në vitin 1996, kishte pak më shumë se katër telefona fiks për çdo 100 banorë dhe tarifa e instalimit kushtonte sa rroga e disa muajve. Nga viti 2006, kartat SIM për celularët po shiteshin në çdo cep dhe studentët shpenzonin orë të tëra në internet-kafe duke luajtur World of Warcraft. E deri në vitin 2016, gjysma e popullsisë së vendit mbante tashmë në dorë një smartphone.
Fundi i viteve të arta erdhi në të njëjtën mënyrë siç kishin ndodhur ndryshimet teknologjike: gradualisht e pastaj papritur. Përgjatë viteve 2010, rritja po ngadalësohej vit pas viti, nga 9.3 për qind në vitin 2011 — dallga e fundit e madhe e paketave stimuluese të qeverisë pas krizës globale financiare — në pak më shumë se 6 për qind në vitin 2019.
Pastaj erdhi pandemia e COVID-19. I frikësuar nga përsëritja e atyre që i konsideronte si gabimet e stimulit të vitit 2009, Presidenti kinez Xi Jinping i mbajti shtrënguar kordonët e buxhetit. Ndihma e ofruar për familjet kineze ishte mikroskopike nëse krahasohej me bujarinë e treguar në Shtetet e Bashkuara; gati një e katërta e atyre familjeve rurale që kishin dalë nga varfëria absolute në vitet 2010, u zhytën përsëri në të. Rritja ekonomike në vitin 2020 ishte vetëm 2.2 për qind, dhe përkushtimi absolut ndaj politikës “zero-COVID” e mbajti ekonominë në një gjendje amullie gjatë gjithë vitit 2022, pavarësisht një kërcimi të shkurtër e të lehtë rikuperimi në 2021-shin.
Vetë shifrat filluan të dukeshin të dyshimta madje edhe për standardet e qeverisë kineze: në vitin 2023, papunësia e të rinjve arriti shifra aq të larta, saqë byroja e statistikave ndaloi plotësisht publikimin e tyre.
Goditja më e dhimbshme ishte se pandemia çpoi flluskën e pasurive të paluajtshme. Në vitin 2019, çmimet e pasurive të paluajtshme në qendër të Pekinit rivalizonin ato të Manhatanit (ndërkohë që rrogat ishin sa rreth një e dhjeta e atyre në Nju Jork). Pasojat e kolapsit të gjigantëve si Evergrande dhe Country Garden nuk janë materializuar ende plotësisht; qeveria vazhdon t’i mbështesë artificialisht çmimet nominale pavarësisht rënies dramatike të shitjeve. Rreth 70 për qind e pasurisë së familjeve kineze është e lidhur me banesat; lejimi i rënies së çmimeve në nivelet reale të tregut do të përbënte një tronditje të tillë për klasën e mesme që PKK nuk mund ta toleronte dot.
Për udhëheqjen e Kinës, ngadalësimi ekonomik është po aq një problem politik sa ç’është edhe ekonomik. Legjitimiteti i sundimit të PKK-së është mbështetur në tre shtylla që nga fundi i epokës maoiste: pretendimet ideologjike për epërsinë e socializmit; pretendimet historiko-nacionaliste për t’u hakmarrë ndaj poshtërimeve të së kaluarës dhe për të rikthyer statusin global të Kinës; si dhe pretendimet praktike për rritjen ekonomike dhe begatinë e gjerë.
Suksesi ekonomik ka qenë, me diferencë të thellë, burimi më i fuqishëm i legjitimitetit të saj që nga vitet 1990. Në epokën pas Sheshit Tiananmen, u krijua një marrëveshje e heshtur mes PKK-së dhe publikut: Mos e lëkundni barkën, dhe kohët e arta do të vazhdojnë. Një situatë ekonomike më e lëkundur përkthehet rrjedhimisht në një Parti më pak të sigurt, e cila i var shpresat te dy shtyllat e tjera — ndonëse jo gjithmonë me sukses.
Teksa rritja ekonomike filloi të ngadalësohej, Xi Jinping nxiti një formë edhe më agresive nacionalizmi, duke theksuar pretendimet detare të Kinës dhe duke i inkurajuar diplomatët e tij të silleshin si “ujqër luftëtarë” (wolf warriors) në internet. Ky agresivitet është zbutur disi në epokën pas-COVID, ndonëse ritmi i “edukimit patriotik” — si dhe shkatërrimi i kulturave minoritare — vazhdon pa ndërprerje.
Përpjekjet për të ringjallur ideologjinë komuniste kanë fituar shumë pak mbështetje publike; studimi i Mendimit të Xi Jinping është kthyer në një detyrim të mërzitshëm dhe orvatjet për t’i bërë të rinjtë ta marrin seriozisht heroizmin komunist kanë rezultuar në një dështim të vazhdueshëm. Xi tregohet tejet mbrojtës ndaj përrallave të devotshme të dëshmorëve me të cilat u rrit brezi i tij, duke i burgosur kritikët si “nihilistë historikë”, por ai mbetet i pafuqishëm për të bindur qoftë edhe një njeri të vetëm të shkojë në kinema për të parë filma rreth Lei Feng-ut, heroit-djalosh maoist.
Përgjigjja kryesore e Xi Jinping-ut ndaj fundit të epokës së artë ka qenë fushata e tij për “prosperitetin e përbashkët” — një përpjekje thellësisht e dështuar, e mbushur me klishe komuniste, për të ndalur thellimin e pabarazisë ekonomike. Ndërkohë, armiku i tij kryesor ideologjik është “uelferizmi” (welfarism / varësia ndaj asistencës sociale), të cilin ai e lidh me dekadencën dhe dembelizmin perëndimor; ai adhuron thellësisht gjuhën e ashpërsisë, sakrificës dhe kursimit.
Problemi qëndron se, që modeli ekonomik i Kinës të mund të ndryshojë, konsumi duhet patjetër të rritet — e kundërta e asaj që ndodhi në vitet e arta, kur konsumi i brendshëm u shtyp në mënyrë të qëllimshme. Ndonëse PKK e ka shpallur këtë zyrtarisht si prioritet, ai bie në kundërshtim të hapur me vetë retorikën e Xi-së, si dhe me fushatat e shpeshta të qeverisë kundër gjërave për të cilat njerëzit duan realisht të shpenzojnë para — qoftë ky arsimi privat apo videolojërat. Vitet e COVID-it e përforcuan thellë bindjen e nevojës për të kursyer për ditë të vështira, dhe kjo ndjesi e re e pasigurisë ekonomike vetëm sa e ka ushqyer më tej këtë instinkt.
Gjithashtu, me kalimin e çdo viti, Kina i afrohet gjithnjë e më shumë rënies në një greminë demografike. Frika më e madhe që nga vitet 2000 ka qenë ajo se vendi do të plaket përpara se të pasurohet. Nëse problemi do të ishte thjesht dalja në pension e fuqisë punëtore të viteve 1980, Kina mbase edhe do t’ia dilte mbanë, por bashkë me të ka pësuar kolaps edhe niveli i lindjeve; për herë të parë që nga zitë e tmerrshme të bukës të viteve 1959-1961, popullsia e Kinës u tkurr në vitin 2022 dhe ka vazhduar të bjerë në çdo vit pasues. Sado që qeveria të përpiqet t’i bindë gratë të braktisin karrierat e tyre në emër të detyrës patriotike për të lindur fëmijë, gratë thjesht nuk po e dëgjojnë.
Megjithatë, asgjë nga këto nuk e pengon Kinën të jetë një fuqi që trondit themelet e botës. Edhe një rritje prej 3 ose 4 për qind në një vend të përparuar teknologjikisht, me të ardhura të mesme dhe me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, e ka fuqinë t’i transformojë jetët — nga emigrantët ruralë që ende dynden drejt metropoleve të Kinës, e deri te banorët e qyteteve keniane që i ndezin televizorët e rinj Haier dhe mikrovalët e tyre përmes paneleve diellore kineze. Por nëse je mësuar me shkëlqimin e viteve të arta, vitet e zakonshme ndihen pamasë më të hirta — dhe e ardhmja pamasë më e errët.
