Shkrimtari i famshëm izraelit, Amos Oz, tha se për krimet nga urrejtja, kundër arabëve dhe të krishterëve, janë përgjegjës “neonazistët hebrenj”, raporton Haaretz.
Duke folur në Tel Aviv, në manifestimin e ditëlindjes së tij të 75, Oz ka thënë se termi si “rinia malore” – që është term për nacionalistët e rinj në Izrael – “është emër i bukur për bishat që duhet t’i thërrasim me emrat e vërtet: nazistët hebrenj”.
Oz shtoi se i vetmi ndryshim midis neonazistëve në tërë botën dhe kryesve të krimeve të urrejtjes në Izrael është se “neonazistët tanë gëzojnë mbështetjen e shumë deputetëve nacionalistë, deputetëve racistë, si dhe rabinëve që u japin, siç shoh unë, justifikimin pseudofetare” .
Ish-kryetari i Knessetit (Kuvendit) të Izraelit dhe kandidati presidencial Reuven Rivlin – i cili gjithashtu mori pjesë në kremtim – tha se një krahasim i tillë është i papërshtatshëm, raporton radioja e Ushtrisë izraelite, transmeton Telegrafi.
Të premten në mëngjes është zbuluar grafiti anti-krishterë në një mur pranë kishës romake në Jerusalem, që është i fundit nga seria e incidenteve në gjithë Izraelin.
Policia izraelite ka frikë se ekstremistët e krahut të djathtë mund të shfrytëzojnë ardhjen e Papa Françeskut në Tokën e Shenjtë, më 24 maj, për të krye krime të urrejtjes që qëllim kanë tërheqjen e vëmendjes së mediave. /TG