Cilësitë që duhet të ketë një edukues
Hyrje
Njihet nga të gjithë njerëzit se njeriu duhet të ketë përgatitje për çdo vepër që bën. Ndërtesën mund ta ndërtojë vetëm njeriu i specializuar për të. Servisin e mjeteve shtëpiake ose të veturës mund ta bëjë vetëm ai që merret me këtë çështje. Të gjitha këto çështje kanë nevojë për specializim. Por, si qëndron çështja e ndërtimit dhe e përgatitjes së njeriut?
Të edukuarit është një operacion me rëndësi dhe në të njëjtën kohë i vështirë. Edukata është ajo që e përgatit njeriun dhe mbjell në të vlera të larta. Ajo është e vetmja formë për të larguar gjërat e këqija, të cilat kanë zënë vend te njeriu për shkak të disa faktorëve dhe ndikimeve të ndryshme. Edukata merret me botën e njeriut. Bota e njeriut është e çuditshme me gjendjet dhe ndijimet e saj. Ai që vepron me ndonjë mjet tjetër jashtë njeriut vepron me një mjet të shurdhër, bile edhe veprimi me gjallesa e tjera dhe mbizotërimi ndaj tyre është më i lehtë, por të veprosh me njeriun është një çështje e rëndë. Të punosh me njeriun do të thotë të punosh me shokun tënd dhe me llojin e njëjtë. Pasi çështja e edukimit të njeriut qenka e tillë, atëherë duhet ta dimë se një gjë të tillë nuk mund ta ketë çdokush. Jo vetëm kaq, por as mundësia e kuptimit të gjërave në formë të vërtetë, sasia e dijes, mundësia e të folurit dhe e të biseduarit nuk janë të mjaftueshme që njeriu të përgatitet dhe të ketë mundësi të edukojë dikë.
Nisur nga kjo, duhet të flasim për cilësitë e edukuesit. Kuptohet, ndoshta është e mundshme të ketë edhe cilësi të tjera, të cilat nuk do t’i cekim, por përkufizimi vetëm te këto është bërë për disa shkaqe.
Shkaku i parë
Përkufizimi në këto cilësi i mundëson edukuesit vendosjen e disa rregullave nëpër të cilat mund të ecë. Pasi t’i marrë këto cilësi, atëherë bëhet e qartë se nuk mund ta marrë këtë përgjegjësi askush përveç atij që i ka këto cilësi. Pra, vjetërsia, përvoja e gjatë dhe përgatitja në dije nuk janë të mjaftuesh-me që njeriu të jetë i gatshëm për të edukuar dikë.
Shkaku i dytë
Edukuesit pastaj duhet të përpiqen që t’i realizojnë dhe t’i formojnë këto cilësi te të tjerët. Edukuesit nuk janë persona që mësojnë gjëra më shumë se të tjerët, as nuk janë persona që dinë të flasin më mirë se të tjerët. Ata kanë mundësi vetëm të luajnë një rol me rëndësi, i cili është ndërtimi i shpirtrave dhe formimi i tyre.
Shkaku i tretë
Këto cilësi i mundësojnë edukuesit që të korrigjojë veten, në mënyrë që të ngrihet më lart dhe ndikimi i tij të jetë më i madh dhe me lejen e Allahut edhe rezultati do të jetë i madh.
Në gjeneratën e zgjimit islam çështja e edukimit si duket është keqkuptuar dhe janë dhënë disa kuptime jo të vërteta, si vijon:
-Disa njerëz besojnë se çdokush di të edukojë dhe se ai që ka mbaruar një periudhë të caktuar në ndërtimin edukativ, ka përftuar një sasi të dijes së sheriatit dhe ka arritur t’i kuptojë disa gjëra, është i përgatitur që të edukojë të tjerët, edhe pse ndoshta nuk i plotëson cilësitë të cilat të bëjnë ta arrish një gjë të tillë.
-Besimi se fusha e edukimit është e vetmja ku njeriu mund të japë rezultatin e tij. Dështimin në të e llogarisin si dobësim të edukuesit apo si dobësim i fuqisë së tij. Me gjithë besimin tonë për rëndësinë e kësaj fushe, duhet ta dimë se nuk është e vetmja fushë ku njeriu duhet të japë patjetër rezultat. Dikush ka mundësi të dështojë në këtë, por të ketë rezultat në fusha të tjera. As shokët e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem nuk kanë qenë të gjithë të përgatitur në të gjitha fushat. I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem tregon pabarazinë e tyre. Disa prej tyre kanë qenë të dalluar në një fushë, ndërsa dikush tjetër ka qenë i dalluar në një fushë tjetër dhe kështu me radhë. Një gjë e tillë nuk ka qenë shkak në mangësinë e tyre. Transmetohet nga Enesi, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu më i mëshirshëm për umetin tim është Ebu Bekri. Më i ashpri në fenë e Allahut është Umeri. Më i turpshmi është Uthmani. Më i dijshmi për hallallin dhe haramin është Muadhi. Më i dituri në trashëgimi është Zejd b. Thabiti. Më i miri në lexim është Ubeji. Çdo popull ka besnikun e vet, ndërsa besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde b. Xherrahu.” (Transmeton Ahmedi, Ibën Maxheh, Tirmidhiu.)
Thuhet që Abdullah Kamerij, ky zahid i madh, i shkroi Malikut një letër, ku e nxiste për vetmi (ibadet) dhe punë. Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ia ktheu letrën duke i thënë: “Allahu i ka ndarë veprat e njerëzve, ashtu siç i ka ndarë furnizimet. Ndoshta dikujt i është mundësuar në namaz, por nuk i është mundësuar në agjërim. Tjetrit i është mundësuar në lëmoshë, por nuk i është mundësuar në agjërim. Tjetrit i është mundësuar në xhihad dhe kështu me radhë. Përhapja e dijes është prej veprave më të mira. Unë jam i kënaqur me atë që më ka mundësuar Allahu në të. Nuk besoj se në atë që jam unë është më pak se në atë që je ti. Shpresoj se të gjithë jemi në hair dhe në mirësi.”
Nga e tërë kjo që thamë, rezulton se patjetër çdonjëri prej nesh duhet ta gjejë veten në atë që ka prirje dhe të largohet nga ajo që nuk ka prirje.
Disa nga cilësitë që duhet të ketë edukuesi
Dija, cilësia e parë, për të cilën ka nevojë edukuesi përfshin disa fusha, si:
a) Dija e sheriatit: Edukata në Islam është përgatitja e njeriut për adhurimin e Allahut. Një gjë e tillë nuk ka mundësi të njihet vetëm se nga ana e dijes së sheriatit.
Dija e sheriatit i jep njeriut format e bindjes dhe të bisedimit, i jep forcë në përmirësimin e çështjeve të sheriatit dhe në kërkimin e tyre. Po ashtu, dija e sheriatit e pengon njeriun nga devijimi apo rënia në format të cilat sheriati i ndalon.
Edukuesi nuk është e domosdoshme të jetë dijetar, apo student i specializuar, por duhet të zotërojë mundësinë e hulumtimit, të leximit, të përgatitjes së temave dhe të zotërojë rregullat e përgjithshme të shkencave të sheriatit. Nëse i ka këto, atij i është mundësuar që të hulumtojë dhe të shtojë impulset e tij në dijen e sheriatit.
b) Kultura e përgjithshme dhe e përshtatshme si dhe kuptimi i mirë i asaj që duhet në kohën e tij.
c) Dija që i nevojitet gjatë hulumtimeve për njeriun, si p.sh.: të njohë natyrshmërinë e periudhës së atij me të cilin ai vepron (periudhën e fëmijërisë, të adoleshencës dhe të burrërisë), të njohë natyrshmërinë e njeriut, ndikimet e tij, shtytjet e tij, përgatitjet e tij. Edukuesi duhet të njohë një numër mësimesh të grupit me të cilën ai punon. Këtu gjithashtu duhet të tërheqim vërejtjen se edukuesi nuk duhet të jetë me doemos i specializuar në psikologji e pedagogji, por duhet të zotërojë bazat e përgjithshme, që të ketë mundësi së paku t’i kuptojë këto shkenca dhe të kuptojë hulumtimet e veçanta në këtë fushë.
d) Njohja e njeriut personalisht në mundësitë e tij dhe në përgatitjen e tij. Një gjë të tillë mund ta vërejë ai që mediton mbi historinë e të Dërguarit të Allahut. Transmetohet nga Enesi, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu më i mëshirshëm për umetin tim është Ebu Bekri. Më i ashpri në fenë e Allahut është Umeri. Më i turpshmi është Uthmani. Më i dijshmi për hallallin dhe haramin është Muadhi. Më i dituri në trashëgimi është Zejd b. Thabiti. Më i miri në lexim është Ubeji. Çdo popull ka besnikun e vet, ndërsa besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde b. Xherrahu.” (Transmeton Ahmedi, Ibën Maxheh, Tirmidhiu.)
Po ashtu, nga Ebu Hurejra transmetohet se i ka thënë të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem: “Kush do të jetë njeriu më i lumtur me shefatin tënd, o i Dërguar i Allahut?” Tha i Dërguari i Allahut: “Mendoja, o Ebu Hurejra, se askush nuk do të më pyeste për këtë përveç teje, për shkak të interesimit që ke për hadithin. Njeriu më i lumtur me shefatin tim do të jetë ai i cili ka thënë la ilahe ilallah me sinqeritet të plotë.” (Buhariu 6570)
I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem e porositi Eba Dherrin me një porosi, duke pasur parasysh se i Dërguari i Allahut e njihte natyrshmërinë e Eba Dherrit. Nga Ebi Dherri transmetohet, se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i ka thënë: “O Ebu Dherr. Unë po të shoh që je i dobët, dëshiroj për ty atë që dëshiroj për vete. Mos u bë udhëheqës i dyve dhe mos merr në kujdes pasuri të jetimit.” (Muslimi 1826)
e) Njohja e ambientit në të cilën jeton edukuesi. Ambienti lë gjurmë në personalitetin e tij dhe gjithashtu ndihmon në njohjen dhe komentimin real të shumë pozitave dhe qëndrimeve që sheh edukuesi.
Cilësia e dytë
Edukuesi duhet të jetë në shkallë më lartë se ai që edukohet. Edukata është marrje dhe dhënie. Nisur nga kjo, patjetër duhet që edukuesi të jetë më lart se ai që edukohet. Nuk është kusht që të jetë më i ngritur me moshë, edhe pse faktori i moshës ka rëndësi, por ajo që kemi për qëllim është se edukuesi duhet të jetë më i ngritur se ai që edukon në fuqitë e tij, në eksperiencat e tij si dhe në mundësitë e tij. Ky është një realitet që lë ndikim të madh në shpirtrat e njerëzve. Njeriu patjetër duhet ta bindë veten se është në pozitën e dhënësit dhe se është më i ngritur se ai që edukohet në duart e tij.
I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem posedonte cilësitë më të larta njerëzore në çdo fushë. Ishte njeriu më i mirë me prejardhje, ishte njeriu më i moralshëm, ishte njeriu më i butë, ishte njeriu më fisnik, ishte më trimi prej njerëzve. Edhe shokët e tij e argumentojnë këtë. Enesi thotë: “I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ishte njeriu më i mirë dhe më fisniku, më trimi. Një natë u frikuan banorët e Medinës. Njerëzit u nisën në anën e zërit që vinte. I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i ktheu njerëzit duke u thënë: “Mos u frikësoni, mos u frikësoni.” Ishte duke u kthyer nga vendi me kalin e Ebu Talhas; në qafë kishte shpatën dhe mbante një dritë në dorën e tij.”
I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ishte njeriu më i devotshëm, siç ka thënë për veten e tij: “Ju e dini se unë jam më i devotshmi në Allahun, më i sinqerti dhe më i miri.” (Buhariu)
Prandaj, njerëzit nuk janë të barabartë në mundësinë e tyre për të edukuar. Shohim se shumica e prindërve dinë t’i edukojnë fëmijët e tyre për shkak të moshës së tyre më të vjetër. Po me një shprehje më precize mund të themi se: Fëmijët u përgjigjen prindërve të tyre për shkak se ata e ndiejnë se ata (prindërit) janë më lart se ata. Por, çdo herë që rritet fëmija në moshë, shtohet vështirësia për edukim dhe të pakët janë ata që u përgjigjen prindërve të tyre kur janë rritur në moshë.
Për këtë, disa njerëz kanë fuqi t’i edukojnë fëmijët e tyre të vegjël, dikush di të edukojë vetëm një shtresë apo një lloj njerëzish, disa kanë mundësi më shumë se kaq, dikush ka mundësi të edukojë një shoqëri të tërë. Ndërsa sa i përket këtij umeti, Allahu zgjodhi për ta një edukues për çdo kohë dhe në çdo vend, e ai është i Dërguari i Allahut.
Cilësia e tretë
Edukuesi duhet ta ketë atë që jep. Edukuesi duhet të ketë cilësi të larta dhe t’i praktikojë vetë para se t’ia japë dikujt. Kjo ndikon që të praktikojë atë që jep. Kjo demonstrohet në disa forma, si:
a) të ketë dije të sheriatit, e cila ka një rëndësi të veçantë, për të cilën biseduam më lart;
b) të jetë i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve të parashtruara;
c) të ketë fuqi mendore dhe eksperiencë praktike me të cilën ata të cilët i edukon i ndihmon në tejkalimin e problemeve.
d) të dijë të bashkëpunojë me këto probleme si dhe të dijë të japë mendimin e përshtatshëm në zgjidhjen tyre.
Kur edukuesi e humb këtë, ata që edukohen ndiejnë se ai nuk është i gatshëm që të marrë përsipër edukimin e tyre dhe pastaj fillojnë të largohen nga ai.
Cilësia e katërt
Edukuesi duhet të ketë fuqi në dhënie. Njeriu sheh personalitete të mëdha që nuk kanë mundësi të japin atë që e kanë. Nisur nga kjo, ai pastaj nuk ka mundësi të edukojë. Në vetvete ai është një personalitet i lartë, i ngritur me mendje e shpirt, ka moral, por për ndonjë shkak nuk ka mundësi të japë praktikën reale sepse është i larguar prej njerëzve, sepse ai më shumë është zotërues i teorisë dhe nuk zotëron anën praktike, reale.
Ka shumë shembuj kur profesorë në universitet, të shkëlqyer në dijen e tyre, të shkëlqyer në moralin e tyre, të shkëlqyer në ligjëratat e tyre, megjithëkëtë nuk kanë mundësi të edukojnë, as të formojnë një gjeneratë nxënësish, të cilat kanë mundësi t’i pasojnë. Të shumtë janë ata që shohim nëpër tubime, nëpër vende publike, të cilët dinë të flasin, dinë të polemizojnë, ndoshta kanë edhe eksperiencë e dije rreth kësaj çështje, por vetëm kjo nuk u mjafton për të qenë edukues.
Të kesh mundësi për të dhënë nuk mjafton, nëse nuk përmbushet edhe një çështje tjetër, e ajo është të jesh i mirë në dhënie.
Cilësia e pestë
Edukuesi duhet të jetë i mirë në dhënie. Nuk është e mjaftueshme në çështjet e edukatës që njeriu të ketë mundësi të japë, mirëpo duhet që ta japë atë në formën më të mirë. Nëse edukuesi nuk e bën këtë, pra atë që ka nuk e jep në formën më të mirë, atëherë ka mundësi që kjo t’i kthehet në të kundërtën. Edukata nuk përfshin vetëm disa njohuri dhe sugjerime, të cilat u drejtohen njerëzve, nuk përfshin vetëm urdhra dhe ndalesa, por edukatë është dhënia e gjerë, e cila përfshin fusha të ndryshme. Ajo duhet të veprojë në situata të ndryshme. Nisur nga kjo, ai që e merr këtë post patjetër duhet të ketë fuqi në veprim me realitetin dhe në ndërtimin e këtyre shkallëve.
Ai që ekspozon mallin e tij për shitje, duhet ta dijë se vetëm ekspozimi para njerëzve nuk mjafton, por i del detyrë ta rregullojë mallin e vet, ka nevojë të flasë me njerëzit për mallin e vet në formën më të mirë, ka nevojë të flasë në atë forma, që blerësit të binden se me të vërtetë kanë nevojë për atë prodhim, pastaj ka nevojë për reklama, etj..
Njerëzit që janë specialistë në ndonjë fushë sot flasin për format e ndërtimit të mendimeve, për ekspozimin e atyre mendimeve, për format se si të kenë mundësi për t’i bindur njerëzit dhe për të ndikuar tek ata. Nëse flasin për këto sende, atëherë është me meritore të flasim për edukatën dhe format e saj, pasi edukata është mbi të gjitha këto.
Edukuesi i cili di si të japë është ai i cili e njeh përdorimin e metodave më të mira dhe realizon në çdo vend atë që është e përshtatshme.
Cilësia e gjashtë: Prirja për udhëheqje
Edukata, siç është dhënie dhe marrje, po ashtu përfshin edhe fusha të tjera, që janë shumë me rëndësi. Ajo përqendrohet në prirjen për udhëheqjen e njerëzve dhe për administrimin e tyre. Prirja për udhëheqje është një cilësi që nuk ka mundësi ta ketë çdo njeri. Njerëzit kanë mundësi të marrin ndonjë vendim administrativ, disa ndoshta kanë mundësi që edhe të administrojnë ndonjë punë për ndonjë organizatë, por prirja për udhëheqje është mbi të gjitha këto, e në veçanti kur e dimë se edukata është një gjë e rëndësishme për njerëzit. Ushtaraku apo udhëheqësi ka mundësi t’i udhëheqë njerëzit me shkopin e tij, por edukuesi, nëse nuk ka prirje dhe fuqi për udhëheqjen e njerëzve dhe për bindjen e tyre, asnjëherë nuk mund t’i edukojë njerëzit.
Cilësia e shtatë: Prirja për ndjekjen e nxënësve
Edukata është një operacion i vazhdueshëm dhe nuk mjafton të drejtuarit në të për një moment, edhe pse ai që e kërkon një gjë të tillë mund të jetë i sinqertë, apo korrekt në të. Edukata ka nevojë për ndjekje dhe orientim të vazhdueshëm.
Njeriu i cili nuk gjen në veten e tij gatishmëri për përcjellje dhe për orientim të vazhdueshëm, ai njeri nuk është i gatshëm për edukatë, edhe nëse ka të gjitha cilësitë e tjera.
Kur themi orientim i vazhdueshëm nuk kemi për qëllim llogarinë për çdo rrëshqitje apo gabim të vogël. Llogaria për çdo gabim të vogël njeriun e bën të largohet e jo të edukohet, por edukuesi i urtë është ai i cili nganjëherë i mbulon disa nga gabimet, edhe pse i urren, sepse edukuesi e di se tërheqja e vërejtjes për çdo gjë të vogël është e dëmshme. Urtësia dhe përvoja e orientojnë edukuesin në kohën e duhur të mbulimit të gabimit të vogël si dhe në kohën e duhur të tërheqjes së vërejtjes. Por edukuesi duhet që gjithmonë të orientojë dhe të ndjekë sjelljen e atij që edukon, pa marrë parasysh a ia tërheq vërejtjen për gabimin e vogël apo ia mbulon. Mbulimi i gabimit ndonjëherë është i kërkuar, mirëpo edukuesi nuk duhet të jetë asnjëherë i pakujdesshëm ndaj tërheqjes së vërejtjes, sepse një gjë e tillë është e metë në edukatë dhe njëherazi ka pasoja negative dhe të rrezikshme.
Cilësia e tetë: Mundësia e reformave
Reformat asnjëherë nuk kanë mundësi të ndahen nga edukata, ashtu si nuk kanë mundësi të ndahen nga asnjë punë tjetër e vazhdueshme. Edukuesi ka nevojë të bëjë reforma derisa:
a) të formojë persona e t’u japë fuqi atyre, në mënyrë që çdonjërit t’i japë atë që i përshtatet;
b) të formojë persona pasi t’u japë edukatë, në mënyrë që ta shohë ndikimin e asaj që u ka dhënë atyre;
c) të bëjë reforma në punë, në plane, në projekte dhe në zgjidhje të ndryshme;
d) të vendosë problemet në vendin e vet pa i zmadhuar ato, apo pa i lënë anash ato.
Reforma për të cilën ka nevojë këtu edukuesi është reforma teorike, tematike, me të cilën vendos bazat e përcaktuara dhe jo përshtypjet personale të tij në drejtim të ndonjë pune apo të ndonjë personi.
Prandaj, për edukuesin është e nevojshme të njohë ndikimet e kapitujve dhe të temave, përmes të cilave mund t’i japë çdonjërit atë që i përshtatet. Pastaj edukuesi ka nevojë të ketë fuqi për realizimin e tyre. Eksperienca dhe përvoja, bisedat, dialogjet dhe ushtrimet i mundësojnë edukuesit reformën.
Cilësia e nëntë: Mundësia për të ndërtuar marrëdhënie njerëzore
Mes atij që merr dhe atij që jep edukatë duhet të ketë dashuri, sepse nëse edukuesi nuk mbjell dashuri në shpirtrat e nxënësve, fjalët që thotë nuk do të mund të arrijnë në zemrat e nxënësve, e aq më pak të shëndrrohen në një impuls praktik.
Nëse një njeri është me logjik të fortë, me ndikim të madh e me argumentim të fortë, a mendon ky njeri se është më i ditur, më orator, më me ndikim sesa i Dërguari i Allahut? Me gjithë këtë, Allahu iu drejtua të Dërguarit të Tij me këto fjalë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159)
Të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, i ka dhënë Allahu mundësinë e ndikimit te të tjerët. Me gjithë ndijimin e njerëzve, se e vërteta është me të, ai u urdhërua të ishte i butë me shokët e tij, se në të kundërtën ata do të largoheshin nga ai. Kjo ndodhi me të Dërguarin e Allahut, por si do ishte çështja me atë që ka një listë të madhe mangësish, të cilat nxënësit e tij kanë mundësi t’i shohin tek ai dhe të mos ia pranojnë pastaj fjalën?
Prandaj, prof. dr. Muhamed Kutbi, duke vërtetuar këtë lidhje të fortë, thotë: “Siguria për këtë është dashuria. Nëse ai që merr nuk ndien se edukuesi e do atë dhe ia do të mirën, ai nuk pranon të marrë prej tij, edhe nëse e bind se edukuesi ka shumë të mira. Jo vetëm kaq, por edhe nëse e bind se nuk ka mundësi ta gjejë të mirën diku tjetër, pasi duhet ditur se nuk është e mundur që të plotësohet asnjë e mirë nëse në të nuk ka dashuri.”
Të parët që shkruan për sjelljet mes mësuesit dhe nxënësit i kushtuan rëndësi të madhe moralit dhe sjelljes së mirë. Ibnu Xhema e porosit edukuesin duke i thënë: “Edukuesi duhet të sillet me nxënësin e tij siç sillet me djalin e tij më të dashur; me butësi, me mëshirë dhe me mirësi ndaj tij. Ai duhet të ketë durim ndaj ndonjë mangësie apo ndonjë gabim që mund të bëjë ai dhe duhet të pranojë arsyetimet e tij në bazë të mundësisë së tij, por në të njëjtën kohë me butësi dhe urtësi duhet ta ndalojë atë nga ndonjë e keqe, me qëllim që ai të edukohet dhe të përmirësojë moralin e tij. Nëse nxënësi e vëren këtë me sinjale, atëherë nuk është nevoja të shprehet me gojë, por nëse e kupton vetëm me shprehje, atëherë edukuesi duhet të jetë i kujdesshëm në shprehje, të cilat duhet të jenë të buta dhe të ëmbla.”
Gazali përsërit të njëjtën porosi dhe vëren se prej sjelljeve të mësuesit është edhe tërheqja e vërejtjes ndaj nxënësit nëpërmjet shenjave, nëse ka mundësi e jo direkt si dhe në formë mëshire e jo në formë nënçmuese, nëse sheh tek ai diçka të keqe.
Po ashtu, Imam Neveviu e vërteton një gjë të tillë kur thotë: “Mësuesi duhet ta llogarisë nxënësin e tij si djalin e tij, të cilin e do shumë. Ai duhet të bëjë durim gjatë edukimit të tij dhe sjelljes jo të mirë si dhe t’ia arsyetojë sjelljet e këqija, sepse njeriut i paraqiten gjithmonë mangësi.
Cilësia e dhjetë: Qëndrimi i vetvetes
Edukuesi është ai që bashkëpunon me njerëzit dhe me natyrshmërinë e tyre. Nisur nga kjo, edukuesi patjetër duhet të jetë i përqendruar te vetja e tij, të mos jetë njeri që ndërron shpesh, të mos jetë njeri i luhatshëm dhe të mos ndikohet nga ndikimet e ndryshme apo nga mendimet e këqija. Ai që edukohet ka nevojë të bashkëpunojë me një njeri të qëndrueshëm, ka nevojë të punojë me një person i cili kujdeset për sjelljet e veta. Nëse edukuesi nuk është i tillë, atëherë ky individ nuk mund të jetojë në një ambient të qetë, pasi atë do ta kaplojë frika dhe paqëndrueshmëria.
Cilësia e njëmbëdhjetë: Peshorja e ndërlidhur
Edukata nuk është një punë që përfshin vetëm një fushë, as nuk është bashkëpunim me një mjet të shurdhër. Edukuesi nuk duhet të formojë një njeri i cili vetëm dëgjon dhe pranon, por duhet të ketë një peshore lidhshmërie. Edukata është një operacion që ndërlidh të dy anët e jo vetëm njërën anë.
Prandaj, edukuesi patjetër duhet të kujdeset që të futet në bisedë me atë që edukon, duhet ta dëgjojë dhe të heshtë kur flet ai. I tillë ishte edhe udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, i cili i bashkonte të dy anët. Transmetohet nga Enesi, i cili thotë: “Ishim ulur në xhami me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, kur hyri një njeri me një deve dhe zbriti aty, pastaj e lidhi dhe u tha atyre që ishin të pranishëm: “Kush prej jush është Muhamedi?”, ndërkohë që i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ishte i mbështetur në mesin e tyre. I thamë: “Ky njeri i bardhë, i mbështetur.” Njeriu i tha: “O bir i Abdul Mutalibit.” I Dërguari i Allahut i tha: “Të përgjigjem.” Njeriu i tha të Dërguarit të Allahut: “Unë do të të pyes për një çështje dhe dua një përgjigje të thuktë.” I Dërguari i Allahut i tha: “Pyet çka të intereson.”
“Të pyes për Zotin tënd dhe Zotin e atyre para teje. Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit?” I Dërguari i Allahut i tha: “Po.”
“Të pyes për Allahun. Ai të obligoi me namaz pesë herë në ditë?” I tha: “Po.”
“Të pyes për Allahun. Allahu të urdhëroi që të agjërojmë muajin e ramazanit? I tha: “Po.”
“Të pyes për Allahun. Ai të urdhëroi që të marrim pasurinë prej të pasurve dhe ta ndajmë për të varfrit?” I tha: “Po.”
I tha njeriu: “Besova në atë me të cilën ke ardhur. Unë jam një i dërguar prej popullit tim. Unë jam Daman b. Thalebe, vëllai i Benu Sa’d b. Bekrit. (Transmeton Buhariu)
Shiko si ka qenë i Dërguari i Allahut. Ai heshti dhe e dëgjoi folësin. Atij i interesonte biseda dhe dialogu. Aishja e përshkruan të Dërguarin e Allahut me këto fjalë: “I Dërguari i Allahut nuk bisedonte siç po bisedoni ju.” (Buhariu)
Ndërsa në një tarsnmetim tjetër thuhet: “Nuk bisedonte i Dërguari i Allahut kështu, por ai fliste duke i ndarë fjalët njëra prej tjetrës, saqë kishte mundësi ta mësonte përmendësh ai i cili ulej pranë tij.” (Tirmidhiu)
Cilësia e dymbëdhjetë: Rruga dhe udhëzimi i mirë
Edukuesi duhet të jetë shembull dhe model me sjelljet dhe veprat e tij, para se t’u drejtohet njerëzve me fjalët e tij. Udhëzimi i mirë lë gjurmë në shpirtin e njeriut më shumë sesa fjala. Në hadithin e Xherir b. Abdullah el-Bexhelijut ky kuptim përforcohet. Ai thotë: “Ishim tek i Dërguari i Allahut në mesin e ditës. Erdhën disa njerëz të varfër, shumica e të cilëve ishin prej Medarrit. Kur i pa i Dërguari i Allahut kështu, i ndryshoi fytyra për shkak të varfërisë që kishte parë tek ta. Hyri brenda, pastaj doli dhe urdhëroi Bilalin që të thërriste ezanin, pastaj ikametin. U falën dhe pastaj i Dërguari i Allahut hipi në hytbe dhe tha: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre të dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1)
Pastaj lexoi edhe ajetin në suren Hashr: “O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj Allahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër dhe kini frikë Allahun, e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni!” (Hashr, 18)
Një njeri dha lëmoshë nga dinarët dhe dërhemët e vet, nga veshja e tij, pastaj nga gruri dhe hurmat e tij, derisa tha se edhe gjysmën e hurmës, nëse është nevoja, do ta jap. Pastaj erdhi një njeri prej ensarëve me një pako, saqë nuk kishte mundësi ta mbante në dorë, pastaj filluan njerëzit të japin, derisa pashë dy grumbuj të mëdhenj me ushqim dhe me rroba, gjersa pashë fytyrën e të Dërguarit të Allahut të shndriste si të ishte prej ari. I Dërguari i Allahut: “Kush hap një rrugë të mirë në Islam (një sunet të mirë), ai do të ketë shpërblimin e vet dhe të atyre që vinë pas tij, pa iu pakësuar shpërblimi atyre që punojnë pas tij. Ndërsa kush hap një rrugë të keqe në Islam, ai do të ketë mëkatin e vet dhe të atyre që punojnë pas tij me të, pa iu pakësuar atyre dënimi.” (Transmeton Muslimi)
Nga kjo shihet se kur njerëzit dëgjuan fjalën dhe thirrjen e të Dërguarit të Allahut dhe kur e panë këtë njeri duke dhënë, filluan të jepnin edhe ata.
Prandaj, selefët i kushtonin shumë kujdes udhëzimit dhe drejtimit të njerëzve me vepra. Rramhermezi transmeton me transmetimin e tij nga Ebi Alijeh, i cili ka thënë: “Kur dëshironim të merrnim prej një njeriu dije, shikonim namazin e tij. Nëse namazin e bënte në formën më të mirë, merrnim prej tij dije e nëse namazin nuk e bënte mirë, nuk merrnim prej tij.”
Muhamed b. Sirini ka thënë: “Dija është fe, prandaj shikoni se prej kujt po e merrni fenë tuaj.”
Hamad b. Zejdi ka thënë: “Kemi hyrë tek Enes b. Sirini në kohën kur ai ishte i sëmurë dhe na tha: “Kini frikë Allahun, o ju të rinj, dhe shikoni se prej kujt po i merrni këto hadithe, sepse ajo është feja juaj.”
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kjo dije është mishi dhe gjaku yt dhe për të do të pyetesh në Ditën e Gjykimit, atëherë shiko se prej kujt po e merr.”
Muxhalidi ka thënë: “Nuk merret feja përveç prej atyre që e njohin fenë.
Sa shumë nevojë kanë edukuesit sot që ta realizojnë këtë udhëzim dhe këtë model të lartë në shpirtrat e tyre!”
Cilësia e trembëdhjetë: Mesatarja dhe peshorja e drejtë
Ligjet e Allahut te krijesat e Tij qëndrojnë në bazë të drejtësisë dhe në bazë të peshores së drejtë. Dielli, Hëna, yjet, planetët, Toka dhe gjithçka që ekziston në to qëndrojnë mbi këtë bazë. Edhe jeta e njeriut, ajo trupore dhe mendore, qëndron mbi bazën e drejtësisë dhe të peshores së drejtë.
Ekstremizmi dhe gjërat e tepruara janë të këqija, çfarëdo rrënje të kenë, edhe nëse faktori i shtimit të të mirave është shkak i kësaj. Për këtë, i Dërguari i Allahut urdhëroi një grup njerëzish, të cilët ia vështirësuan vetes së tyre adhurimin, që të jenë mesatarë dhe t’i jepnin hakun çdo gjëje.
Ekstremizmi shpeshherë vërehet në situate të caktuara, kur disa njerëz e tejkalojnë mesataren dhe bëhen të vrazhdë dhe pastaj kjo cilësi i shoqëron gjatë tërë jetës. Ata nxjerrin me shpejtësi dispozita që lidhen me njerëzit, disa prej tyre pastaj i lavdërojnë jashtë mase, ndërsa disa të tjerë i nënçmojnë jashtë mase.
Nëse një edukues nuk e ka këtë cilësi, kjo ndikon keq tek ata që edukon, si vijon:
-mbjell tek nxënësit e tij ekstremizmin dhe tejkalimin e kufijve në mendime dhe në situata të caktuara. Kështu, këta nxënës nuk dëgjojnë dhe nuk përfillin asnjë mendim tjetër jashtë tyre dhe mendojnë se vetëm ata janë me të vërtetën në çdo çështje, qoftë e vogël apo e madhe, dhe çdo njëri që kundërshton mendimin e tyre llogaritet si mendim i keq dhe mendim i kotë;
-nëse peshorja e drejtë nuk e luan rolin e vet tek edukuesi, nuk ka mundësi që edukuesi të ketë ndikim në atë që ekspozon para nxënëse të tij.
-mospeshimi i drejtë vërehet edhe në përmirësimin e veprave të tij, të projekteve dhe të nxënësve të tij.
Cilësia e katërmbëdhjetë: Optimizmi
Të ndiesh rezultatin dhe realizimin e rezultatit është një kusht që duhet ta ketë patjetër edukuesi në çdo punë që bën. Kjo është një cilësi që duhet ta kenë të gjithë njerëzit, jo vetëm edukuesit. Tregtari i cili e humb shpresën për fitim, e sheh që është e padobishme që ta shpenzojë pasurinë e tij në një gjë të tillë. Shkrimtari i cili nuk pret se do të ketë mundësi të realizojë mendimin e tij dhe qëllimet e tij, nuk ka mundësi të shkruajë asnjë shkronjë dhe kështu veprojnë të gjithë punëtorët e tjerë, çfarëdo pune qoftë ajo.
Angazhimi i edukimit është një angazhim i mundimshëm dhe i lodhshëm, që ka nevojë për një durim të madh. Kur njeriu sheh rezultatin e tij në krahasim me angazhimin e tij, ai i duket një gjë e vogël, por është optimizmi ai i cili e bën njeriun që të shtojë edhe më shumë përpjekjet dhe angazhimet e tij.
Rëndësia e kësaj cilësie është edhe më me rëndësi kur shohim se rezultatet e edukimit nuk shihen menjëherë ose për një kohë të shkurtër, por duhet të bëjmë durim, se në të kundërtën nuk mund të jemi prej edukuesve të mirëfilltë.
Disa njerëzve, të cilët i kaplon pesimizmi me të shpejtë dhe mendojnë se kanë dështuar në përpjekjet e tyre në punë, u themi se duhet të njohin fushat në të cilat shihet rezultati menjëherë. Kur njerëzit e tillë ballafaqohen me edukim, nuk janë të kënaqur nga rezultatet dhe frytet e nxënësve të tyre, sepse dëshirojnë që të shohin rezultate menjëherë. Në këtë mënyrë, ata mbjellin pesimizëm edhe tek ata të cilët edukojnë dhe kështu dështojnë në qëllimet e tyre.
Cilësia e pesëmbëdhjetë: Mundësia për zhvillim
Ka mundësi që edukuesi të posedojë fuqi, njohje dhe eksperiencë të mirë, por këto nuk mjaftojnë. Edukuesi patjetër duhet të ketë mundësi për zhvillimin e reformave. Kjo cilësi është e domosdoshme për shkaqet vijuese:
-Jeta gjithmonë është në përparim. Ai që posedon një kuptim politik sot, ndoshta pas një viti apo disa vitesh i mbetet vetëm një përkujtim historik. Kështu gjërat përparojnë edhe në fushat e tjera. Jo vetëm nëpër fusha të tjera, por edhe në shkencat e sheriatit shumë gjëra ripërtërihen, si librat që botojnë hadithe, autor të rinj, organizata shkencore. Po ashtu edhe çështjet bashkëkohore. Një edukues i mirëfilltë ka nevojë për të gjitha këto gjëra.
-Përparimi në fusha të ndryshme të jetës e në veçanti në këtë kohë ndikon në shoqërinë në të cilën edukuesi jeton. Nëse ai nuk ka mundësi ta kuptojë këtë, atëherë ai do të jetojë në një gjeneratë tjetër të asaj që është me të. Ajo që shihet sot te disa edukues, të cilët mundohen të përsëritin metodat dhe programet të cilët ata i kanë jetuar dhe i kanë thënë më herët, tregon për një realitet të tillë.
-Ajo që zotëron edukuesi është e caktuar dhe një ditë patjetër do të shteret. Ata të cilët edukohen fillimisht mendojnë për një njeri se posedon një potencial të madh dijeje dhe kanë mundësi të marrin prej tij shumë, por nuk kalon një kohë e gjatë dhe potenciali i tij fillon të pakësohet, derisa arrin ta kuptojnë se nuk ka mbetur asgjë tek ai dhe kanë marrë të gjithë përvojën e tij.
Përveç këtyre që cekëm, edukuesi duhet të plotësojë edhe disa anë të tjera, të cilat e ndihmojnë atë në realizimin e zhvillimit të tij. Këto edukuesi duhet t’i realizojë në vetën e tij. Po i përmendim një nga një më poshtë.
Grumbullimi personal
Kjo bëhet përmes leximit dhe hulumtimit si dhe në bashkëpunim me mjetet dhe njohjet e ndryshme. Edukuesi duhet të jetë i vendosur me veten e tij, të vendosë për vete një program me të cilin ai vazhdon gjatë tërë jetës së tij.
Përkujdesja për atë që u ofron nxënësve të tij
Edukuesi duhet të përkujdeset për atë që u ofron nxënësve të tij. Mësimet dhe pjesëmarrjet e tij nuk duhet të jenë thjesht vetëm një temë të cilën ai ua prezanton nxënësve të tij, por ai duhet të përkujdeset për përgatitjen e asaj teme në formën më profesionale dhe t’ua paraqesë në formën më të mirë që ka mundësi.
Takimet me edukues më të ngritur se ai
Edukuesi duhet të konsultohet me ata që janë më të lartë se ai, të përfitojë prej eksperiencës së tyre dhe të kujdeset për dëgjimin e tyre.
Takimet e vazhdueshme me kolegët
Një gjë e tillë ndihmon në ndërrimin e mendimeve të tyre, në eksperiencat e tyre dhe në përvojat e tyre. Gjithashtu ndihmon në ngritjen e shkallës së edukuesit në të menduarit e tij. Sepse kur jeton në mesin e atyre të cilët i edukon dhe ata janë më të rinj se ai në moshë dhe ne eksperiencë, patjetër edukuesi ka për t’u ndikuar prej tyre. Mirëpo kur jeton me kolegët e tij, kjo do ta ndihmojë në realizimin dhe përfitimin e shumë gjërave që ndoshta i kanë shpëtuar pa u nxënë.
Përsosmëria është e pamundur
Mangësia është prej cilësive të njerëzve. Asnjë njeri nuk është pa të meta. Kur mundohemi t’i tubojmë të gjitha cilësitë që cekëm te një edukues, duhet ta dimë se ne po kërkojmë vetëm disa nga bazat e edukatës, në mënyrë që t’u afrohemi atyre duke e ditur se mangësia është një prej cilësive të njeriut. Përsosmëria është e pamundur dhe ajo që nuk nxihet e tëra, nuk duhet të lihet e tëra.
Nga ajo që cekëm deri tani mund të arrijmë në përfundimin se duhet të bashkojmë mes realitetit dhe ruajtjes së përgjegjësisë përballë gjeneratës që do të vijë. Duhet ta dimë se ka disa mangësi që duhet t’i tejkalojmë, apo të mundohemi t’i shërojmë, sepse nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë, atëherë do të humbim gjithë angazhimin dhe forcën që posedon edukuesi.
Do ta përfundojmë bisedën rreth edukatës me një porosi ndaj edukuesve, e cila ka një pozitë të veçantë në Islam, pa të cilën çdo punë dhe çdo gjë është e pavlerë. Ajo porosi është sinqeriteti për Allahun.
Ne e dimë se shumicën e atyre që sot merren me edukatën e të rinjve e shtyn qëllimi i pastër. Por ajo çka duhet të vërtetojmë që qëllimet tona t’i prezantojmë gjithmonë në punën tonë. Kjo me lejen e Allahut ka për të rezultuar me ngritje dhe me realizim të shpërblimit të Allahut. Sinqeriteti ngre ambiciet e njeriut dhe entuziazmin për punë dhe i ndihmon njeriut të mbajë atë me të cilën ballafaqohet prej lodhjeve dhe vështirësive.
Në fund, të sinqertët do të shohin shpërblimin e veprave të tyre, atëherë kur do të ndizet zjarri me ata të cilët kërkonin shpërblimin e kësaj bote dhe kënaqësinë e njerëzve.
Nga Shefi el-Asbahi transmetohet se ai ka hyrë në Medinë, kur pa një njeri tek i cili ishin tubuar njerëzit. Tha: “Kush është ky njeri?” Thanë: “Ebu Hurejra.” Tha: “U afrova afër tij, gjersa u ula para duarve të tij, ndërsa ai u fliste njerëzve hadithe. Kur heshti dhe u lirua, i thashë: “Për Zotin, më trego një hadith të cilin e ke dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut, të cilin e ke kuptuar dhe e ke mësuar.” Ebu Hurejra tha: “Do ta bëj. Do të të tregoj për një hadith të cilin ma ka treguar i Dërguari i Allahut, të cilin e kam kuptuar dhe e kam mësuar”, pastaj i ra të fikët. Kur i kaloi kjo, tha prapë: “Do të të tregoj për një hadith, të cilin ma ka treguar i Dërguari i Allahut në këtë shtëpi. Nuk ishte askush tjetër me ne”, pastaj i ra të fikët. Kur i kaloi kjo, fshiu fytyrën dhe tha: “Do ta bëj, do të të tregoj për një hadith, të cilin ma ka treguar i Dërguari i Allahut duke qenë unë në këtë shtëpi dhe nuk ishte askush tjetër me ne.” Pastaj, Ebu Hurejrës i ra të fikët. E ngrita dhe e mbështeta te një tavolinë, pastaj i kaloi ajo dhe tha: “Më ka treguar i Dërguari i Allahut, se Allahu në Ditën e Gjykimit do të zbresë te robërit e Tij, që të gjykojë në mes tyre dhe çdo popull do te jetë i gjunjëzuar. I pari i cili do të thirret është njeriu i cili ka tubuar Kuranin, njeriu që është vrarë në rrugën e Allahut dhe njeriu i cili ka pasuri të madhe. Allahu i thotë lexuesit të Kuranit: “A nuk ta kam mësuar atë që ia kam zbritur të Dërguarit Tim? Tha: “Po, gjithsesi.” “E, çka ke punuar në atë që ke mësuar?” Tha: “Kam qenë prej atyre që jam ngritur me të natën edhe ditën.” Allahu do t’i thotë: “Gënjen!” I thonë edhe engjëjt: “Gënjen!” Allahu i thotë: “Ti ke dashur që të thuhet se filani është lexues dhe të është thënë kjo.”
Sillet njeriu të cilit Allahu i ka dhënë pasuri. Allahu i thotë: “A nuk të kam dhënë pasuri, derisa nuk ke pasur nevojë për askënd?” Thotë: “Po, gjithsesi.” I thotë: “E, çka ke punuar në atë që të kam dhënë?” Thotë: “Kam qenë prej atyre që kam mbajtur lidhje farefisnore dhe kam dhënë lëmoshë.” Allahu do t’i thotë: “Gënjen!” Ehe engjëjt i thonë: “Gënjen!” I thotë Allahu: “Ti ke dëshiruar me lëmoshën tënde që të thuhet se je dorëdhënës.”
Pastaj sillet njeriu i cili ka luftuar në rrugën e Allahut dhe është vrarë. Allahu i thotë: “Për çka luftove?” Thotë: “Urdhërova për xhihad në rrugën Tënde dhe luftova gjersa u vrava.” Allahu i thotë: “Gënjen!” Edhe engjëjt i thonë: “Gënjen!” Allahu i thotë: “Ke dëshiruar që të thonë se filani është trim dhe të është thënë kjo.”
Pastaj, i Dërguari i Allahut më ra me shuplakat e tij mbi supet e mia dhe më tha: “O Ebu Hurejre, këta të tre janë të parët prej krijesave të Allahut me të cilët do të ndizet zjarri në Ditën e Gjykimit.”
Velid Ebu Uthmani tha: “Më ka lajmëruar Ukbe b. Muslimi, se Shefiu ishte ai i cili hyri te Muaviu dhe e njoftoi me këtë. Tha Ebu Uthmani: “Më ka treguar Ala b. Ebi Hakimi se ai ishte xhelati i Muaviut. Hyri tek ai dhe e njoftoi me këtë hadith nga Ebu Hurejra, atëherë tha Muaviu: “Allahu veproi kështu me këta e çka do të bëjë me ata të cilët kanë mbet prej njerzëve?” Pastaj Muaviu qau shumë, gjersa menduam se ai do të shkatërrohet prej të qarit. Atëherë thamë në vete se ky njeri na erdhi me një të keqe, pastaj Muaviut i kaloi kjo, e fshiu fytyrën e tij dhe tha: “Të vërtetën e ka thënë Allahu dhe i Dërguari i Tij: “Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t’u plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të, dhe atyre në të, dhe atyre nuk do t’u mungojë gjë. Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar.” (Hud, 15-16)
E lusim Allahun që të na bëjë prej robërve të Tij të sinqertë, të cilët punojnë për Allahun!
Marrë nga libri “Mekalat fi terbije”
Autori: Muhamed Duvejish
Përktheu: Shaban Murati