Jam 20-vjeçare dhe kam probleme me fakultetin dhe epshin

0

Pyetja:

Selam alejkum! Jam një vajzë 20-vjeçare, kam probleme të mëdha në jetë. Kam shumë pak fat që dy herë tentoj të regjistrohem në fakultet, por nuk mundem herën e dytë isha shumë afër pastaj kam problem intime. Kam nevojë shumë për dikë edhe gjatë Ramazanit më ka ndodhur të kem epsh, por s’mundem ta gjej fatin e jetës edhe pse falem dhe lutem gjithmonë dhe Allahu e di se nuk e kam mendjen te harami. Kur dal me dikë, edhe pse ai person bën shumë pas meje pas takimit më ka ndodhur së fundmi që kërkon t’i ndërpresë kontaktet. Kam pasur edhe dy raste të ngjashme tani. Jam shumë e dëshpëruar kudo më shkojnë mendtë edhe se dikush ka mundur të më bëjë magji. Pyetja ime është pse po më ndodhin këto, pse s’kam përgjigje në lutjet e mia a është çështje përcaktimi nga ana e Allahut apo mund të jetë magji apo ndonjë problem tek unë dhe ju lutem të më tregoni si t’i kaloj nëse është si pasojë e këtyre dy të fundit dhe si të ruhem që të mos kem epsh dhe këtë nevojë që ta kem afër vetes dikë? Faleminderit, Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!
Motër e nderuar, në pyetjen tuaj ngrini një numër problemesh, të cilat ju shqetësojnë dhe kërkoni sqarime rreth tyre. Ne do të mundohemi me lejen e Zotit t`ju japim një përgjigje duke u ndalur në secilin shqetësim tuajin, por paraprakisht ju bëjmë me dije se problemet që paraqisni se ju preokupojnë, janë të natyrave normale dhe me to ballafaqohet çdo i ri i cili ka moshën tuaj. Prandaj ju këshillojmë që mos t’i trajtoni si probleme të mëdha ashtu si shpreheni ju që në fillim, pasi me plot përgjegjësi ju themi se nuk janë ashtu. Në vazhdim do të ndalemi në secilin shqetësim tuajin, që edhe ju të bindeni se nuk janë probleme që trazojnë, këto gjëra që ju preokupojnë.
– Në lidhje me mospranimin tuaj në fakultet, edhe pse ju për këtë keni provuar dy herë themi se kjo është më se normale, madje nëse dëshirojmë të jemi real, në kohët e sotme më e panatyrshme është që njeriu të pranohet me herën e parë apo të dytë në fakultet se sa mos të pranohet. Ne njohim shumë njerëz dhe kolegë që kanë provuar me dhjetëra herë, të hynë në fakultete, por tani kanë mbetur pa të. Po ua themi edhe këtë, që të jemi të sinqertë me ju se edhe ne vetë jemi ballafaquar me probleme të shumta derisa kemi arritur të hymë në fakultet. Disa herë jemi përpjekur dhe kemi hulumtuar forma të mundshme derisa Allahu e bëri të mundshme këtë. Sido që të jetë, ju themi se nuk duhet t`ju mërzisë jashtë mase kjo pamundësi, pasi që është një problem real dhe i natyrshëm, me të cilin ballafaqohen shumë njerëz, duke i pasur parasysh rrethanat e kohës sonë. Gjithashtu e kemi parasysh ndjenjën e mërzisë që keni, kjo është më se e natyrshme dhe këtë e ka secili, por nuk guxon që kjo t’u kaloj në depresion dhe ta lidhni tërë ardhmërinë tuaj me vijimin e shkollimit dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë ta mendoni se jeta juaj do të jetë errësirë. Duhet ta keni parasysh se suksesi, respektivisht mossuksesi i njeriut nuk është në dorën e tij dhe nuk ndërlidhet detyrimisht vetëm në mundin dhe sakrificën që ne e japim, por ajo ndërlidhet me caktimin e Allahut dhe në Dorën e Tij është çdo gjë. Pastaj ju duhet ta dini se njeriu në jetë shumë gjëra i mendon se janë mira për të, kurse në fakt ato janë të dëmshme dhe anasjelltas. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Por ju mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (Bekare, 216)
Gjithashtu thotë:
“…është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (Nisa, 19)
– Problemi i epshit të cilin e përmendni prapë është një natyrshmëri me të cilën ballafaqohen të gjithë njerëzit, posaçërisht të moshës suaj dhe kjo është e njëjtë sikur te meshkujt ashtu edhe te femrat. Instinkti seksual dhe prirja apo nevoja për të qenë afër bashkëshortit respektivisht bashkëshortes (palës tjetër), është një dëshirë e vetvetishme me të cilën njeriu është krijuar nga Zoti i tij. Prandaj femra e ka këtë instinkt dhe kjo është pjesë e karakterit të saj ashtu sikurse edhe mashkulli. Me një fjalë, kjo çështje në asnjë formë nuk është e pakëndshme apo e pështirë dhe nuk duhet të jetë shqetësim që ju preokupon se pse e keni. Pastaj edhe njeriu në këtë pikëpamje është i dobët dhe ka nevojë për martesë dhe plotësimin e këtyre nevojave me metodë të lejuar. Për këtë, kur Allahu i Madhëruar flet për martesën dhe disa dispozita që kanë të bëjnë me të, në fund të ajeteve thotë:
“Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë (barrët), pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme (dobët).”(Nisa, 28). Pra njeriu është qenie e dobët dhe e ka vështirë të përmbahet, posaçërisht në çështjen e marrëdhënies bashkëshortore.
Duke e pasur parasysh këtë ju këshillojmë pikësëpari të jeni e vetëdijshme se ju keni nevojë ta plotësoni veten tuaj duke gjetur partnerin jetës. Gjithashtu duhet ta keni parasysh se kjo realizohet duke u mbështetur në Allahun dhe lutur Atë, ashtu si theksoni edhe ju, por në të njëjtën kohë edhe duke mos tejkaluar kufijtë e përcaktuara nga Allahu i Gjithëfuqishëm. Forma e takimeve me meshkujt të huaj dhe zgjerimi i raporteve me ta, duke u shoqëruar, dalë, argëtuar, etj., pa qartësuar formën e raportit në mes juve, në Islam kjo nuk lejohet. Me fjalë tjera në mësimet islame është e vërtetuar shumë qartë se lidhjet të cilat krijohen në mes të një çifti dhe shoqërimi i ndërsjellë para martese ose fejese është i papranuar dhe ky veprim është shkelje e dispozitave islame. Femra nuk e ka të ndaluar që të takohet me personin që i propozon martesë atij dhe të bisedojë e të sqarohet për gjërat të cilat i interesojnë dhe anasjelltas, por atyre në asnjë formë nuk u lejohet të fillojnë shoqërimin, të dalin, të zbaviten, të takohen e të bisedojnë, pa lidhur kontratë fejese ose martese. Prandaj ju këshillojmë që ta keni parasysh këtë dhe mundohuni ta aplikoni, gjatë shanseve që ju ofrohen nga ata njerëz që ju propozojnë martesë. Dilni me ta, por gjithmonë duke u shoqëruar nga dikush i afërm i juaji, pastaj nëse pëlqeheni në mes vete, mos lejo ta zgjeroni raportin pa u qartësuar dhe lidhur fejesë. Kështu ju i përmbaheni dispozitave të Allahut dhe arrini kënaqësinë e Tij dhe pa dyshim kjo do të jetë edhe shkak që ju të arrini sukses në gjetjen e partnerit të jetës suaj. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu myzhde (lajmin e mirë) besimtarëve!” (Teube, 112). Pra jepu të tillëve që u përmbahen dispozitave të Allahut se do të jenë të shpëtuarit.

– Për sa i përket magjisë themi se është vështirë të përcaktohet për një problem me të cilën ballafaqohet njeriu, a mund të jetë arsye magjia apo jo. Por nga përshkrimi i shqetësimeve tuaja në letër mendojmë se nuk keni ndonjë problem të tillë, që do të na bënte të besonim se keni magji apo diçka të ngjashme. Kjo për faktin se të gjitha preokupimet tuaja janë gjëra me të cilat ballafaqohen njerëzit. Pastaj edhe mosha e juaj dhe karakteri (mund të jeni më e ndjeshme) luan rol. Ndoshta ju i merrni disa situata me të cilat ballafaqoheni si tragjike, por në realitet nuk janë edhe aq të jashtëzakonshme.
– Në lidhje me lutjet të cilat ia drejton Allahut por nuk gjen përgjigje, mund të lexosh këtu:
http://www.klubikulturor.com/pyetje/2008/i_lutem_zotit_per_dicka

_por_zoti_nuk_ma_kthen_lutjen.htm

Motër e nderuar, ju falënderojmë për besimin që keni treguar me letrën tuaj dhe ne edhe një herë ju këshillojmë se njeriu sa të jetë në këtë botë do të sfidohet me probleme të shumta. Mos lejoni që këto t`ju dobësojnë në atë masë sa të dorëzoheni, por përvishuni punës dhe vazhdoni jetën duke u munduar ta tejkaloni çdo vështirësi dhe kështu të arrini suksesin me të cilin pa dyshim do të krenoheni dikur. Lusim Allahun e Lartësuar që t`ju forcojë, t’ua lehtësojë dhe ta arrini qetësinë, rehatinë dhe suksesin në këtë botë dhe në botën tjetër. Amin!

Alaudin Abazi 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com