Marrëveshja, e cila kërkon ende miratimin e Kongresit, vjen teksa Riadi kërkon ndihmën e Uashingtonit në luftën e tij me huthitë e Jemenit.

17 shtator 2026

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka kërkuar ligjvënësve të miratojnë shitjen e 48 avionëve luftarakë F-35 Arabisë Saudite për një vlerë të përllogaritur prej 24.3 miliardë dollarësh.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një aleati kryesor jashtë NATO-s, i cili është një forcë për stabilitet politik dhe përparim ekonomik në rajonin e Gjirit”, deklaroi Departamenti i Shtetit në një komunikatë të enjten.

Administrata u shpreh se shitja e këtyre avionëve, avionët luftarakë më të avancuar që disponon SHBA-ja, “nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon”, në përputhje me politikën e kahershme amerikane sipas së cilës Izraeli duhet të ruajë epërsinë ushtarake ndaj kundërshtarëve të mundshëm rajonalë.

Njoftimi vjen pasi huthitë në Jemen pretenduan të mërkurën se rrëzuan një avion luftarak saudit F-15 mbi Marib, një qytet kyç në betejën e tyre kundër forcave qeveritare jemene të mbështetura nga Arabia Saudite. Grupi publikoi pamje filmike të luftëtarëve në qytet duke qëndruar përpara mbetjeve të djegura të asaj që dukej të ishte një avion luftarak F-15 i prodhimit amerikan me shenjat dalluese të Arabisë Saudite.

Huthitë pretendojnë se avioni u rrëzua me një raketë tokë-ajër “të prodhuar lokalisht”, çka do të shënonte një ndryshim dramatik në kapacitetet e grupit për të zhvilluar luftë në këtë zonë. Deri më tani, ushtria e Arabisë Saudite ka gëzuar epërsi relative ajrore në Jemen dhe është mbështetur gjerësisht në aftësinë e saj për të kryer sulme ajrore në vendin fqinj.

Intensifikimi i luftimeve midis Arabisë Saudite dhe huthive raportohet të ketë lënë të vrarë të paktën pesë persona të enjten, përfshirë tre fëmijë.

Arabia Saudite ka kërkuar pa sukses që Uashingtoni të luajë një rol më të drejtpërdrejtë në konfliktin e mbretërisë me forcat huthi. SHBA-ja ka theksuar se nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt në konfliktin midis huthive të mbështetur nga Irani, Arabisë Saudite dhe qeverisë jemene të mbështetur nga Riadi.

Shqetësimet rreth Kinës

Uashingtoni ushqen gjithashtu shqetësime lidhur me rrezikun e spiunazhit kinez në raport me këta avionë.

Gazeta The New York Times raportoi këtë javë se analistët e inteligjencës amerikane kanë ngritur mundësinë që Pekini të arrijë të përvetësojë teknologjinë e avionëve F-35 përmes partneriteteve të tij me Riadin.

Ligjvënësi i Kongresit të SHBA-së, Raja Krishnamoorthi, anëtar demokrat i Komisionit të Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, shprehu kundërshtimin e tij ndaj shitjes pikërisht mbi këto baza.

Marrëveshja nuk duhet të ecë përpara “kur vetë komuniteti ynë i inteligjencës po paralajmëron se ajo mund të vendosë xhevahirët e kurorës së teknologjisë ushtarake amerikane brenda mundësive të Partisë Komuniste Kineze”, theksoi Krishnamoorthi në një deklaratë.

Arabia Saudite nënshkroi muajin e kaluar një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë, të pagëzuar si Marrëveshja e Mekës, me Pakistanin dhe Turqinë — një shenjë kjo se vendet po kërkojnë rrugë për të garantuar mbrojtjen e përbashkët me më pak mbështetje te Uashingtoni.

Arabia Saudite ka synuar prej kohësh blerjen e avionëve F-35, por zyrtarët e Izraelit — vendi i vetëm në rajon i pajisur me këta avionë luftarakë — kanë shprehur rezerva rreth shitjes së tyre Riadit, pavarësisht përpjekjeve që mbretëria të normalizojë marrëdhëniet dypalëshe. Turqisë, anëtare e NATO-s që mori pjesë në zhvillimin shumëkombësh të avionëve F-35, i është bllokuar marrja e tyre që nga viti 2019, pasi bleu sisteme raketore kundërajrore nga Rusia.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version