Për herë të parë në Kosovë arriti grupi i parë i Vullnetarëve të Korpusit të Paqes së SHBA-ve, përkatësisht i 25 vullnetarëve amerikanë të cilët do të jenë të përkushtuar të shërbejnë si mësues të gjuhës angleze nëpër shkollat e mesme të Kosovës, për dy vite.
Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha se Korpusi i Paqes pasqyron shumë vlera të cilat gjenden në thelbin e jetës amerikane, përfshirë këtu edhe rëndësinë u vullnetarizmit dhe shërbimit për të tjerët.
Ndërsa, drejtori i Korpusit të Paqes për Kosovën, Stephen Kutzy, tha se hapja e një programi të ri të Korpusit të Paqes është një nder i vërtetë, madje pohoi se Vullnetarët janë këtu për t’u angazhuar me komunitetet e Kosovës në nivel lokal.
Korpusi i Paqes filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të presidentes Atifete Jahjaga, e cila formalisht nënshkroi një marrëveshje shtetërore me zyrtarë të Korpusit të Paqes në shtator të vitit 2013.
Ndryshe, në Korpusin e Paqes, që nga vitit 1961 kanë shërbyer më shumë se 215,000 amerikanë, në 140 shtete nikoqire. /Telegrafi/