A i kalon koha namazit të jacisë pas gjysmës së natës?

0

Pyetja:

Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Pata një pyetje. A i kalon koha namazit të jacisë pas gjysmës së natës?
Edhe kur në fakt duhet llogaritur gjysma e natës, prej akshamit deri në lindjen e diellit apo deri në imsak?
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Mendimi i katër medhhebeve është se koha e jacisë shtyhet deri në hyrjen e kohës së sabahut. Fukahatë të cilët e trajtojnë këtë çështje shprehen se ky është mendim i përzgjedhur nga imamët: Ebu Hanifeja, Maliku, Shafiu dhe Ahmedi, Allahu i mëshiroftë të gjithë, edhe pse prej disa nga këta imamë transmetohen edhe mendimet se koha e fundit e jacisë është gjysma e natës apo një e treta e parë e natës.
Ky qëndrim mbështetet në atë që shënon Muslimi në koleksionin e tij, se i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Në gjumë nuk ka pakujdesi, por pakujdesia është kur njeriu nuk e fal namazin derisa të vijë koha e namazit tjetër. Prandaj kujt i ndodh kjo, atëherë le ta falë namazin në momentin që e kujton atë.”
Nga hadithi nxjerrim se koha e namazit përfundon me hyrjen e kohës tjetër; në këtë rast koha e jacisë përfundon me hyrjen e kohës së sabahut. Mirëpo duke u nisur nga hadithet që flasin për kohët e namazeve, disa nga fukahatë kanë urryer që të vonohet namazi i jacisë pas gjysmës së natës pa arsye, madje disa të tjerë janë më rigorozë në këtë dhe kanë thënë se me gjysmën e natës përfundon koha e jacisë.
Ata nisen nga hadithi i Abdullah ibën Amrit, i cili thotë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “… dhe koha e namazit të jacisë është deri në gjysmën e natës.” Shënon Muslimi.
Gjithashtu edhe hadithi i Xhibrilit, në të cilin tregohet se ai i erdhi Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dy ditë rresht; në ditën e parë i tha që t’i falë namazet në fillim të kohës së tyre dhe në ditën e dytë t’i falë ato në fund të kohës. Në hadith vërtetohet se kur erdhi koha e jacisë, Xhibrili i tha Muhamedit salallahu alejhi ue selem: “Ngrihu dhe falu.” Ai e fali jacinë kur u largua muzgu (gjysmerrësira pas perëndimit të diellit). Në ditën e dytë atij i erdhi Xhibrili kur kaloi gjysma e natës dhe i tha ta falë atëherë jacinë. Në fund të hadithit, Xhibrili i thotë: “Në mes të këtyre dy faljeve është koha e namazit.” Shënon Ahmedi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
Sido që të jetë, e drejta do të ishte që të punohet me të gjitha këto hadithe, duke mos shfuqizuar asnjërin prej tyre, prandaj mendimi i atyre fukahave, se për shkaqe të arsyeshme koha e jacisë mund të shtyhet deri në fund të natës, është më i drejtë. Por në raste të zakonshme, kur nuk kemi arsye, nuk lejohet ta vonojmë jacinë deri pas gjysmës së natës.
Kurse sa i përket llogaritjes së gjysmës së natës, shikohet koha që nga perëndimi i diellit deri në hyrjen e kohës së namazit të sabahut, pasi kjo e tëra është natë. Pastaj nga kjo kuptojmë se edhe gjysma e natës dallon varësisht prej gjatësisë së natës. P.sh., nëse dielli perëndon në orën pesë të pasdites dhe koha e sabahut hyn në orën pesë të mëngjesit, atëherë gjysma e natës është ora njëmbëdhjetë. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com