Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi zonën jugore të Filipineve, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS). Lëkundja u regjistrua në një thellësi prej 101 kilometrash (63 milje) dhe kishte epiqendrën rreth 70 kilometra larg zonave më të afërta të provincës Davao Occidental.
Deri më tani nuk ka pasur raportime për viktima apo dëme materiale të menjëhershme. “Lëkundja nuk ishte shumë e fortë, por tavolinat dhe kompjuterët këtu në zyrë u drodhën për rreth pesë sekonda,” deklaroi për AFP Marlawin Fuentes, një shpëtimtar provincial nga ishulli i vogël Sarangani.
Autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë paralajmërim për cunami pas tërmetit.
Filipinet ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit – një zonë me aktivitet të lartë sizmik që shtrihet nga Japonia deri në Azinë Juglindore dhe përgjatë brigjeve të Paqësorit. Në këtë rajon, tërmetet janë një dukuri pothuajse e përditshme.
Shumica e lëkundjeve janë aq të lehta sa nuk ndihen nga njerëzit, por herë pas here ndodhin tërmete të fuqishme e shkatërruese, të cilat nuk mund të parashikohen me teknologjinë aktuale.