Sfidat dhe problemet gjithmonë kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë.
Me to u përballën Profetët dhe të gjithë evliatë. U përball Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai, etj..
- Sfidat janë të llojeve, natyrave, përmasave të ndryshme. Kasfida të çastit të cilat kalojnë shpejt dhe pa lënë gjurmë (një rrahje, zënkë…, aso që ndikojnë tek një pjesë e shoqërisë dhe në një afat të caktuar kohor, luftërat në disa pjesë të botës islame, protestat, mbyllja e medreseve (si në Turqi gjatë kohës së Ataturkut) dhe të tjera që kanë përmasa në nivel umeti dhe zgjasin me shekuj të tërë, si: rrëzimi i kalifatit, dyshimet dhe shtimet-bidatet në çështje të akides.
- Sfidat brenda umetit
Paraprakisht duhet të dimë se jeta vetvetiu ka sfidat e saj. Allahu ka vendosur rregull në natyrë që të ekzistojnë sfidat, problemet dhe sprovat prej të cilave askush nuk mund të shpëtojë. Duke e kuptuar këtë realitet do të jemi më të fuqishëm, të guximshëm dhe të padorëzuar karshi tyre.
Telashet nga vendburimi i tyre i ndajmë në dy grupe:
- Sprova të Allahut që ua dërgon besimtarëve, të cilat pas vete tërheqin plot urtësi dhe mirësi, si falja e mëkateve, shtimi i shpërblimit, kalitja e besimtarit, ngritja e gradave në botën tjetër, etj.. Allahu thotë:
أحسب الناس أن يتركوا أن يقولوا آمنا وهم لا يفتنون
“A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” (Ankebut: 2)
- Sfida që njerëzit ia krijojnë njëri-tjetrit.
Tek kjo lloj sfide do të ndalesha për të fokusuar faktin se zakonisht sfidat e këtij lloji vijnë nga jomuslimanët, për të mos përjashtuar edhe ato të vetë muslimanëve mes tyre, gjithsecili bazuar në ideologjinë, akiden dhe medhhebin që përkrah. Në këtë pikë kemi sfida të natyrave të ndryshme, ku disa janë të mëdha e disa të tjera të vogla.
Sfidat bashkëkohore në umet
Ndër problemet më kryesore me të cilat ballafaqohet umeti në kohën bashkëkohore janë si në vijim:
1-Dilemat apo dyshimet në çështjet e fesë, (Esh-shubuhat). Këto do i ndaja në çështje të akides (besimit), në menhexh-metodën e të kuptuarit të fesë, në pasim të argumentit apo emrave të dijetarëve, etj..
2-Epshet (Esh-shehevat).
3-Pastrimi i fesë nga gjërat e futura në të- bidatet, hadithet e rrejshme… (et-tasfije).
4-Humbja e identitetit.
5-Sulmet e jashtme, me laps apo me hekur.
6-Trumbetimi mashtrues dhe i tepruar në thirrje për xhihad. Shejh Hamad Ensari thotë: “Umeti u sprovua me trumbetimin e tepruar të xhihadit për shkak të të cilit shumë të rinj që ishin duke u marrë me dituri e kthyen shikimin nga ai duke u marrë me fjalë rreth tij, asgjë më shumë, e kështu mbetën pa dije por edhe pa xhihad”.
7-Sfidat e edukimit (et-terbije).
Si dhe shumë të tjera, të cilat nuk kam qëllim që t`i përmend të gjitha por vetëm të rikujtoj disa prej tyre, ndërsa të tjerat mund t`i shtoni edhe vetë sepse janë të njohura për të gjithë.
ZGJIDHJA E SFIDAVE
- Ekziston vetëm një ilaç për çdo të keqe, ai është ISLAMI, më konkretisht DITURIA E FESË.
- Mësimet e fesë islame janë gjithëpërfshirëse dhe janë të vetmet mësime të plotësuara tërësisht ku nuk ka çfarë të zbulohet apo diçka që ka mbetur në mes.
- الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْأِسْلامَ دِيناً
“Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.” (Maide: 3)
Feja islame nuk ka lënë asnjë shteg pa e studiuar, pa përmendur për të bazat e asaj diturie, si ato të fesë, të shkencës, shoqërisë, shtetit, të kësaj bote, të botës tjetër, të tokës, detit e qiellit.
Nuk ka vdekur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem veçse pasi ia mësoi umetit tërë hajrin dhe ia tërhoqi vërejtjen nga i gjithë sherri. Ai vdiq duke mos lënë zog që fluturon e të mos i kishte përmendur umetit diçka nga dituria rreth tij.
Islami erdhi me diturinë dhe fjala e parë me të cilën iu shpall Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem profecia ishte “lexo, studio…”.
Betohem në Zot se njerëzit po ta mësonin fenë e tyre sa duhet, do të tejkalonin tërë sfidat, sado të mëdha të ishin.
PËR CILËN DITURI PO FLASIM
Me fjalën dituri synojmë Librin e Allahut-Kur’anin dhe Sunetin e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të cilat kushtëzohet të kuptohen sipas kuptimeve, shpjegimit dhe fjalëve të tri gjeneratave të para, që ishin të artat e këtij umeti, duke filluar me sahabët, tabiinët dhe tabii tabiinët për të vazhduar pastaj me përvetësimin e mësimeve të të gjithë dijetarëve të dëshmuar në umet në çështjet e akides, të dijes dhe adhurimit deri në ditët e sotme.
Në dituri hyn të punuarit me të
Në dituri islame futet edhe puna, apo të vepruarit me diturinë e tillë përndryshe ajo mbetet e mangët dhe e pavlerë. Kujdes nga prijësit e devijuar, larg atyre dhe mësimeve që japin. Për këtë shkak imam Maliku këshillonte nxënësit e tij: “Vërtet kjo dituri që merrni ju është vetë feja, prandaj kujdes nga kush e merrni atë.”
CILAT JANË FSHEHTËSITË E DIJES QË ARRIN T`I TEJKALOJË SFIDAT
Paraprakisht nuk duhet të harrojmë se dituria nuk është i vetmi shkak që i tejkalon e vetme të gjitha sfidat apo të mendojë ndokush se nuk ka edhe shkaqe të tjera që luajnë rol thelbësor në tejkalimin e sfidave. Nuk mund të lë pa përmendur: devotshmërinë, mbështetjen në Allahun, namazin, durimin, sakrificën, etj., këto kanë rol mahnitës në tejkalimin e sfidave.
Megjithatë që të gjitha kur i meditojmë në thellësi arrijmë në përfundimin se janë të varura dhe të ndërlidhura me diturinë, sepse asnjëra pa dituri nuk do të arrihej por as nuk do të menaxhohej si duhet. Kështu secila luan rolin e saj, por iu prin në këtë rrugëtim dituria.
Fshehtësitë e dijes në tejkalimin e sfidave
Nëse do të ndalemi t`i përmbledhim të gjitha, nuk do të arrinim ta bënim përveçse duke mbushur me qindra fletë, prandaj të mjaftohemi me disa:
1-Burimi i saj është i pagabueshëm.
Ajo ka zbritur nga Zoti, Krijuesi i çdo gjëje, edhe i vetë sfidës. Gjithashtu është mësim i Pejgamberit, i cili nuk flet nga hamendja, por fjalët e tij janë shpallje. Atëherë si ka mundësi e gabueshmja ta mundë të pagabueshmen?! Nëse ndodh e kundërta, atëherë gabimin kërkojeni tjetërkund e jo tek vetë dituria.
2-Është vërtetuar në të kaluarën e deri sot se dituria gjithmonë ka qenë triumfuese karshi çdo sfide.
Me dituri Profetët mundën kufrin e shirkun, kundërshtuan tiranët, përhapën të vërtetën, këshilluan njerëzimin, kthyen identitetin e popujve të tyre… Nëse ndalemi tek historia islame dhe e kontrollojmë, do ta vërejmë këtë gjë.
3-Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem përmes diturisë arriti krijimin e një shoqërie perfekte në përmasa njerëzore (pra, është dituri e provuar në praktikë).
Askush pos tij deri më sot nuk ka arritur ta bëjë këtë përsosmëri. Pse? Sepse u mungon dituria e vërtetë, edhe pse ata në dituri të caktuara pretendojnë se janë në nivel të mirë. Por Allahu thotë: ( يعلمون ظاهرا من الحياة الدنيا وهم عن الآخرة هم غافلون) “Edhe atë që dinë nga jeta e kësaj bote, është dije e cekët, por ndaj jetës së përjetshme (ndaj ahiretit) ata janë plotësisht të verbëruar (të painteresuar).” (Rrum: 7). Shoqëritë islame edhe sot nëpër komunitete mjaft të vogla kanë arritur të rregullojnë jetën e tyre ndonëse jetojnë brenda shteteve të kufrit dhe të sulmuar nga ata. Pra shtetet kanë dështuar, kurse muslimanët jo.
4-Të mëson balancimin, baraspeshën dhe mesataren.
Është e vetmja dituri e cila merret me studimin e këtyre gjërave.
وكذلكجعلناكمأمةوسطالتكونواشهداءعلىالناسويكونالرسولعليكمشهيد
“Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve dhe për të qenë i Dërguari dëshmitar ndaj jush.” (Bekare: 143)
Për shkak të mungesës së saj tek të tjerët edhe devijimet e tyre ishin të skajshme. E kaluara dhe e sotmja flasin vetë për këtë dukuri. Çifutët kishin devijuar për shkak të dhënies pas dunjasë dhe kishin harruar balancimin e saj me ahiretin, të krishterët bënë të kundërtën. Ky ishte devijimi i tyre në besim.
-Devijimi në Profetët e Allahut. Çifutët i mbytnin, kurse të krishterët i lartësonin në rangun e Zotit.
-Çifutët mashtronin të tjerët, gënjenin, vidhnin, hanin kamatën, etj., kurse të krishterët të kundërtën; nëse dikush u binte me shuplakë, ishin të urdhëruar t`ia kthenin faqen tjetër.
Këto që përmendëm dhe të tjera që mbetën pa përmendur Islami i balancoi mes vete duke zgjedhur gjithmonë mesataren në gjërat që kanë dy ekstreme të kundërta.
Probleme të njëjta patën edhe grupet muslimane që u mungonte dituria: havarixhët konsideronin kafir çdo mëkatar, murxhitë xhenetli çdokënd që shqipton shehadetin pa kushte e rregulla.
Dikush ofendoi Aliun, të tjerët e shenjtëruan.
Tek grupe injorante edhe në ditët e sotme ka humbur baraspesha. Sheh disa që tërë ditën thërrasin për xhihad dhe i paragjykojnë ata që nuk flasin si ata, e në të kundërtën rrinë pas kompjuterëve e asgjë më shumë. Çdo arrogancë e quajnë xhihad sepse u mungon dituria rreth mesatares. Pala e kundërt e mohon atë me çdo kusht, ndalon edhe mësimet e dispozitave të tij.
Dikush thërret në medhheb të caktuar dhe detyron me të, por është vetë i pari që e kundërshton me vepër. Pala tjetër thërret për mospasim të medhhebit, ndërsa në anën tjetër ndodh që disa prej tyre të pasojnë verbërisht dy apo tre dijetarë dhe refuzojnë të gjithë të tjerët. Pra, ikën nga një ekstrem dhe futet në tjetrin.
Tek të dyja palët mungon dituria rreth balancimit të këtij adhurimi.
5-Të mëson urtësinë.
Me urtësi tejkalohen sfidat. Dituria të jep perceptim se çfarë është urtësia, ku e ka vendin e vet, si duhet kuptuar ajo, etj.. Urtësi do të thotë vendosje e çdo gjëje në vendin e saj, apo të vepruarit e çdo gjëje në kohën e saj në vendin e saj në formën dhe mënyrën e saj. Allahu këshilloi:
ادع إلى سبيل ربك بالحكمة والموعظة الحسنة وجادلهم بالتي هي أحسن
“Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” (Nahël: 125)
Vendosja e shpatës në vend të fjalës është haram, ashtu siç është e tillë edhe e kundërta e saj. Secila veprohet me urtësinë e saj. A nuk ishte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që i ndalonte shokët nga lufta gjatë periudhës mekase, kurse ai vetë i udhëhiqte në luftë në atë medinase, bile ata që kishin mundësi dhe nuk merrnin pjesë në luftë edhe i ndëshkonte apo bojkotonte. Kjo ishte urtësi e tij. Me të mësuarit e saj nga Allahu, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, arriti të tejkalonte sfidat e armiqve dhe provokimet e tyre.
6-Të mëson qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë për ballafaqim me sfidën.
Nga Ebi Amri përmendet se i ka thënë Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “O i Dërguar i Zotit më thuaj një fjalë-këshillë në Islam për të cilën të mos kem nevojë ta pyes askënd pas teje.” Pejgamberi i tha: “Thuaj Besoj Allahun, pastaj qëndro fort në këtë fjalë.” (Shënon Muslimi)
Qëndrueshmëria në përgjithësi do të thotë të mos u ikësh problemeve kur të godasin, të jesh i fuqishëm para tyre, por duke mos i dëshiruar paraprakisht ato. Të mëson që sfidave të mos ua kthesh shpinën, kur kërkohet të merresh me to duke mos reflektuar dobësi para tyre apo edhe frikë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur pa se ishte e nevojshme të ballafaqohej me çifutët e fisit Beni Kurejdha, u ballafaqua me ta pa u larguar nga sfida që ata ia bënë përmes tradhtisë. Aq ishte i vendosur në përfundimin e këtij problemi, sa i urdhëroi shokët e tij që të mos e falnin ikindinë askund tjetër pos tek ai fis. E kur analizoi se ishte e arsyeshme lënia e çifutëve të Hajberit në tokat e tyre, i la ata pasi i kishte çliruar ato toka.
Para tij vlen të përmendet edhe shembulli i vendosmërisë së Musait para detit, pas të cilit ishte faraoni me ushtri e Musai edhe në këtë çast kishte qëndrueshmëri të paluhatshme në Zotin e tij duke e tejkaluar këtë sfidë pa dyshimin më të vogël.
7-Të mëson durimin gjatë sfidave.
Allahu kërkon nga besimtarët që të kërkojnë ndihmë dhe të gjejnë forcë për tejkalimin e çdo të keqeje me durim dhe me falje të namazit. “Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).” (Bekare: 45)
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadithin e tij thotë: “…Sabri është shkëlqim-dritë reflektuese…” (Shënon Muslimi)
Kush e analizon me përpikëri jetën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, vëren shumë qartë dhe thjesht se e tërë jeta e tij ishte e mbushur me sabër, karshi çdokujt, edhe atëherë kur u përball me armikun më të madh, me vrasësin e xhaxhait të tij, Hamzës, me urdhërdhënësen e kësaj vrasjeje si dhe me djalin e armikut më të madh të tij, Ebu Xhehlit.
8-Mosteprimi në qëndrimet karshi sfidës.
Çdo sfidë kërkon përmasat e saj dhe nuk duhen tejkaluar kufijtë. Është obligim rrahja e djalit të pamartuar për amoralitet, por nuk lejohet vrasja e tij e kështu të mëkatohet duke e tepruar karshi sfidës. Nëse dikush ka vrarë dikë, atëherë duhet të vritet dorasi e jo djali i tij i pafajshëm apo merret hak me vrasjen e dy familjarëve të tij. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kujdes nga teprimi…” (Nesaiu Ibën Maxhe, etj. i saktë sipas shejh Albanit, shiko Sahiha: 1283). “U shkatërruan tepruesit.” (Muslimi). Patjetër duhet të jemi të drejtë dhe të urtë, edhe nëse kjo kërkohet karshi armiqve tanë. Allahu thotë: “Urrejtja ndaj një populli, që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre.” (Maide: 2). Kjo ishte shkak që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u dha amnisti të përgjithshme banorëve të Mekës në ditën e çlirimit të saj.
9-Të mëson edukatën, menaxhimin, mospasimin e epshit në vendime, mosshikimin e punëve me syrin e interesit, paanshmërinë, shkaqet e jashtme që nuk kanë të bëjnë me rastin.
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Popujt para jush i ka shkatërruar (pra kanë rënë në këtë sfidë) fakti se tek ta nëse vidhte personi me pozitë e linin të lirë, ndërsa nëse vidhte i varfri e dënonin. Pasha Allahun, sikur Fatimja e bija e Muhamedit të vidhte, do ia këpusja dorën.” (Buhariu dhe Muslimi)
Kjo vërtetohet edhe në ndodhinë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me banorët e Taifit, i cili edhe pse ishte dëmtuar dukshëm prej tyre, kjo nuk e shtyu të bëhej i pamëshirshëm me ta e të dilte nga vetvetja, pasi ai ishte mëshirë për njerëzimin e jo dënim për ta, prandaj nuk e lejoi dënimin me shembje të kodrave. Në anën tjetër, dhembja e gurëve kur po e gjuanin nuk e shtyu aspak të bërtiste me mallkim mbi ta, por pa ndërprerë thoshte: “O Zot, fale popullin tim, se nuk dinë!”
10-Të mëson praktikat se si të veprosh konkretisht karshi sfidave e jo vetëm fjalë të mëdha, hutbe të nxehta, shkrime të ndjeshme…
Dituria është ajo që urdhëron pasimin e fjalës me punë, ndërlidhjen e teorisë me praktikë, urren dhe ndalon vetëm fjalët pa punë. Allahu thotë: “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni?” (Saf: 2)
Këtu do ta bëja një pyetje: A ka dëgjuar ndokush se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndonjëherë ka thënë diçka e në anën tjetër të mos ishte i pari që i përgjigjej praktikisht fjalës së vet? Pa dyshim përgjigjja është jo.
Duke mos dashur të vazhdoj në këto shkaqe, do të mjaftohem vetëm me këto që keni para vetes, të cilat janë dëshmues i mirë dhe i mjaftueshëm për t’u bindur se dituria është arma më e suksesshme dhe efektive për ballafaqimin dhe tejkalimin e të gjitha sfidave që po kalon ky umet.
Unë apeloj tek të gjithë muslimanët që çështjen e të mësuarit të fesë nga burimet e sakta ta marrin shumë seriozisht dhe të jenë në gjendje të ballafaqohen si umet me çdo sfidë që u del para.
Formës së të kërkuarit dituri, cilave mësime u duhet dhënë përparësi, si duhet të rregullojmë oraret e mësimit, çfarë të mësojmë përmendësh dhe çfarë të lexojmë, cilën ta studiojmë e cilën vetëm ta lexojmë, këtyre dhe pyetjeve të tjera që kanë të bëjnë me marrjen e diturisë u duhet dhënë përgjigje në një ligjëratë tjetër të posaçme për të.
Lulzim Susuri