Një nënë ka denoncuar djalin e saj në qytetin e Shkodrës, pasi ky i fundit ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike mbi të.
Sipas burimeve të policisë, 65-vjeçarja Cile Thaqaj, banuese në Laç të Vaut të Dejës, është paraqitur në polici rreth orës 10:00 të ditës së djeshme dhe ka bërë kallëzim për të birin 35-vjeçar, Marjan Thaqaj.
“Kjo nuk është hera e parë që im bir ushtron dhunë tek unë. Ka ndodhur edhe herë të tjera, por nuk e kam denoncuar, pasi më vinte turp. Isha në shtëpi, kur djali im nisi të më godasë, duke më lënë edhe shenja dhune në trup e fytyrë. Unë u mundova ta ndal, por nuk kisha fuqi”, ka thënë 65- vjeçarja.
Ndërkohë policia ka marrë në pyetje, 35-vjeçarin, i cili ka shfaqur shenja pendese madje ka luajtur rolin e të papërgjegjshmit.
Mësohet se djali konsumonte pije alkoolike dhe ashtu në gjendje të dehur, ushtronte dhunë ndaj së ëmës.
Për këtë, policia ka kërkuar që agresorit t’i bëhen ekzaminimet mjekësore dhe ato psikike.
Materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Shkodrës, për akuzën “Dhunë në familje”. /shekulli/