DITURIA QË NA DUHET
Rëndësia dhe vlera e diturisë
Allahu e veçoi njeriun me logjikë dhe arsye:
Zoti i Madhërishëm është krijuesi i njeriut dhe i çdo gjallese tjetër në këtë ekzistencë që na rrethon. Ishte urtësi e Krijuesit që disa krijesa të jenë më të përsosura dhe më të përkryera ndaj disa të tjerave. Ai në një ajet Kuranor thotë:
وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ
“Zoti yt krijon çfarë do që dëshiron dhe Ai zgjedh”, (Kasas, 68)
Pra, zgjedh nga krijesat e tij dhe kë do e bën më të përsosur dhe më të përkryer. Në këtë kontekst njeriu është qenia e zgjedhur nga Allahu i Lartësuar e cila dallon me cilësi dhe veti të përsosura ndaj të gjitha krijesave tjera në këtë botë. Vetia më dalluese dhe më e veçantë e njeriut me të cilën shquhet nga krijesat tjera është mendja dhe logjika ose arsyeja. Vërtet forma se si vepron mendja e njeriut, aftësia e tij për të përfituar njohuri (dituri) dhe më pastaj zotësia për ta përdorur këtë dije në shërbim të tij, e bënë njeriun të jetë më superior ndaj të gjitha krijesave të Allahut.
Zoti i Madhërishëm në suren Isra thotë:
وَفَضَّلْنَاهُمْ عَلَى كَثِيرٍ مِّمَّنْ خَلَقْنَا تَفْضِيلاً
“…dhe Ne i vlerësuam ata (njerëzit) ndaj shumicës së atyre që Ne i krijuam” (Isra, 70)
Allahu ia mësoi Ademit emrat e gjërave:
Në kaptinën “Bekare” tregohet se Zoti i Madhërishëm para se ta krijonte njeriun e parë, Ademin alejhi selam, bëri një bisedë me melaqet, engjëjt e Tij. Allahu i Madhërishëm u tregoi atyre se do të krijonte një krijesë, fjala ishte për njeriun, i cili do të jetë mëkëmbës i Tij në Tokë. Engjëjt jo se kundërshtuan vendimin e Zotit por pyetën pse do të krijonte një krijesë të tillë sikurse që është njeriu, i cili do të derdh gjak dhe do të bëj çrregullime në Tokë. Atëherë Allahu u përgjigj atyre se Ai di atë që engjëjt nuk dinë.
Më pas në vazhdim të ajeteve Zoti i Madhërishëm tregon se si kur e krijoi Ademin alejhi selam, njeriun e parë, atij Allahu i dha dituri, i mësoi disa gjëra për të cilat nuk kishin njohuri melaqet. Zoti i Madhërishëm i vuri në provë engjëjt, i pyeti ato, por engjëjt nuk ditën të përgjigjen, ndërsa kur e pyeti Ademin alejhi selam, ai u përgjigj nga dituria që e kishte mësuar Zoti i Madhërishëm. Këtu melaqet kuptuan aftësitë e njeriut me të cilat Zoti i Madhërishëm e krijoi atë që të udhëheqë Tokën, prandaj edhe e nderuan me urdhërin e Zotit, duke i bërë sexhde. Pra melaqet i bënë sexhde njeriut (e nderuan) jo për shkak të mënyrës se si u krijua, as për shkak të përbërjes materiale të tij e as për shkak të dukjes fizike që ka, por ai u nderua nga melaqet pikërisht për shkak të diturisë të cilën ia mësoi Zoti dhe e bëri të aftë atë që me anë të aftësisë së dijës ta udhëheqë këtë botë.
Vlera e diturisë në Islam
Ekzistojnë me dhjetëra citate nga libri i Allahut (Kurani), të cilat flasin për vlerën dhe rëndësinë e diturisë, pastaj gjithashtu kemi me dhjetëra syresh edhe nga fjalët e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.
Këto citate nga Kurani dhe Hadithet e Profetit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i keni dëgjuar në shumë ligjërata të ndryshme nga hoxhallarë e juaj, prandaj ne nuk do të ndalemi në përcjelljen e tyre, por porosia që mund të nënkuptohet nga pothuajse të gjitha ato citatet kuranore dhe hadithe profetike mund të përmblidhet se dituria në Islam është adhurim-ibadet.
Përcillet nga disa dijetare të kenë thënë: “Dituria është lutje e fshehte dhe adhurim i zemrës”.
Madje dituria është njëra nga adhurimet më të vlefshme që e kryen njeriu, pasi që është një domosdoshmëri që barazohet me domosdoshmëritë tjera esenciale pa të cilat nuk mund të jetoj njeriu.
Ibën Kajimi me një rast thotë: “Nevoja e zemrës për dituri nuk është sikurse nevoja e frymëmarrjes, por është edhe më e madhe se kjo… Vlera e diturisë në zemër është sikurse vlera e dritës në sy, ose vlera e të dëgjuarit për veshin, ose vlera e të folurit për gjuhën. Pra nëse i mungon zemrës dituria, atëherë ajo është sikurse syri i verbër, veshi i shurdhër dhe gjuha e memecit. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar i quan të paditurit (injorantët) se janë të verbër, të shurdhër dhe memec. Për shkak se kjo është veti e zemrave të tyre që e kanë humbur diturinë e dobishme dhe për këtë mbeten të verbër, të shurdhër dhe memecë”.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, aludon në ajetet në të cilat Allahu i Lartësuar i krahason jobesimtarët të cilët nuk logjikojnë dhe janë të padijshëm me të shurdhrit, memecët dhe të verbëritë, Allahu i Madhëruar thotë:
صُمٌّ بُكْمٌ عُمْيٌ فَهُمْ لاَ يَعْقِلُونَ
“Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, ata nuk kuptojnë”. Bekare, 171
Dituria shoqëruesi më i mirë i njeriut:
Vërtet dituria është shoqëruesi më i këndshëm, më i dobishëm, më besnik dhe më i përpiktë i njeriut. Është më se e njohur thënia e urtë se nuk ka shok muhabetqar më të mirë se libri. Një dijetarë ka thënë: “Dituria është kompensim nga çdo kënaqësi tjetër dhe ajo të bën të mjaftohesh nga çdo epsh”. Ndërsa Imam Shafiu ka thënë:“Kush e dëshiron këtë botë le të kërkojë diturinë, kush e dëshiron botën tjetër le të kërkojë diturinë, kush i dëshiron të dyja prapë le të kërkojë diturinë”.
Vlera e diturisë përballë pasurisë
Enes Ibën Maliku transmeton se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Dy lloje të njerëzve nuk ngopen kurrë; kërkuesi i diturisë dhe kërkuesi i pasurisë.” Hadithin e shënon Hakimi dhe e cilëson të saktë, gjithashtu edhe Dhehebiu e cilëson të saktë.
Ibën Kajjim el-Xheuzije në librin: “Vlera e dijes dhe dijetarëve”, përmend dhjetë pika rreth vlerës së diturisë përballë pasurisë:
1. Dituria është trashëgimia që kanë lënë profetët, ndërsa pasuria është trashëgimi e mbretërve dhe e pasanikëve.
2. Dituria e ruan të zotin e saj, kurse poseduesi i pasurisë duhet ta ruaj pasurinë.
3. Pasuria shterohet nga shpenzimet, ndërsa dituria shtohet sa herë që e jep.
4. Pasaniku kur vdes ndahet nga pasuria e tij, kurse dituria hyn bashkë me dijetarin në varr.
5. Dituria është ajo që gjykon mbi pasurinë, ndërsa pasuria nuk e gjykon dot dijen.
6. Pasurinë mund ta fitojë besimtari dhe jobesimtari, i miri dhe i ligu, kurse dijen e dobishme nuk e arrin vetëm se besimtari.
7. Për dijetarin kanë nevojë mbretërit dhe të gjithë njerëzit poshtë tij, ndërsa për pasanikun kanë nevojë vetëm fukarenjtë dhe nevojtarët.
8. Vetja nderohet dhe pastrohet kur arrin dituri e kjo ndodhë nga përsosmëria e dijes, kurse pasuria nuk e pastron e as që e përsos vetveten. Po ashtu nuk mund t’i shtoj asaj atribute të plota. Madje, vetvetja bëhet e mangët dhe kurnace kur mbledhë pasurinë dhe e lakmon atë. Kur vetvetja e lakmon diturinë, ajo do të plotësohet e përsoset, në të kundërtën, nëse lakmon pasurinë, ajo do të mangësohet.
9. Pasuria e fton vetveten drejt tiranisë, mburrjes dhe mendjemadhësisë, kurse dituria e fton atë drejt thjeshtësisë dhe kuptimit të robërisë ndaj Krijuesit. Kështu pra pasuria të fton për te cilësitë e mbretërve, ndërsa dija të fton për te cilësitë e robërve (të Allahut).
10. Dituria të tërheq dhe të shpie në lumturinë për të cilën është krijuar vetvetja, kurse pasuria është një pengesë mes vetës dhe lumturisë (së vërtetë).
Vlera e dijetarëve:
Vërtet njerëzit në këtë botë nuk janë të njëjtë, dallojnë në mes vete, dikush është më i pasur dikush më i varfër, dikush është më i ngritur me pozitë,se të tjerët dhe kështu me radhë. Në shoqëri është edhe një kategori e njerëzve që dallon nga njerëzit e thjeshtë dhe ata janë të dijshmit dhe dijetarët.
Nga vështrimi Islam njerëzit më të veçantë,më të dalluar dhe më të ngritur, janë dijetarët.
Dituria është trashëgimia e Profetëve ashtu si vërtetohen në një thënie të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të:
“…Vërtetë dijetarët janë trashëgimtar të pejgamberëve ; pejgamberët nuk
kanë lënë trashëgimi dinarë e dërhemë, ata vërtet kanë lënë për trashëgimi
dijen , prandaj kush e merr, ai ka marrë pasuri të vlefshme dhe ai do të shpëtojë”.
Po të ishte pasuria, peshoja me të cilin maten njerëzit ose vlerësohen, atëherë profetët do të ishin më të pasurit dhe më të merituarit të posedojnë pasuri, pasi ata ishin të zgjedhurit e Allahut të Lartësuar. Por, jo dituria është peshoj me të cilën vlerësohet njeriu dhe me anë të diturisë njeriu e realizon si duhet qëllimin se pse është krijuar dhe jeton në këtë botë.
- Llojet e diturisë Islame
Ndarja e diturisë:
Dituria Islame ndahet në tre lloje:
- Dituri farz (e domosdoshme): Kemi si qëllim atë dituri me të cilën besimtari mëson gjërat esenciale të fesë së tij, pa të cilat nuk bëhet, si mësimi i bazave të Imanit, Islamit etj., ku me këtë lloj diturie detyrohet ta mësojë çdo musliman i moshës madhore.
- Dituri farz kifaje: Dituri e patjetërsueshme për muslimanët që ta mësojnë, nëpërmjet së cilës ata zbatojnë e jetësojnë fenë e tyre në jetën e përditshme, por kjo dituri nuk është e detyrueshme ta mësojnë të gjithë muslimanët. Kështu, nëse një grup prej tyre e marrin përsipër dhe e mësojnë, atëherë detyrimi bie nga të tjerët.
- Dituri mustehab (e preferuar): Çdo dituri islame që është më pak e rëndësishme se dy llojet e para, konsiderohet dituri e preferuar që ta mësojmë dhe ta njohim.
Dituria dhe mosha e njeriut:
Ndarja dhe klasifikimi i njohurive në lloje na jep të kuptojmë se jo të gjitha dituritë janë të një rëndësie që të mësohen dhe të kërkohen. Pastaj, gjithashtu dihet se dituritë e njohuritë janë të shumta dhe të gjitha ato, nuk mund t’i përvetësojë një njeri i vetëm. Për këtë kanë thënë në të kaluarën, se njeriu sa më shumë që kërkon dituri, aq më shumë kupton se sa pak di. Përderisa dituria është shumë e madhe, ndërsa jeta e njeriut shumë e shkurtër, atëherë mos e angazho veten me atë dituri, që është më pak e rëndësishme, ose aspak e rëndësishme, duke e neglizhuar të rëndësishmen. Kështu t’i e fut jetën në diçka që nuk është e nevojshme ta dish dhe humb mundësinë të fitosh atë dituri për të cilën do të kesh nevojë.
- Etika e kërkuesit të diturisë
Nxënësi i dijes ndërmerr një rrugë mjaft të gjatë dhe atij gjatë këtij udhëtimi i kërkohet që të pajiset me nozullime dhe zahire për të cilat ai do të ketë nevojë, prandaj nga gjërat më të rëndësishme që ai duhet të ketë parasysh janë:
1) Sinqeriteti dhe pastrimi i qëllimit:
Më lart kemi sqaruar se kërkimi i diturisë është ibadet (adhurim) dhe për të qenë adhurimi i pranuar tek Allahu i Lartësuar, duhet që të bëhet vetëm për hir të Tij dhe të mos shoqërohet me ndonjë interes tjetër në këtë drejtim. Allahu i Lartësuar thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë.”[4]
Në një hadith shumë të njohur na përcillet, se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimit….”.
Kurse rreth atij që kërkon dituri islame për ndonjë qëllim tjetër i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Kush mëson ndonjë dituri nga dituritë që me të realizohet afrimi tek Allahut (dituritë islame), kurse ai e mëson vetëm për të arritur me atë dituri ndonjë qëllim të kësaj bote, ai Ditën e Gjykimit, nuk do ta gjejë as erën e Xhenetit”. Mjafton vetëm ky hadith për të kuptuar se sa qenësore është pastrimi i nijetit për nxënësin e dijeve islame.
2) Largimi i paditurisë nga vetja dhe nga të tjerët:
Nxënësi i dijes duhet të ketë si qëllim me mësimin e tij largimin e injorancës nga vetja dhe nga të tjerët, meqë njeriu në esencë është i padijshëm dhe nxënësi i dijes mëson për ta larguar paditurinë dhe për t’u ngritur, Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.[6]”.
Pastaj me ngritjen e paditurisë njeriu arrin ta njohë drejt madhërinë e Krijuesit të tij, Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm të dijshmit, Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe Falës.[7]”
3) Mbrojtja e fesë:
Kërkuesi i dijes duhet ta ketë parasysh rolin e mbrojtjes dhe ruajtjes së fesë, pasi librat në vetvete pa u mësuar e pa u studiuar nuk mund ta mbrojnë fenë dhe fenë e ruan dhe mbron vetëm bartësi i saj. Krahasimi më i mirë në mes librit dhe kërkuesit të dijes do të ishte si arma me ushtarin. Ashtu si arma nuk mund të ketë efekt pa e përdorur ushtari, ashtu edhe libri nuk ka efekt pa nxënësin e tij. Prandaj myslimanët janë të nevojshëm më shumë se kurrë për njerëz të cilët e mësojnë fenë nga burimi dhe u dalin në mbrojtje atyre kur sulmohen nga armiqtë e pamëshirshëm.
4) Frika ndaj Allahut, më të Lartit
Nxënësi i dijes zbukurohet duke e plotësuar veten me frikë ndaj Allahut, më të Lartit, meqë kjo është baza kryesore e fesë, ashtu si thotë Imam Ahmedi: “Baza e fesë është frika ndaj Allahut, më të Lartit”. Angazhimi me frikë ndaj Allahut duhet të jetë në të gjitha aspektet, si ato të jashtmet dhe të brendshmet. Dijetari nuk mund të konsiderohet dijetar i mirëfilltë, përderisa nuk vepron me dijen e tij dhe asnjë dijetar nuk e zbaton diturinë e tij përderisa të mos e ketë parasysh frikën ndaj Allahut të Lartësuar.
5) Pasimi i rrugës së të parëve
Kërkuesi i diturisë duhet ta pasojë rrugën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, duke praktikuar sunetin e tij gjatë marrjes së dijes. Pastaj nga ai kërkohet që ta kuptojë se gjenerata më e denjë për t’u pasuar pas Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, janë shokët e tij. Kështu që nxënësi i dijes nuk mund të futet në dituritë e shpikura, të cilat fatkeqësisht i atribuohen Islamit, por në fakt janë dituri që e devijojnë atë që është përcjellë nga Pejgamberi ynë, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të dhe sahabët e tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.
Pra, marrësi i dijes duhet të jetë pasues i Ehli Sunetit dhe Xhematit dhe u largohet diturive të devijuara, që janë shpikur më vonë nga grupacionet, të cilat u larguan nga rruga e saktë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera, që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat”.
6) Mbikëqyrja e Allahut të Gjithëdijshëm
Kërkuesi i dijes epajis veten me përkujtimin, se Allahu është në mbikëqyrje të tij gjithmonë dhe kudo që të jetë, haptas dhe në fshehtësi. Ai vazhdon rrugëtimin e dijes në mes të frikës dhe shpresës, sepse këto për muslimanin janë njësoj si krahët për zogun.
7) Zemërgjerësia në çështjet e diskutueshme:
Në gjërat për të cilat ka mendime të ndryshme dhe lejohet mospajtimi, ai duhet të jetë zemërgjerë dhe të ketë mirëkuptim. Ndërsa në meseletë në të cilat nuk lejohet mospajtimi e ixhtihadi, ai duhet të jetë i prerë, por gjithmonë duke pasur parasysh arsyetimin e dijetarëve, të cilët kanë rënë në mospajtime të tilla.
8) Stolisja e nxënësit të dijes me ndershmëri dhe moral
Morali dhe ndershmëria duhet të jenë shenjat dalluese me të cilat njihet nxënësi i dijes. Sjelljet e mira, fytyra e gëzuar, dhënia e selamit, vetëpërmbajtja, urrejtja e mendjemadhësisë dhe e arrogancës, respektimi i të tjerëve, largimi nga tirania e përbuzja e të tjerëve, fisnikëria etj., duhet të jenë elementet kryesore të moralit të kërkuesit të dijes.
9) Largimi i tubimeve dhe bisedave të kota:
Marrësi i dijes nuk qëndron nëpër tubime dhe ndeja të cilat janë të padobishme e për më tepër nëpër ato vende ku njerëzit bëjnë gibet (përgojojnë), përqeshin të tjerët dhe i tejkalojnë kufijtë e Allahut.
10) Largimi i trazirave:
Kërkuesi i dijes e mbron veten nga përfshirja nëpër trazira të panevojshme dhe të zhurmshme. Me të vërtetë gabimi qëndron pas tërbimit dhe kjo e kundërshton etikën e kërkimit të diturisë. Me fjalë të tjera, pjesëmarrja në fitne, mosmarrëveshje dhe situata të tensionuara ku ngrihen zërat, ndodhin përbuzje, madje edhe ofendime e sharje e bëjnë kërkuesin e dijes ta përuli veten dhe rrugën të cilën ai ka marrë.
11) Të pajisurit me urtësi dhe mendjemprehtësi:
Me urti ose urtësi kemi si qëllim që nxënësi i dijes të jetë edukator i të tjerëve, kështu që ai t’i flasë çdo njeriu varësisht sipas rrethanave të tij dhe me atë që ai e pranon dhe pajtohet. Njeri i urtë është ai person që di t`ia gjejë vendin e duhur çdo gjëje. Urtësia është një veçori, e cila mund të përfitohet dhe të përsoset vazhdimisht te njeriu. Nëse çdonjëri ka nevojë për urtësi dhe mendjemprehtësi, atëherë nevoja për nxënësin e dijes është më e madhe. Prandaj ai duhet t’i lutet vazhdimisht Allahut të Madhëruar, që ta furnizojë me urtësi në çdo punë dhe vepër. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ai ia jep urtësinë kujt të dojë. Kujtdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur.[8]”
Përgatiti: Alaudin Abazi