Bizneset ndërkombëtare dhe të rajonit, nuk duhet ta shohin Kosovën vetëm si treg por edhe si potencial prodhues, pasi që Kosova ka një të ardhme të ndritur jo vetëm si konsumues i prodhimeve por edhe si prodhues.
Kështu u tha në hapjen Panairit ndërkombëtarë të ndërtimit, energjisë, minierave, teknologjisë, “EXPOKOS”, të organizuar nga Congress & Event organization (CEO).
Sipas organizatorëve, ky panair ka për qëllim krijimin e një klime të bashkëpunimit mes bizneseve kosovare me ato të rajonit dhe ndërkombëtare.
E drejtori i CEO-së, Bekim Xhafa, tha se në këtë panair është rritur pjesëmarrja e kompanive të Maqedonisë dhe të Greqisë, si dhe për herë të parë prezent është edhe Turqia.
E vet bizneset, këto lloj panaire po i vlerësojnë si një mundësi e mirë për promovimin e kompanive të tyre.
I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ishte vizitorë i këtij panairi, tha se komunat, por edhe Qeveria, duhet t`i forcojnë dhe ti përkrahin këto panaire, sepse sipas tij, ato mundësojnë bashkëpunimin mes kompanive edhe nga shtetet e ndryshme të botës.
“Në çoftë se është një mesazh që dua të dërgojë sot jo vetëm kompanive vendore por edhe atyre ndërkombëtare është që Kosovën mos ta shohin vetëm si treg por edhe si potencial prodhues. Ne e kemi një energji të jashtëzakonshme”, tha Ahmeti.
Ndërsa, Kroacia, si pjesëmarrëse e rregullt, këtë vit merr pjesë me 7 kompani.
Ambasadori i këtij shteti në Kosovë, Zoran Vodopija, tha se kryeqytetet e këto dy shteteve, kanë një të ardhme premtuese për bashkëpunim.
“Ne kemi një të ardhme premtuese për bashkëpunim në mes të kryeqyteteve të Kosovës dhe atij të Kroacisë dhe shpresoj që ai bashkëpunim do të ndryshojë sado pak imazhin e Prishtinës, sa i përket energjisë, ujësjellësit , infrastrukturën dhe çdo gjë tjetër”, tha ai. /Telegrafi/