Kur gruaja të thotë “Allahu mos ma pruftë me qenë me ty në xhenet”

0

Pyetja:

Selam alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Kam një problem me gruan. Nuk do të hyj assesi në detaje të problemit, por do ta tregoj shkakun kryesor pse po ju shkruaj, që të më ndihmoni.
Duke u grindur me gruan, gruaja më tha: “Allahu mos ma pruftë me qenë me ty në xhenet, qoftë edhe nëse vetë jam atje.” Kjo fjali më ka shtangur krejt, ma ka thyer zemrën tepër dhe më është duk sikur vërtet u ndamë në ahiret dhe ashtu po më duket. Unë hoxhë e dua gruan, porse tash më ka tronditur tepër. Të lutem më trego a e kam hallall të qëndroj ende me të sepse kjo dua është tepër e rrezikshme, ngase këtu njeriu ose duhet të shkojë në xhehenem ose duhet të ndahemi, që mos të jemi bashkë (apo ndoshta po gjykoj gabim). Ajo që unë tash po shoh për momentin është se nuk janë raportet me gruan si më parë. Do të kisha pritur të më thoshte të gjitha fjalët e botës, më të këqijat, porse të bëjë këtë dua s’kam pritur kurrë. Edhe sikur të isha akuzuar për imoralitet s’do ta kisha pritur kaq rëndë.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i nderuar, fillimisht ju kërkojmë falje për vonimin e përgjigjes, pasi nuk ishim në gjendje t’ju shkruanim më herët.

Jeta bashkëshortore ashtu si është e mbushur me momente gëzimi, lumturie, qetësie dhe hareje, ka edhe momente pakënaqësish, mërzish dhe hidhërimit mes bashkëshortëve. Madje vetëm kështu mund të konsiderohet një jetë bashkëshortore normale, pasi burri dhe gruaja sado që të kenë personalitete të ngjashme, prapëseprapë duhet të kenë dallime në mes tyre. Është e vërtetë se kufiri mes kënaqësive dhe pakënaqësive nuk është i njëjtë te të gjithë bashkëshortët, pasi te disa çifte problemet janë më të theksuara se te të tjerët, varësisht prej rrethanave të shumta që ndikojnë dhe prej aftësisë së bashkëshortëve që t’i përballojnë mospajtimet.

Pastaj emocioni dhe ndjeshmëria te femrat në përgjithësi është shumë më e theksuar se te meshkujt. Për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë ndonjë thellim ose studim; mjafton vetëm të kujtojmë ndonjë ngjarje shqetësuese në familje ose në rrethin tonë dhe ta kujtojmë se si e përballuan burrat e si gratë. Shprehja e gëzimit dhe e hidhërimit te burrat është më i përmbajtur sesa te gratë. Është më se e sigurt se demonstrimi i zemërimit te burrat është më evident, pasi ata kanë fuqinë, zërin dhe kështu me radhë, por këtu kemi për qëllim ndjenjat e brendshme, prekjen, shqetësimin, tronditjen, frikën, etj.

Pas kësaj, ju themi se njeriu gjatë hidhërimit mund ta thotë ndonjë fjalë ose edhe ofendim të cilin nuk do ta thoshte në raste normale dhe kur është i qetë. Edhe kjo nuk është e njëjtë te të gjithë njerëzit, por në përgjithësi momentet e hidhërimeve janë çaste kur njeriu del prej kontrollit. Për këtë, ajo fjalë që ka dalë nga goja e gruas suaj është rezultat i rrethanave të caktuara dhe ajo mund ta ketë thënë atë fjalë pa menduar. Nga letra juaj mund të kuptojmë se jeni një tip emocional dhe i ndjeshëm edhe ju, prandaj ndiheni keq nga kjo fjalë dhe preokupoheni me mendime jo të drejta karshi gruas suaj. Ne e përmendëm më herët se femra emocionohet më shumë se mashkulli, prandaj edhe mund ta thotë ndonjë fjalë jo të matur mirë, si thuhet në popull se fjalën e fundit e thotë të parën. Mu për këtë natyrë të femrave edhe Allahu i Lartësuar nuk ia la në dorë çështjen e shkurorëzimit asaj. Në Islam, nëse gruaja edhe një qind herë deklaron se nuk e dëshiron burrin apo se do që të ndahet, kjo nuk ka peshë në ndarjen e çiftit, pasi në momente të caktuara të shqetësimit dhe hidhërimit të saj, fjala e parë që do të thoshte është kjo. Ndërsa në anën tjetër, trajtimi i deklarimit të burrit në këtë (për divorc) është ndryshe, ai nuk ka të drejtë që as në shaka ta thotë këtë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të thotë:

“Në tri gjëra serioziteti në to konsiderohet seriozitet, por edhe shakaja konsiderohet seriozitet: martesa, shkurorëzimi dhe kthimi i gruas pas shkurorëzimit”1

Ndoshta dikush do ta shihte këtë trajtim të femrës rreth divorcit si mangësi, por assesi nuk është e drejtë kjo. Në Islam edhe mashkulli edhe femra në natyrën e tyre kanë cilësi dhe karakteristika që dallojnë nga njëri-tjetri, prandaj edhe natyra e femrës që të jetë më emocionale, më e prekshme dhe më e ndjeshme në vetvete ka përparësi dhe pozitivitete të cilat vërehen në shumë fusha, posaçërisht karshi fëmijës së saj.

Të flasësh për këto gjëra ka shumë çfarë të thuhet, por në këtë përgjigje ne edhe një herë ju këshillojmë që të mos merreni shumë me atë fjalë që keni dëgjuar nga gruaja juaj, pasi duhet ta keni parasysh se janë të mundshme nga femrat të dalin fjalë të këtilla të pakontrolluara si rezultat i rrethanave dhe mospajtimeve që ndodhin. Ne gjithsesi ju vërtetojmë se edhe në të ardhmen, në situata të ndryshme me gruan tuaj, do të mund të dëgjoni fjalë të ngjashme dhe nuk do të përfitoni asgjë nëse ndaleni dhe i peshoni fjalët kështu si keni bërë tani, madje kështu vetëm se do ta eskaloni situatën edhe më shumë në vend se ta qetësoni.

Mospajtimet dhe pakënaqësitë e ndërsjella ndodhin mes të gjithë bashkëshortëve, në çdo vend dhe në çdo kohë, madje mospajtime ka pasur ndonjëherë edhe i Dërguari i ynë, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, me gruan e tij Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Shënon Ebu Daudi dhe disa të tjerë një rast kur Ebu Bekri, që ka qenë babai i Aishes gruas së Profetit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka shkuar në vizitë në shtëpinë e të Dërguarit salallahu alejhi ve selem dhe kur ka kërkuar leje për të hyrë brenda, dëgjon zërin e ngritur të Aishes duke i folur burrit të saj e hidhëruar. Kur Ebu Bekri hyn brenda, dëshiron që ta edukojë vajzën e tij që të mos e ngrejë zërin e të hidhërohet me të Dërguarin salallahu alejhi ve selem dhe i drejtohet ta godasë Aishen.

I Dërguari salallahu alejhi ue selem, i del përpara dhe fillon ta mbrojë nga tentimet e babait të saj. Ebu Bekri hidhërohet dhe del nga shtëpia, ndërsa i Dërguari salallahu alejhi ve selem i kthehet Aishes dhe i thotë në formë shakaje: “Si t’u duk kur të mbrojta nga ky njeri që dëshironte të të rrihte?’ Ebu Bekri një kohë nuk shkon në shtëpi të të Dërguarit dhe kur shkon pas një kohe, kërkon leje për të hyrë dhe kur e sheh se janë pajtuar u thotë atyre: “Më lejoni të hyj tani kur jeni pajtuar ashtu si më keni lënë të hyj kur keni qenë të hidhëruar.”
I Dërguari salallahu alejhi ve selem qesh dhe thotë: “Do ta bëjmë, do ta bëjmë.”2

Pastaj në një hadith tjetër Profeti salallahu alejhi ve selem i thotë Aishes: “Unë e kuptoj gjithmonë kur ti je e kënaqur me mua dhe kur je e hidhëruar. Kur je e kënaqur me mua ti thua: “Jo, për hir të Zotit të Muhamedit”. Ndërsa kur je e hidhëruar thua: “Jo, për hir të Zotit të Ibrahimit.3”

Do të thotë se kur ajo ishte e pajtuar me të, ia përmendte emrin, ndërsa kur ishte e hidhëruar nuk ia përmendte emrin atij, por në vend të tij ia përmendte emrin e të Dërguarit Ibrahim.

Për fund, lus Allahun e Lartësuar t’ju bekojë të dyve dhe t’ju jap martesë të lumtur me sa më pak probleme dhe t’ju shpërblejë me të mira në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!

Alaudin Abazi 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com