Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka njoftuar se do të marrë pjesë aktive në procesin e monitorimit të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat pritet të mbahen më 28 dhjetor 2025. Monitorimi do të realizohet nga perspektiva e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, me qëllim garantimin e një procesi demokratik, transparent dhe brenda standardeve ligjore.
Në njoftim theksohet se monitorimi nga IAP është i rëndësishëm për shkak të rolit që zgjedhjet kanë në funksionimin e demokracisë dhe nevojës për mbikëqyrje të pavarur e profesionale të procesit. Institucioni synon të sigurojë që çdo qytetar të ketë të drejtë të barabartë për të votuar dhe që procesi të zhvillohet pa shkelje të të drejtave themelore.
Përveç qendrave të rregullta të votimit, IAP ka bërë të ditur se ekipet e saj do të jenë të pranishme edhe në institucione tjera ku votojnë kategori specifike të qytetarëve, përfshirë qendrat ku qëndrojnë personat e privuar nga liria, shtëpitë e të moshuarve pa përkujdesje familjare dhe shtëpitë integruese. Qëllimi është monitorimi i mënyrës së garantimit të të drejtës së votës për këto kategori dhe sigurimi që procesi të zhvillohet në kushte të barabarta dhe dinjitoze.
Ndërkohë, gjatë ditës së zgjedhjeve, Zyra Qendrore e IAP në Prishtinë do të mbetet e hapur për të pranuar ankesa, parashtresa dhe raportime nga qytetarët në rast se paraqiten dyshime për shkelje të të drejtave të garantuara me legjislacionin në fuqi. Kjo pritet të mundësojë reagim më të shpejtë institucional në raste të parregullsive apo shkeljeve eventuale të procesit të votimit.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka theksuar përkushtimin e tij për të siguruar që procesi zgjedhor të jetë i drejtë, i qasshëm për të gjithë dhe në përputhje me standardet demokratike të Republikës së Kosovës.
