3. Ku është Zoti?

0

3. Pyetja:

Nëse pyesim gjashtë njerëz në gjashtë anë të Tokës se ku është Zoti, që të gjithë do të përgjigjen se “Ai është në qiell” dhe rrjedhimisht nënkuptohet se Toka, universi dhe çdo gjë që është në të është brenda Zotit. A është mëkat të thuhet kështu? E nëse nuk është kështu, si mund të jetë ndryshe? Arshi është mbështjellësi i gjithësisë. A lejohet të thuhet se Zoti është mbështjellësi i Arshit, në kuptimin se qëndron përtej Arshit, pra mbi Arsh?!

 

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht ajo që dua të theksoj në hyrje të kësaj përgjigjeje është se pajtohem plotësisht me të vërtetën që keni përmendur, se Allahu qëndron mbi Arsh, por ajo që kontestohet është mënyra se si e keni kuptuar këtë të vërtetë.

Ne i pohojmë Allahut vetëm atë që ka pohuar Ai për Veten e Tij apo atë që ka pohuar krijesa më e ditur për të, i Dërguari alejhi salatu ve selam. Andaj, të gjithë jemi të pajtimit se Allahu qëndron mbi Arsh, i cili është mbi shtatë qiejt, dhe për këtë flasin shumë argumente nga shpallja hyjnore, por jo detyrimisht kjo na shpie te përfundimi që keni përmendur në pyetjen tuaj.

Allahu është i ndarë nga krijesat e Tij sikurse krijesat nuk janë pjesë e Tij. Shumë dijetarë si Ibën Huzejme, Lalekaiu, Axhuriij kanë përcjellë konsensusin e gjeneratave të para se nuk ka te Zoti diçka të krijesave e as te krijesat diçka të Zotit, që nënkupton se të qëndruarit e Allahut mbi Arsh nuk duhet e madje nuk lejohet të na shpjerë te përfundimi i përmendur në pyetjen e parashtruar. E se si duhet të jetë, atëherë për këtë përgjigjen më të mirë e gjejmë në ajetin 11 të kaptinës Shura, ku thuhet: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij…”.

Ne jemi të obliguar të besojmë tek ajo që përmendin argumentet, por që ky besim të jetë i rregullt, atëherë duhet të shoqërohet me disa mbrojtës që garantojnë arritjen e asaj që synon argumenti. Kur flasim për argumentet e kësaj natyre, atëherë dijetarët kanë përmendur disa mbrojtës kryesorë, që janë:

1- të mos bëjmë përngjasim,

2- të mos shtrembërojmë kuptimet,

3- të mos mohojmë,

4- të mos tentojmë të njohim formën dhe mënyrën.

Ne besojmë se Allahu qëndron mbi Arsh, por nuk futemi në detajet e këtij qëndrimi ngase nuk kemi mundësi të arrijmë deri tek ato asnjëherë dhe çdo përpjekje jo vetëm që do të jetë e dështuar, por do të na kushtojë me devijim dhe hutim.

Për këtë arsye themi se të pohuarit e asaj që është përmendur, se universi është brenda Zotit, jo vetëm që është i paqëndrueshëm, por është edhe nga mëkatet e mëdha.

Në pjesën e dytë të pyetjes keni përmendur se Arshi është mbështjellësi i gjithësisë dhe nuk di që ndokush nga dijetarët e ka përmendur kështu Arshin, andaj për këtë duhet argument, përndryshe nuk qëndron si e vërtetë. Ajo që qëndron për Arshin është se ai për krijesat është sikurse kulmi për shtëpinë, andaj nuk ka mbi të asgjë (nga krijesat) e jo se ai është mbështjellësi i Arshit. Por, edhe po të kishte argument për një gjë të tillë, megjithatë nuk do të na lejohej të themi atë që keni përmendur në  pjesën e fundit të pyetjes dhe për të do të vlente përgjigjja që kemi përmendur në fillim të saj, d.m.th. nuk lejohet t’i pohojmë Allahut asgjë pos asaj që ka pohuar për të Ai dhe që ia ka mësuar rreth kësaj të Dërguarit të Tij, kjo së bashku me pjesën e mbetur të asaj që kemi përmendur më lart. Allahu e di më së miri.

Hoxhë Enis Rama

Dijaonline.net 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com