Udhëzimi i të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, gjatë vizitës së të sëmurit
Nëse shpirtrat janë të krijuar me natyrshmërinë që të manifestojnë dashuri ndaj atyre që sillen mirë me ta dhe tregojnë interesim për ta, kjo dashuri është edhe më e shprehur gjatë momenteve të dobësisë, kur njeriu sëmuret, mbetet në shtrat dhe rraskapitet nga përdorimi i tepërt i ilaçeve. Prandaj, vizita në këto momente ka ndikim shumë të madh dhe ka domethënie të thellë për të treguar se sa është i solidarizuar vizitori me ndjenjat e të sëmurit dhe kjo kontribuon për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Për këtë shkak, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përkujdesej që t’i vizitonte të sëmurët dhe interesohej për gjendjen e tyre, madje ai këtë lloj vizite e bëri nga gjërat me të cilat obligohen besimtarët. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Obligimi i muslimanit ndaj muslimanit është në pesë gjëra, -ndër to- vizita kur të sëmuret.” (Shënon Buhariu)
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, punoi për vënien e këtij themeli në shpirtrat e sahabëve duke përmendur shpërblimet e mëdha që fiton besimtari kur viziton vëllanë e tij musliman. Nga këto hadithe është thënia: “Kush viziton vëllanë e tij besimtar (duke qenë i sëmurë), është duke ecur rrugëve të xhenetit derisa të ulet. Kur ulet, atë e përfshin mëshira. Nëse është ditë, mbi të çojnë salavate shtatëdhjetë mijë melekë deri në mbrëmje. Nëse është mbrëmje, atëherë mbi të çojnë salavatë mbi shtatëdhjetë mijë melek derisa të gdhijë mëngjesi.” (Shënon Ibën Maxheh)
Gjithashtu thotë: “Kush viziton një të sëmurë, apo viziton një vëlla të tij nga feja, atë e thërret një thirrës: “U gëzofsh me të mira dhe u shpërblefshin hapat e tua me të mirë dhe shtëpia jote u bëftë xheneti!”(Shënon Tirmidhiu).
Gjithashtu thotë: “Nuk ka ndonjë rob musliman që viziton ndonjë të sëmurë që nuk i ka arritur exheli (momenti i vdekjes) dhe thotë shtatë herë: “Lus Allahun e Lartësuar, Zotin e Arshit të Madhëruar, që të të shëroj!”, dhe që ai nuk do të shërohet.” (Shënon Tirmidhiu)
Rastet e vizitave të Muhamedit salallahu alejhi ue selem ndaj të sëmurëve janë të shumta; ai gjithmonë interesohej për gjendjen e shokëve të tij, sigurohej për shëndetin e tyre dhe kujdesej për ta. Në mesin e atyre që Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i vizitoi kur ishin të sëmurë ishin Sad ibën Ebi Vekasi, Zejd ibën Erkami, Xhabir ibën Abdullahi dhe të tjerë, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata sahabë. Por vizitat e tij nuk kufizoheshin vetëm te shokët të cilët i besuan atij, pasi ai vizitonte edhe jobesimtarët që njihte, që t’i thërriste ata në Islam dhe të udhëzoheshin. Në këtë mënyrë veproi edhe me djaloshin i cili punonte tek ai salallahu alejhi ue selem si shërbëtor. Ky djalosh u sëmur nga një sëmundje e rëndë dhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vazhdoi ta vizitonte atë derisa atij iu afrua vdekja. Kur i erdhi momenti i vdekjes, iu ul te koka dhe e thirri në Islam. Djaloshi shikoi babain e tij se çfarë po i thotë dhe babai i tha: “Pasoje Ebu Kasimin (Muhamedin (salallahu alejhi ue selem)!” Ai e pranoi Islamin dhe më pas vdiq. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, doli nga shtëpia e tij duke thënë: “Lavdërimi i qoftë vetëm Allahut, i Cili e shpëtoi atë nga zjarri.” (Shënon Buhariu)
Nëse lexojmë siren (biografinë) e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vërejmë praktikën e tij, se kur dëgjonte se ishte sëmurë dikush, ai nxitonte ta vizitonte, t’i rrinte afër, ta ndihmonte për nevojat që kishte, pastaj bënte lutje për të që të shërohej dhe t’i faleshin mëkatet, nëse ishte i sëmuri besimtar, ose e ftonte të pranonte Islamin, nëse ishte jobesimtar.
Nga lutjet që u bënte gjatë vizitave të sëmurëve, të cilat na janë përcjellë, është ajo që e transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë se kur Muhamedi salallahu alejhi ue selam vizitonte të sëmurët, thoshte: “Largoje sëmundjen, o Zoti i njerëzve, shëroje se Ti je Shëruesi, nuk ka shërim vetëm se shërimi Yt!” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Nëse i sëmuri kishte nevojë për rukje, ai e bënte këtë, ashtu si transmetohet nga Aishja në koleksionin e Buhariut. E, nganjëherë edhe i hidhte të sëmurit nga uji me të cilin kishte marrë abdest më parë dhe kështu shërohej me urdhrin e Allahut të Lartësuar, ashtu si transmetohet se veproi me Xhabir ibën Abdullahun (Allahu qoftë i kënaqur me të).
Prej Sunetit të tij gjithashtu ishte se për t`ua lehtësuar sëmundjen, ai u kujtonte shpërblimin që arrin besimtari i cili sprovohet me sëmundje. Kështu ua lehtësonte vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin dhe u kaliste atyre durimin dhe pritjen e shpërblimeve. Nga hadithet që na janë përcjellë është edhe thënia: “Nuk e lë sprova robin besimtar derisa ta pastrojë atë dhe ta bëjë të ecë në tokë duke mos pasur asnjë mëkat.”(Shënon Ibën Maxhe). Pastaj thotë: “Nuk ka asnjë rob që Allahu e sprovon me ndonjë sprovë në trupin e tij e që nuk i thotë melekut: “Shkruaji atij shpërblimin e veprave të mira që vepronte (kur ishte i shëndoshë).” Nëse shërohet nga sëmundja, atëherë ai e pastron plotësisht (nga mëkatet), por nëse ia merr shpirtin, atëherë e fal dhe e mëshiron atë.” (Shënon Ahmedi)
Kur në një rast i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vizitoi një grua që quhej Umu Saib, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe e dëgjoi se si ajo po e shante sëmundjen e etheve, pasi ajo ishte sëmurë nga kjo sëmundje, Muhamedi salallahu alejhi ue selem i tha: “Mos e shaj këtë sëmundje, sepse ajo është shkak që birit të Ademit t’i fshihen mëkatet ashtu si largon gjyryku (i farkëtarit) hekurin e keq gjatë farkëtimit.” (Shënon Muslimi)
Nga Suneti i Muhamedit ishte edhe udhëzimi i të sëmurëve që të shërohen me lloje të ndryshme barnash që dinte ai, sikurse aplikimi i “hixhames”, vënia e ujit të ftohtë mbi të sëmurin me temperatura, porositja që të shërohemi me mjaltë dhe me kokërr të zezë (habetu seuda) dhe me lloje të tjera barnash të cilat janë të lejuara. Ai thoshte:“O robër të Allahut, shërohuni! Vërtet Allahu nuk ka lënë ndonjë sëmundje e që nuk ia la asaj edhe ilaçin.” (Shënon Tirmidhiu)
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk e la anash edhe këshillimin dhe përkujtimin e të sëmurëve, varësisht prej situatave dhe rrethanave në të cilat gjendeshin ata. Ai këshilloi Sad ibën ebi Vekasin që mos t’i lërë anash të afërmit e tij, duke e ndaluar që t’u lërë testament të tjerëve më shumë se një të tretën e pasurisë.
Kur në një rast ishte i pranishëm te njëri nga sahabët e tij, i cili ishte në momentet e vdekjes, e këshillonte atë dhe të pranishmit për domosdoshmërinë e bashkimit mes frikës dhe shpresës tek Allahu i Lartësuar gjatë sëmundjes. Rast tjetër është ai kur ndalon që njeriu ta kërkojë vdekjen dhe të shpresojë për të, pasi ai duhet të parapërgatitet për takimin me Allahun e jo të shpresojë për vdekjen, ashtu si transmeton Enes ibën Maliku.
Në këtë mënyrë, i Dërguari salallahu alejhi ue selem na tregoi shembullin më të mirë se si duhet të përfitohen zemrat dhe të shfrytëzohen rrethanat e ndryshme për t’i thirrur njerëzit në Islam dhe në udhëzim.
Burimi: www.islamweb.net
Përktheu: Alaudin Abazi
Dijaonline.net