Kryeministri i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetsk-ut (DNR), Alexander Zakharchenko, deklaroi se janë gjetur rreth 40 trupa të pajetë të civilëve në tri varre masive në Donetsk.
“Ne kemi gjetur një tjetër varrezë, numri i saktë i viktimave nuk dihet. Ata janë civilë, rebelë të kapur dhe ushtarë ukrainas”, tha Zakharchenko, transmeton Telegrafi.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tha se “policia ushtarake” e DNR-së ka informuar “Misionin e Monitorimit Special” (SMM) se kanë gjetur tri varre të paidentifikuara, dy në minierën e qymyrit, “Komunar”, 34 kilometra në veri-lindje të Donetskut, ndërsa një në brendi të fshatit.
Gjithashtu, misioni i OSBE-së ka gjetur në dy lokacione të ndryshme, përkatësisht rreth 50 metra larg njëra-tjetrës, dy trupa të pajetë, pranë kalbjes.
Përfaqësuesit e forcave proruse besojnë se civilët u vranë nga Garda Kombëtare e Ukrainës, pasi anëtarët e saj ishin të vendosura në këtë rajon gjatë prillit të këtij viti, ndërsa rebelët në këtë fshat kanë hyrë më 21 shtator. Por këto pohime të rebelëve, Kievi zyrtar i ka mohuar. /Telegrafi/