Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën vuajnë nga çrregullime psikike, duke e bërë këtë problem shëndetësorin më të madh global. Kjo shifër përbën rreth 14% të popullsisë botërore dhe prek njerëz të të gjitha moshave, prejardhjeve dhe niveleve të të ardhurave.

Shumica e të prekurve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose mesatare, por pavarësisht urgjencës së situatës, sistemi shëndetësor global është i papërgatitur. Vetëm 2% e buxhetit të shëndetësisë përdoret për shëndetin mendor. Si rezultat, rreth 91% e njerëzve me çrregullime psikike nuk marrin trajtimin e duhur profesional.

 

Sëmundjet më të shpeshta dhe ndikimi i tyre

 

Depresioni dhe ankthi janë çrregullimet më të përhapura, duke zënë më shumë se dy të tretat e rasteve. Aktulisht, rreth 332 milionë njerëz jetojnë me depresion dhe rreth 359 milionë me ankth. Gratë preken më shpesh nga këto dy gjendje, ndërsa burrat shpesh vuajnë nga çrregullimet e hiperaktivitetit, autizmi dhe problemet e zhvillimit intelektual. Gratë e rritura gjithashtu preken dy herë më shumë se burrat nga çrregullimet e të ushqyerit.

Skizofrenia dhe çrregullimet bipolare janë më pak të zakonshme, por kanë pasoja veçanërisht të rënda. Rreth 23 milionë njerëz vuajnë nga skizofrenia, një gjendje që konsiderohet kufizimi shëndetësor më i fortë në fazën akute. Njerëzit me këtë diagnozë vdesin mesatarisht 9 vjet më herët se të tjerët.

Çrregullimi bipolar prek rreth 37 milionë njerëz, ose 1 në 150 të rritur. Ata që vuajnë nga kjo gjendje kanë një normë vdekshmërie edhe më të lartë se ata me skizofreni, duke vdekur mesatarisht 13 vjet më shpejt.

 

Problemet fillojnë që në moshë të re

 

Çrregullimet psikike shpesh nisin herët në jetë. Rreth 14% e të rinjve nën 19 vjeç dhe rreth 7% e fëmijëve nga 5 deri në 9 vjeç kanë një çrregullim mendor. Gjatë dekadës 2011-2021, numri i personave të prekur në grupmoshën 15-29 vjeç u rrit ndjeshëm.

Një tjetër fakt alarmant është se vetëvrasja është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve tek të rinjtë. Në mbarë botën, më shumë se 1 në 100 vetë kryejnë vetëvrasje.

 

Cilat janë shkaqet dhe pasojat ekonomike?

 

Shkaqet për këtë rritje janë të shumta, duke përfshirë konfliktet sociale, luftërat, dhunën, pabarazinë, varfërinë dhe pasojat e pandemisë. Përdorimi i rrjeteve sociale gjithashtu po ndikon gjithnjë e më shumë në shëndetin mendor.

Pasojat ekonomike janë të mëdha. Vetëm depresioni dhe ankthi i shkaktojnë ekonomisë globale humbje prej mbi 1 trilion dollarë në vit si pasojë e humbjes së produktivitetit.

OBSH-ja kërkon një ndryshim thelbësor politik dhe i bën thirrje qeverive të shëndetin mendor ta trajtojnë si një të drejtë të njeriut. Organizata thekson nevojën për më shumë investime dhe përkujdesje cilësore për të prekurit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version