Sqarimi i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër dhe rreziku i etiketimit të padrejtë
Në ditët e fundit, disa media kanë raportuar për nisjen e një procesi gjyqësor në Dietikon të Zvicrës ndaj një 57-vjeçari kosovar, i cili në tituj dhe raportime është cilësuar si “imam shqiptar”. Lidhur me këto lajme, Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ka reaguar publikisht, duke sqaruar se personi në fjalë nuk është imam, nuk mban asnjë funksion fetar dhe nuk ka asnjë lidhje institucionale me komunitetin apo xhamitë shqiptare në Zvicër.
Deklarata e komunitetit është e qartë dhe e prerë: çdo përpjekje për ta lidhur këtë individ me institucionet fetare shqiptare është e pavërtetë dhe e pasaktë. Për më tepër, komuniteti distancohet nga çdo veprim i kundërligjshëm dhe rithekson se parimet mbi të cilat funksionon janë respektimi i ligjit, përgjegjësia morale dhe ndershmëria.
Nga ana tjetër, artikulli i publikuar në media zvicerane dhe i përcjellë nga portale shqiptare përshkruan një dosje të rëndë penale: mbi 200 faqe aktakuzë, 20 pika për vepra të rënda ekonomike, përfshirë mashtrim, pastrim parash, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Prokuroria e konsideron të pandehurin një “kriminel ekonomik”, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet në miliona franga.
Problemi thelbësor nuk qëndron vetëm te veprat e dyshuara penale, por te keqpërdorimi i identitetit fetar. Sipas raportimeve, i akuzuari prezantohej në rrjete sociale si imam i devotshëm, duke fituar besim dhe ndikim, ndërkohë që dyshohet se ndërtonte skema mashtruese për përfitime personale. Kjo nuk është përfaqësim fetar, por mashtrim i qëllimshëm, një “sheh dervish” i rremë që përdor fenë si mbulesë.
Etiketimi i tillë dëmton jo vetëm institucionet fetare, por edhe mijëra besimtarë që prej dekadash kontribuojnë ndershmërisht në shoqërinë zvicerane. Për këtë arsye, kujdesi mediatik dhe saktësia terminologjike janë jo vetëm profesionale, por edhe morale.
Fundi i këtij procesi gjyqësor pritet në fund të janarit. Por një gjë është tashmë e qartë: krimi nuk ka fe, dhe mashtruesi nuk është imam.
