Siria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rindërtimin e sektorëve të arsimit të lartë dhe kujdesit shëndetësor, nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara me Turqinë, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në mbarë vendin.
Këto marrëveshje synojnë të rrisin cilësinë dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimeve arsimore dhe shëndetësore, duke u mbështetur në ndihmën teknike dhe ekspertizën turke.
Zyrtarët sirianë kanë theksuar rëndësinë jetike që përparimi në këto fusha ka për procesin e rimëkëmbjes pas konfliktit. Ministri i Arsimit të Lartë, Marwan Al-Halabi, deklaroi se përkundër sfidave të mëdha të së kaluarës, së fundmi janë bërë përmirësime të dukshme në sistemin arsimor.
“Gjatë periudhës së kaluar dhe nën regjimin e mëparshëm, institucionet arsimore u përballën me dëme të mëdha, duke përfshirë kolapsin e infrastrukturës dhe rënien e kapaciteteve shkencore mbështetëse,” tha Al-Halabi. “Për më tepër, humbëm një pjesë të konsiderueshme të stafit akademik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar u ndërpre.”
Ai shtoi se shumë akademikë u detyruan të emigrojnë, çka solli një “izolim akademik” të dëmshëm për prodhimin shkencor të vendit. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë sjellë ndikime pozitive.
“Falë Zotit, pas fitores dhe çlirimit, kthimi i qytetarëve në vend dhe lehtësimi gradual i sanksioneve kanë ndihmuar në ringjalljen e universiteteve tona,” deklaroi ai.
Al-Halabi vuri theksin në rolin e rëndësishëm që Turqia po luan në procesin e ringjalljes ekonomike dhe akademike të Sirisë. Ai përmendi projektet e përbashkëta në fusha strategjike si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe transformimi dixhital.
Sipas tij, janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e infrastrukturës laboratorike dhe për nxitjen e shkëmbimeve akademike me institucionet turke. Një tjetër përpjekje e rëndësishme është përafrimi i universiteteve siriane me standardet ndërkombëtare të akreditimit, ku përfitohet ndjeshëm nga përvoja turke.
Ai njoftoi gjithashtu nisjen e punës për themelimin e një universiteti të përbashkët siriano-turk, që do të shërbejë jo vetëm për studentët sirianë, por edhe për ata nga vendet fqinje. “Komisionet janë formuar dhe përgatitjet po zhvillohen me intensitet,” tha ai.
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, do të organizohen seminare, punëtori dhe konferenca ndërkombëtare, si në Turqi ashtu edhe në Siri. “Ne kemi filluar të shohim rezultate konkrete në fushën e arsimit të lartë,” shtoi Al-Halabi, duke theksuar se këto përpjekje do të ndikojnë pozitivisht edhe në qendrat kërkimore në Turqi.
Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Musab Al-Ali, prezantoi hapat konkretë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në veri të vendit, përfshirë një marrëveshje me Turqinë për ndërtimin e një spitali onkologjik në qytetin e Aleppos.
“Me lejen e Zotit, spitali do të jetë operacional brenda 176 ditësh dhe do të ofrojë shërbime të vlefshme për banorët e veriut,” deklaroi ai.
Al-Ali bëri të ditur gjithashtu se një njësi e re për kimioterapi do të hapet në një provincë tjetër brenda dy javësh.
Ai përmendi edhe një marrëveshje të re me Ministrinë turke të Shëndetësisë për përmirësimin e trajtimit kardiak në Spitalin e Zemrës në Damask.
“Shpresojmë që njësia e re kardiake të hyjë në funksion brenda 90 ditësh, duke ofruar shërbime të avancuara për pacientët me probleme të zemrës në kryeqytet,” tha Al-Ali, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin domethënës me Turqinë.