Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Itali, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën në rrethana tragjike.

Viktima është Gëzim Iljazi, 59 vjeç, me origjinë nga Shqipëria, por me banim prej vitesh në provincën e Rovigos. Sipas mediave italiane, Iljazi ka ndërruar jetë pasi është rrëzuar nga një lartësi prej rreth 100 metrash në një zonë malore.

Aksidenti fatal ndodhi teksa ai po ngjitej i vetëm përgjatë një rruge afër ujëvarave të Stulles, në provincën e Bolzanos. Burri ishte duke eksploruar zonën kur ndodhi rrëzimi fatal.

Sipas dëshmive të dëshmitarëve okularë, fillimisht ata panë të binte çanta e tij, e më pas edhe vetë ai u rrëzua nga lartësia. Kjo ka ngjallur menjëherë alarm dhe ka sjellë në vendin e ngjarjes forca të shumta të shpëtimit.

Në operacionin për ndërhyrje morën pjesë njësitë e policisë, karabinierët, një helikopter dhe ekipet specializuara të shpëtimit malor. Pavarësisht përpjekjeve të shpejta për të arritur tek viktima, për Gëzim Iljazin nuk mund të bëhej më asgjë – ai kishte ndërruar jetë në vend si pasojë e lëndimeve të rënda nga rrëzimi.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal si dhe bashkatdhetarët e tij në Itali, të cilët e njihnin Iljazin si një njeri të qetë dhe punëtor. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version