Policja kosovare largohet nga puna vetëm se vendosi të bartë shami

0

Nga Shkëlzen Rrecaj

Diskriminimi fetar në Kosovë vazhdon të mbetet i përmasave shqetësuese, sidomos kur është fjala për femrat. Tashmë jemi mësuar të dëgjojmë për raste të shumta të largimit nga shkolla të vajzave për shkak të bartjes së shamisë aq sa këto nuk zgjojmë më interesimin e medias dhe të shoqërisë në përgjithësi. Rastet e largimit nga puna të femrave të cilat kanë zgjedhur një mënyrë jetese më ndryshe, atë të praktikimit të normave islame, kanë qenë më të rralla. Kjo mbase atyre nuk u është dhënë fare mundësia të fitojnë një vend pune në sektorin publik. Ato që në start pavarësisht CV-së që mund të kenë paraqitur kanë qenë të përjashtuara nga konkursi. Megjithatë, neve na zë syri që në sektorë të caktuar të shohim femra që bartin shaminë. Deri para disa ditësh këtë fat e kishte edhe Indira Mujaj.

Indira Mujaj ishte shkolluar për police dhe i takon gjeneratës së 31-të të PK-së. Prej 01.08.2005 ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjilanit. Më pas ajo transferohet në Mitrovicë 2008/2010, ndërsa prej shtatorit të vitit 2010 nga policja ka kaluar në staf civil. Aty ka shërbyer deri më 06.07.2015 kur ka vendosur të vëjë shaminë në kokë (mbulesën fislame). Nuk shkoi shumë kohë ajo u suspendua me arsyetimin se me shaminë e saj nuk e kishte respektuar kodin e veshjes së stafit civil.

Në vendimin e Komisionit të Brendshëm Disiplinor thuhet se e akuzuara Indira Mujaj ishte paraqitur në vendin e punës në Stacionin Policior Jugu në Mitrovicë me shami në kokë. “Veprimi i të akuzuarës bie në kundërshtim me Rregulloren e Qeverisë së Kosovës 04/2015, Parimet dhe Procedurat e Policisë së Kosovës. Parimi 4.10 si dhe Kodin e Etikës – Standardin e veshjes së stafit civil të punësuar në Policinë e Kosovës. Në bazë të këtyre e përmendura është suspenduar nga puna që shërbente si staf civil jo police me uniformë deri më datën 12.12.2015 ku me këtë datë asaj i është ndërprerë përfundimisht marrëdhënia e punës.”

I menjëhershëm ka qenë reagimi i palës së dëmtuar, znj. Mujaj. Ajo në ankesën e saj ka sqaruar se në asnjë moment nuk ka shkelur ligjin dhe argumentin e saj e ka mbështetur në rregulloren e QRK-së – nr. 04/2015 që flet për kodin e mirësjelljes në shërbimin civil të Republikës së Kosovës, nenin 22 – Veshja dhe paraqitja e nëpunësit civil.

Më tej, znj. Mujaj ka shpjeguar se ka shërbyer me përkushtim gjatë gjithë këtyre viteve sa ka qenë police po ashtu si staf civil duke treguar profesionalizëm, seriozitet dhe ndershmëri duke mbrojtur kështu imazhin e institucionit të PK-së dhe vendit të saj. Por pavarësisht agrumenteve të saj që ajo kishte paraqitur, ankesa iu refuzua. Tani rruga e saj mbetet procedimi i rastit të saj në organet e drejtësisë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është “rrush” me nene dhe paragrafe që garantojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të saj. Neni, 21, 24, 38 janë vetëm disa nga prej ligjeve të shumta që mbrojnë të drejtat e barabarta të qytetarëve të saj, pa dallim. Përkundrazi, as edhe në një paragraf të vetëm nuk mund të hasësh që ndalon shprehjen dhe manifestimin e bindjeve fetare, politike, ideologjike, etj.

Por, Kushtetuta e Kosovës u ka dhënë hapësirë edhe atyre të cilëve nuk ju pëlqen që dikush ta shfaq në publik besimin e tij/saj, duke ua mundësuar të bëjnë udhëzime administrative për t’i privuar nga e drejta e tyre për shkollim, punë, etj.

Në këtë vend që gjithçka është e mjegulluar, në vitin 2015 u nxor një rregullore nga QRK, nr. 04/2015 që sqaron kodin e mirësjelljes për shërbyesit civil të Republikës së Kosovës, ku në nenin 22 – Veshja dhe paraqitja e nëpunësit civil, në pikën 1 qëndron: Veshja dhe paraqitja e nëpunësit civil duhet të jenë serioze, për ta përfaqësuar sa më denjësisht institucionin në pajtim me legjislacionin në fuqi. Në vend që të jepte përgjigje përfundimtare për bartjen e veshjes fetare, kjo rregullore la të hapur arenën e interpretimeve sipas prirjeve dhe qejfeve të drejtuesve të institucioneve përkatëse publike. Ajo nuk specifikon se si të shkohet në punë, por mjafton që të jesh e veshur e jo e zhveshur. A nuk na qenka veshja islame serioze apo edhe këtu ka vend për debat?! Cila është atëherë?

Edhe një gjë, largimi i znj. Mujaj nga puna për shkak të veshjes fetare koincidoi me një deklaratë shpresëdhënëse të njërit prej pushtetarëve tanë, i cili gjatë vizitës që i bëri medresës, qe pyetur nga një nxënëse me shami se a do të jepej mundësia që pas shkollimit të saj të gjente një punë në institucionet e vendit.

Ai ishte përgjigjur me gojën plot se në institucionet e shtetit tonë do të ketë vend edhe për vajzat si ju do të thotë me shami. Se a do të ngelet edhe kjo deklaratë në kuadrin e ‘rregullit’ fjalë të mëdha, e punë aspak mbetet të shihet. Rasti i znj. Mujaj deri tani dëshmon tërësisht të kundërtën./tesheshi.com/

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com