Trend i rritjes së sëmundjes epileptike

0

Në Kosovë rreth 20 mijë persona vuajnë nga epilepsia, thonë profesionistë shëndetësorë, derisa në botë vlerësohet se janë rreth 50 milionë njerëz me këtë sëmundje. 
 
Valbona Govori, neuropsikiatre, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo sëmundje paraqitet kryesisht te fëmijëria e hershme, derisa na flet edhe për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
 
“Me sëmundjen e epilepsisë, përpos Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikës së neurologjisë, merren edhe qendrat tjera të mjekësisë familjare. Epilepsia paraqitet në çdo kohë, shfaqja në moshën e fëmijërisë është më e shpeshta”, ka thënë Govori.
 
Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se trendi i sëmundjes së epilepsisë është në rritje.
 
Gani Halilaj, neuropsikiatër, njëherësh shef i divizionit të shëndetit mendor në Ministrinë e Shëndetësisë, jep hollësi të tjera:

“Epilepsia, është një sëmundje mjaft e shprehur. Sa i përket çështjes së furnizimit, Ministria e Shëndetësisë ka bërë furnizim stabil, sidomos me barnat anti-epileptike, ku kemi disa lloje me të cilat furnizohet QKUK – ja, e që janë të nevojshme për trajtimin e kësaj sëmundje. Është e vërtetë që është një rritje e trendi i sëmundjes së epilepsisë, e që është ndërlidhshmëri e shumë faktorëve, por lidhet edhe me problemet që janë të shprehura në popullatën e Kosovës, sidomos pas luftës”.
 
Ndërkaq, Govori flet edhe për kushtet, në të cilat trajtohen pacientët me epilepsi, në Klinikën neuropsikiatrike në Qendrën Klinikë Universitare.
 
“Kushtet në Klinikën e neurologjisë janë relativisht të mira, por ne e dimë që mjekësia ka metoda çdo ditë e më të sofistikuara. Mendoj se kemi rezultate të mira gjatë trajtimit të këtyre pacientëve. Sa i përket barnave, qëndrojmë mirë, por ka mungesa të kohëpaskohshme”, ka thënë Govori.
 
Shoqata kundër Epilepsisë e Kosovës nga viti 2011 është anëtare e Ligës Internacionale Evropiane kundër epilepsisë. 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com