A lejohet përdorimi i uthullës prej alkooli?

1

Pyetja:

Desha ta di se a lejohet përdorimi i uthullës prej alkooli, pastaj a lejohen të hahen ushqimet që kanë përmbajtje të uthullës alkoolike.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht sa i përket përdorimit të alkoolit në ushqim, pa dyshim është e ndaluar dhe nuk lejohet të konsumohen ushqimet që përmbajnë sasi alkooli pa marrë parasysh çfarë mase. Ndërsa në lidhje me përdorimin e uthullës nga alkooli, themi se në këtë përgjigje do të flasim për dy gjëra:
1. Përdorimi i uthullës me prejardhje alkoolike në ushqim.
2. A lejohet që besimtari ta shndërrojë vetë alkoolin në uthull.

1. Uthulla që ka prejardhjen nga alkooli është tjetër nga alkooli që deh. Me një fjalë duhet bërë dallim ndërmjet alkoolit dhe uthullës e cila ka prejardhjen prej alkoolit.

Në librat e fikhut ulematë tanë të nderuar shumë shtruar e qartësojnë këtë problematikë sikurse Iben Tejmije në fetvatë e tij, Ibën Kajimi në librin e tij (Ilam mukein), pastaj Ibën Humam el Hanefi dhe Ibën Abidin Hanefi në librat e tyre e të tjerë, të cilët bëjnë dallim ndërmjet alkoolit dhe uthullës që ka prejardhjen nga alkooli.
Duhet ditur se arsyeja e ndalimit të alkoolit është dehja dhe derisa lëngu e ka në vete këtë veti, atëherë ajo është e ndaluar të konsumohet në ushqim pa marrë parasysh formën e saj. Në anën tjetër, kur alkooli shndërrohet në uthull, atëherë ai e humb vetinë e dehjes dhe llogaritet e lejuar dhe faktikisht në gjuhën e sheriatit ai më nuk quhet alkool-Hamër الخمر (pasi me këtë term në sheriat emërtohet çdo lëng që në vetvete ka veti dehëse), por quhet el-Hal الخل

Procesi i shndërrimi të alkoolit në uthull në arabisht quhet el istihale, ndërrim i vetive të një lëngu (pra e ndërron strukturën e përmbajtjes kimike në tërësi).
Edhe në kimi alkooli i cili me vonë shndërrohet në uthull nuk ka të njëjtën përmbajtje, për këtë edhe atij i ndryshon formula. Prandaj duhet ta kemi parasysh se uthulla e cila ka origjinën nga alkooli nuk konsiderohet e ndaluar (haram) të përdoret në ushqim pa marrë parasysh në çfarë forme serviret ajo. Në këtë ka pajtim te të gjithë juristët islamë.
2. Por ajo që konsiderohet e ndaluar është problematika se a lejohet besimtari ta marrë alkoolin dhe ta shndërrojë vetë në uthull. Do të thotë p.sh. nëse posedojmë alkool (kuptohet se është e ndaluar përdorimi pa marrë parasysh për çfarë), por a lejohet ta marrim dhe t`ia hapim kapakun dhe ta mbajmë një kohë ashtu derisa të shndërrohet në uthull.

Ky proces është i ndaluar për besimtarin dhe ai nuk lejohet ta bëjë këtë. Ekzistojnë disa hadithe që e vërtetojnë këtë ndalesë, sikurse a që shënon Imam Ahmedi në musnedin e tij (hadith i saktë) se Ebu Talha vjen te Resulullahu, salallahu alejhi ue selem duke mbajtur për gjoksi një jetim (fëmijë), i cili kishte trashëguar alkool nga prindërit që i kishin vdekur. Pasi alkooli ishte ndaluar, Ebu Talha e pyet të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, se a lejohet t`ia shndërrojë alkoolin në uthull, kështu që ai jetimi të ketë dobi nga uthulla. Por Muhamedi salallahu alejhi ue selem ia ndalojë ta bëjë atë proces. Dhe Ebu Talha aty e derdhi alkoolin, para Resulullahut salallahu alejhi ue selem.

Pra, Ebu Talha e dinte se uthulla është e lejuar dhe kërkoi nga Muhamedi, salallahu alejhi ue selem që t`ia lejojë shndërrimin e alkoolit në uthull, që të ketë dobi jetimi, por ai nuk ia lejojë për të mos u bërë shkas që muslimani ta fusë alkoolin në shtëpi apo ta mbajë atë. Dhe kjo ndalesë është nga baza që quhet “sedu dherai” (që një çështje të ndalohet për arsye të rrethanave që mund të dërgojnë në një ndalesë (haram) edhe më të madh).
Për të mos u zgjeruar më shumë themi se që muslimani ta marrë alkoolin dhe ta shndërrojë atë në uthull është e ndaluar dhe nuk lejohet, pasi me këtë hapet rruga dhe futja e alkoolit në shtëpitë e muslimanëve, por nëse gjen uthull qoftë për të blerë apo në ushqime e që ajo uthull ka origjinën nga alkooli, atëherë i lejohet ta përdorë dhe në këtë nuk ka ndalesë. Dhe ky është qëndrimi i ulemave dhe pëe këtë aludojnë shumë argumente. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi 

Share.

About Author

1 Comment

  1. Es selamu alejkum.

    E lexova me kujdes artikullin / fetvanë lidhur me uthullën / alkoolin.
    Ju falenderoj për fetvanë këshilluese,
    All llahu xh.sh. Ju shpërbleftë.

    Lidhur me këtë, e për t i këshilluar më tutrje konsumatorët e besimit islam në Kosovë, bazuar në përvojat që i kemi në tregun e prodhimeve, mallrave e shërbimeve, dua t Ju pyes: A lejohet konsumimi ose përdorimi gjatë procesimit të ushqimeve të uthullës me sasi të caktuar alkooli ? Nëse po, cila sasi e alkoolit lejohet të jetë në uthull ?

    All llahu xh.sh. Ju shpërbleftë për angazhimin dhe fetvanë.

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com