Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar me kritika të ashpra ndaj një kërkese të fundit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), përmes së cilës u kërkohet komunave të ndalojnë proceset e vlerësimit të pronës komunale për qëllime këmbimi gjatë periudhës zgjedhore.
Në një deklaratë, kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e cilësoi këtë kërkesë si “të papranueshme, arbitrare dhe të pabazuar në ndonjë dispozitë ligjore”. Sipas tij, një ndërhyrje e tillë përbën tejkalim të kompetencave të Ministrisë dhe përbën një pengesë serioze për zhvillimin komunal.
Ibrahimi theksoi se procesi i vlerësimit të pronës komunale është thjesht një hap teknik dhe përgatitor, që nuk përfshin vendimmarrje politike dhe, si i tillë, nuk duhet të bjerë nën kufizimet që imponohen gjatë periudhës zgjedhore.
“Ministria e Financave, , përmes kësaj ndërhyrjeje të paarsyeshme, po cenon drejtpërdrejt autonominë funksionale dhe kompetencat e garantuara ligjërisht të pushtetit lokal,” – deklaroi ai, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të sjellë pasoja të konsiderueshme në ecurinë e projekteve komunale.
Ai shtoi se ndalimi i këtyre proceseve administrative mund të krijojë barriera burokratike të panevojshme, që do të paralizojnë punën e komunave deri në mars të vitit 2026 – kohë kur pritet të përfundojë cikli zgjedhor dhe të rikthehet normaliteti institucional. Sipas tij, kjo situatë do të çonte në vonesa serioze në zbatimin e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimore që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
Asociacioni vlerëson se ky veprim i Ministrisë përbën një shkelje të parimeve të decentralizimit, të cilat janë thelbësore për një shtet funksional dhe demokratik. Më tej, AKK e sheh këtë si një praktikë të dëmshme që minon parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe i shton tensionet midis niveleve të qeverisjes.
Për këtë arsye, kryetari i AKK-së i bëri thirrje Ministrisë së Financave që të tërheqë menjëherë këtë udhëzim dhe të ndalojë çdo përpjekje për ndërhyrje në kompetencat komunale.
Ibrahimi kërkoi që MFPT të tërheqë menjëherë këtë udhëzim, të ndalojë çdo përpjekje për ndërhyrje në proceset komunale dhe të respektojë Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë vetëqeverisjen lokale.
Ai përfundoi duke nënvizuar se komunat janë në vijën e parë të shërbimit ndaj qytetarëve dhe nuk duhet të penalizohen për shkak të vendimeve të njëanshme nga institucionet qendrore, veçanërisht kur këto vendime rrezikojnë funksionalitetin dhe zhvillimin lokal në një periudhë kaq të ndjeshme.