Shënon Imam Ahmedi, Nesaiu, nga Usame bin Zejdi, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut agjëronte ditët dhe i vazhdonte ato gjersa mendonim se nuk po ha fare dhe hante ditë të tëra, gjersa mendonim se nuk po agjëron asnjë ditë përveç dy ditët e javës, nëse nuk qëllonin këto dy ditë në agjërimin e tij ai i agjëronte dhe nuk agjëronte ndonjë muaj siç agjëronte në muajin Shaban.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, ti po agjëron, saqë po mendojmë se asnjëherë nuk po ha, ndërsa po ha gjersa po mendojmë se asnjëherë nuk po agjëron, përveç dy ditë në javë, të cilat i agjëron edhe nëse nuk je ato ditë në agjërim.” Tha i Dërguari i Allahut: “Cilat janë ato dy ditë?” Tha: “Dita e hënë dhe dita e enjte.” Tha: “Këto janë dy ditë në të cilat paraqiten veprat tona tek Allahu. Dëshiroj që të paraqiten veprat e mia tek Allahu dhe unë të jem agjërueshëm.” I thashë: “Nuk të kam parë që po agjëron ndonjë muaj më shumë se muajin Shaban.” Tha: “Ky është muaji në të cilin njerëzit janë të pakujdesshëm, që është mes Rexhepit dhe Ramazanit. Muaji Shaban është muaji në të cilin ngrihen veprat tek Allahu. Unë dëshiroj që veprat e mia të ngrihen tek Allahu duke qenë agjërueshëm.”
Ky hadith përfshin agjërimin e të Dërguarit të Allahut gjatë tërë kohës; ka përfshirë agjërimin e tij gjatë ditëve të javës, agjërimin e tij gjatë muajve të vitit. Sa i përket agjërimit gjatë tërë kohës së tij, nganjëherë ka vazhduar agjërimin e tij, saqë nuk hante asnjëherë, ndërsa nganjëherë ka ngrënë saqë është dukur se asnjëherë nuk po agjëron.
Gjithashtu kjo është transmetuar edhe nga Aishja, Ibën Abasi, Enesi dhe të tjerët.
Muslimi dhe Buhariu shënojnë nga Aishja, e cila thotë: “I Dërguari i Allahut agjëronte gjersa thoshim se asnjëherë nuk po ha, ndërsa hante gjersa thoshim se asnjëherë nuk po agjëron.”
Po ashtu, Buhariu edhe Muslimi shënojnë nga Ibën Abasi, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut agjëronte gjersa thoshte dikush se ai asnjëherë nuk ha, ndërsa hante gjersa thoshte dikush se ai nuk po agjëron.”
Gjithashtu, Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Enesi, i cili, kur është pyetur për agjërimin e të Dërguarit të Allahut, ka thënë: “Nëse kam dëshiruar që ta shoh të Dërguarin e Allahut agjërueshëm, e kam parë dhe nëse kam dëshiruar ta shoh duke ngrënë, e kam parë. Nëse kam dashur ta shoh duke falur namaz të natës, e kam parë e nëse kam dashur ta shoh duke fjetur, e kam parë.”
Gjithashtu, Muslimi shënon nga Enesi, i cili thotë: “Agjëronte i Dërguari i Allahut gjersa thoshin ka agjëruar, ka agjëruar dhe hante gjersa i thuhej po ha, po ha.”
Mesatarja në ibadet dhe ndalesa që të agjërohet tërë kohën
I Dërguari i Allahut e ndalonte atë i cili agjëron tërë kohën dhe tregonte për veten e tij se nuk e vepronte këtë as vetë. Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Abdullah b. Amri, se i Dërguari i Allahut i tha atij: “A agjëron ditën dhe falesh natën?” Tha se po. Tha i Dërguari i Allahut: “Por unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle dhe fle me gra. Ai që largohet prej Sunetit tim, nuk është prej meje.”
Po ashtu, në dy Sahihajnat, nga Enesi transmetohet se një grup prej shokëve të të Dërguarit i thanë njëri-tjetrit. “Unë nuk do të martohem asnjëherë”, tjetri tha: “Nuk do ta ha mishin”, tjetri tha: “Nuk do të fle.” Kur i arriti ky lajm të Dërguarit të Allahut, mbajti një hytbe dhe tha:“Ç’është puna e disave që thonë kështu dhe kështu? Unë falem e fle, agjëroj e ha dhe martohem. Ai i cili largohet prej Sunetit tim, nuk është prej meje.”
Në Musnedin e Imam Ahmedit nga një njeri prej sahabëve thuhet: “I është përmendur të Dërguarit të Allahut një robëreshë prej Benu Abdul Mutalib, se ajo po ngrihet tërë natën për të falur namaz dhe po agjëron tërë ditën, atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Unë fle dhe falem, agjëroj dhe ha. Kush më merr model mua, ai është prej meje, ndërsa kush largohet nga Suneti im, ai nuk është prej meje. Çdo punë ka vështirësi dhe lodhje(dobësim). Kush lodhet në bidate, ai ka devijuar, ndërsa kush lodhet në Sunetin tim, ai është udhëzuar.”
Gjithashtu, në Musnedin dhe Sunenin e Ebi Davudit, nga Aishja tregohet se Uthmani b. Madhuni dëshironte që të mos martohej dhe të mbetej beqar. Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: “A po largohesh nga Suneti im?”Tha: “Jo, për Zotin, por Sunetin dhe rrugën tënde dëshiroj.” Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Unë fle dhe falem, agjëroj dhe ha e martohem me gra. O Uthman, ki frikë Allahun sepse ndaj familjes tënde ke hak, ndaj musafirit ke hak, ndaj vetes tënde ke hak, ha dhe agjëro, falu dhe fle.”
Ka thënë Ikreme dhe të tjerët se një grup prej shokëve të të Dërguarit të Allahut, siç ishin Uthman b. Madhuni, Alij b. Ebu Talibi, Mikdad dhe Salim Mevla Ebi Hudhejfe vendosën që të mos martohen, të bëhen murgj, të ulen në shtëpi, të largohen prej grave dhe ndaluan shumë nga të mirat dhe nga veshjet, përveç atij ushqimi e veshjeje që mbanin adhuruesit e benu israilëve. Ata vendosën ta humbin epshin e tyre, u pajtuan që tërë natën të falin namaz dhe tërë ditën të agjërojnë dhe për këta zbriti fjala e Allahut: “O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që për ju i lejoi (i bëri hallall) dhe mos teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit).” (Maide, 87)
Në Sahihun e Buhariut tregohet se Selmani e kishte vizituar Ebu Derdan, sepse i Dërguari i Allahut i kishte vëllazëruar këta të dy. Kur shkoi, Selmani e pa nënën e Dardas të thjeshtë (të lënë pas dore). Atëherë i tha: “Si është puna jote kështu?” Ajo tha: “Vëllai yt, Ebu Derda, nuk po ka nevojë për dynja.” Kur erdhi Ebu Derda, ia ofruan atij ushqimin dhe Selmani i tha: “Ha.” Tha: “Un jam agjërueshëm.” I tha Selmani: “Unë nuk do të ha gjersa të hash ti.” Ebu Derda filloi të hajë. Kur erdhi nata, shkoi Ebu Derda që të falet. Selmani i tha: “Fli.” Pastaj dëshiroi të shkonte prapë të falte namaz nate, Selmani i tha: “Fli.” Kur erdhi fundi i natës, i tha Selmani: “Tani ngrihu.” U ngritën të dy dhe u falën, pastaj Selmani i tha Ebu Derdas: “Vërtetë ndaj vetes tënde ke hak, ndaj familjes tënde ke hak, ndaj musafirit tënd ke hak dhe secilës jepja hakun e vet.” Shkuan tek i Dërguari i Allahut dhe ia treguan këtë rast, atëherë i Dërguari i Allahut tha: “Të vërtetën ka thënë Selmani.”
Kështu i ka thënë i Dërguari i Allahut edhe Abdullah b. Amr b. Asit, kur ai agjëronte tërë kohën. I Dërguari i Allahut e ndaloi nga kjo dhe e urdhëroi që të agjëronte agjërimin e Davudit alejhi selam, të agjëronte një ditë dhe të hante një ditë, dhe i tha atij: “Nuk ka agjërim më të mirë se ky.” Kanë ardhur edhe transmetime të tjera që tregojnë për ndalesën e agjërimit në tërë kohën dhe të gjitha këto tregojnë se agjërimi më i mirë është ai i cili nuk është gjithmonë i vazhdueshëm, por të agjërohet një kohë dhe të ndërpritet një kohë. Dhe kjo është e vërteta nga fjalët e shokëve të të Dërguarit të Allahut. Ky është drejtimi i Imam Ahmedit dhe i të tjerëve.
Urtësia dhe fshehtësia e ndalimit të agjërimit gjatë tërë kohës
Urtësia e parë
I Dërguari i Allahut na ka treguar në më shumë se një vend për urtësinë e ndalimit të agjërimit gjatë tërë kohës. Ai ka thënë: “Nuk ka agjëruar dhe nuk ka ngrënë”, d.m.th. se nuk ka lodhje dhe vështirësi në agjërim, sepse agjërimi i tij ishte bërë traditë dhe i dashur për të, ndoshta do të dëmtohej me agjërimin e tij. E nëse ndonjëherë ka agjëruar e ndonjëherë ka ngrënë, me agjërimin e tij e ka arritur atë që ka dashur.
Urtësia e dytë
Fjala e tij për Davudin alejhi selam: “Agjëronte një ditë po një ditë jo dhe nuk ikte nëse takonte armikun.” Kjo sinjalizon se atë agjërimi nuk e dobësonte në ballafaqim me armikun dhe në luftë në rrugën e Allahut. Për këtë është transmetuar nga i Dërguari i Allahut, se u ka thënë shokëve të vet ditën e çlirimit, e cila kishte qëlluar në Ramazan: “Sot është ditë lufte, hani.” Umeri, nëse dërgonte ndonjë ekspeditë, u thoshte: “Mos agjëroni, sepse devotshmëria në luftë në rrugën e Allahut është më e mirë sesa agjërimi.”
Agjërimi më i mirë është ai i cili nuk e dobëson trupin, gjersa të pengojë nga ato punë të cilat janë më të rëndësishme se ai në hakun e Allahut apo në hakun ndaj njerëzve, që i ka të domosdoshme. Nëse agjërimi të dobëson nga ajo që është më e vlefshme se agjërimi, atëherë është më mirë të lihet agjërimi. P.sh. agjërimi mund të të dobësojë nga namazi, nga dhikri apo nga dija, siç është thënë për ndalesën e agjërimit në ditën e xhuma apo në ditën e Arafatit për ata që janë në Arafat, sepse agjërimi të dobëson nga dhikri dhe duaja në këto dy ditë. Abdullah b. Mes’udi e pakësonte agjërimin dhe thoshte: “Ai (agjërimi) më ndalon nga leximi i Kuranit, ndërsa leximi i Kuranit është më i dashur tek unë sesa agjërimi.” Gjithashtu të mësuarit e dijes për vete dhe të tjerëve është më i vlefshëm se agjërimi. Katër imamët e njohur kanë thënë se kërkimi i dijes është më i vlefshëm se namazi vullnetar, ndërsa namazi vullnetar është më i vlefshëm se agjërimi vullnetar. Kështu, pasi namazi qenka më i mirë se agjërimi, atëherë dija ka edhe më shumë përparësi në këtë, sepse dija është një dritë që shndrit errësirën e injorancës dhe të epsheve. Ai i cili shkon në një rrugë pa dritë nuk është i sigurt se nuk d të bjerë në pus me mbeturina dhe të ndotet. Ka thënë Ibnu Sirini: “Disa njerëz e kanë lënë dijen dhe kanë marrë vend faltoret, janë falur dhe kanë agjëruar pa dije, pasha Allahun nuk ka punuar dikush pa dije përveçse ka prishur më shumë sesa ka ndrequr.”
Po ashtu, si shembull të ndalesës së agjërimit vullnetar mund ta marrim edhe rastin kur agjërimi pengon për fitimin e pasurisë ndaj familjes apo dhënien e të drejtave ndaj grave dhe në këtë rast lënia e agjërimit është më e preferuar, duke sinjalizuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut: “Edhe ndaj familjes tënde ke hak.”
Urtësia e tretë
Fjala e të Dërguarit të Allahut: “Vërtetë ndaj familjes tënde ke hak dhe jepja hakun çdonjërit.” Me këtë i Dërguari i Allahut na tregon se shpirti është një amanet prej Allahut, që ta ruajmë atë. Biri i Ademit është i urdhëruar që t’ia japë hakun dhe prej hakut të tij është të jemi të butë me të. Ka thënë Hasen el-Basriu: “Shpirtrat tuaj janë ata të cilët ju dërgojnë te Zoti juaj. Përmirësoni shpirtin tuaj e ai jua mundëson të arrini te Zoti juaj. Kush ia jep hakun shpirtit të tij në gjërat e lejuara me nijet të forcimit të tij në vepra të mira, ai do të shpërblehet për këtë siç ka thënë Muadh b.Xhebeli: “Unë edhe gjumin tim e llogaris siç e llogaris kur jam i ngritur. Kush është i mangët dhe lë pas dore veten e tij gjersa t’i sjell dëm vetes së tij, ai i ka bërë zullum vetes së tij dhe në këtë ka sinjalizuar hadithi i të Dërguarit të Allahut, kur iu drejtua Abdullah b. Amër b. Asit:“Nëse ti e bën këtë, e ke lodhur shpirtin tënd dhe ke dëmtuar syrin tënd.” Një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe pranoi Islamin. Kur erdhi vitin e ardhshëm kishte ndryshuar dhe nuk e njohu i Dërguari i Allahut. Pasi e njohu, e pyeti për gjendjen e tij. I tha: “Pasi të kam takuar ty nuk kam ngrënë më ushqim ditën, atëherë i Dërguari i Allahut tha: “E, kush të urdhëroi ty që ta dënosh veten tënde?”
Kush e dënon veten dhe e ngarkon me atë që nuk mund ta mbajë, me agjërim apo diçka tjetër, ndodh që kjo të ndikojë në dobësimin e trupit të tij, të mendjes së tij dhe në këtë mënyrë atij i humbin shumë adhurime, i humbin më shumë sesa arrin me dënimin e vetes së tij me agjërim.
I Dërguari i Allahut ishte mesatar dhe vetes së tij ia jepte hakun. Ai ishte shumë i drejtë në këtë. Agjëronte, por edhe hante, falej natën, por edhe flinte, martohej me gra, hante ç’gjente prej ushqimeve të mira, si ëmbëlsira, mjaltë, mish pule e nganjëherë e kaplonte uria, saqë vendoste ndonjë gur mbi barkun e tij. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Ma paraqiti Zoti im që të m’i bëjë të gjitha rrafshinat e Mekës me ar, por unë i thashë: Jo, o Zoti im, por një ditë të jem i uritur e një ditë të ngopem. Nëse më kap uria, të lutem Ty dhe të përmend, e nëse ngopem, atëherë të falënderoj.”
I Dërguari i Allahut zgjodhi gjendjen më të mirë, që të bashkojë mes falënderimit, sabrit dhe kënaqësisë me atë që ia ka caktuar Allahu.
Urtësia e katërt
Fjala e të Dërguarit të Allahut që ia tha Abdulla b. Umerit: “Ndoshta jeta jote do të jetë e gjatë.”
Me këtë i Dërguari i Allahut sinjalizon se kush angazhohet shumë me ibadet, atë e ka marrë para vetes fuqia e rinisë së tij dhe qëndron në këtë gjersa të jetë i ri, ndërsa nëse shkon mosha e tij rinore, ai nuk do të mund t’i kryejë këto vepra. E, nëse bën sabër në këtë dhe angazhohet edhe gjatë pleqërisë, ndodh që të shkatërrojë trupin e tij, ndërsa nëse ndërpritet nga kjo punë, atëherë ka mundësi që t’i humbë atij gjëja më e dashur tek Allahu, që është vazhdimësia në punë. Për këtë ka thënë i Dërguari i Allahut: “Ngarkoni veten me ato vepra që keni mundësi t’i kryeni, se pasha Allahun, Allahu nuk lodhet gjersa ju të lodheni.” Po ashtu ka thënë i Dërguari i Allahut: “Vepra më e mirë tek Allahu është vepra e vazhdueshme, edhe nëse është e paktë.”
Kush punon një punë që trupi i tij e mban çdo herë, është më e mirë se ai që e ngarkon veten me më shumë se çka mund të mbajë, sepse atëherë ka mundësi që t’i paraqitet ndonjë sëmundje që pastaj e ndalon nga e tërë puna.
Përgatiti: Shaban Murati