Rusia po punon për të forcuar lidhjet e saj ekonomike dhe ushtarake në Afrikë, ka bërë të ditur Moska.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të hënën se prania e Rusisë në Afrikë është në rritje. Ky hap është pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme të Moskës për të mbushur vakumin gjeopolitik në Afrikën Perëndimore, ndërkohë që fuqitë perëndimore po tërhiqen pas një sërë grushtesh ushtarake në rajon.

“Ne synojmë me të vërtetë të zhvillojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse bashkëpunimin tonë me vendet afrikane, duke u përqendruar kryesisht në bashkëpunimin ekonomik dhe investues,” u tha Peskov gazetarëve.

“Kjo përfshin gjithashtu edhe fusha të ndjeshme si mbrojtja dhe siguria,” shtoi ai.

Rritja e rolit të Rusisë në fushën e sigurisë në disa vende të Afrikës – përfshirë Malin, Republikën Qendrore Afrikane dhe Guinenë Ekuatoriale – është pritur me shqetësim nga Perëndimi. Kjo zgjerim ka ardhur në kurriz të fuqisë ish-koloniale, Francës, forcat e së cilës janë larguar ose dëbuar nga disa vende të Afrikës Perëndimore gjatë viteve të fundit, si edhe të Shteteve të Bashkuara.

Ambicia e Kremlinit duket se nuk është zbehur as pas raportimeve të fundit që grupi paramilitar rus Wagner po largohet nga Mali, pasi kishte ndihmuar qeverinë ushtarake të atjeshme në luftën kundër grupeve të armatosura.

Në vend të tij, do të qëndrojë në vendnjgjari një forcë tjetër paramilitare e kontrolluar nga Kremlini: “Africa Corps” (Trupat e Afrikës).

Mali, i cili drejtohet nga një qeveri ushtarake që erdhi në pushtet përmes dy grushtesh shteti në vitet 2020 dhe 2021, nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht praninë e Wagner-it, duke këmbëngulur se ka bashkëpunuar vetëm me “instruktorë rusë”.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, qeveria ka ndërprerë lidhjet me Francën dhe është orientuar drejt Rusisë për mbështetje politike dhe ushtarake.

Africa Corps u krijua me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, pasi themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe komandanti i tij, Dmitry Utkin, udhëhoqën një kryengritje të dështuar kundër udhëheqjes ushtarake ruse në qershor 2023 dhe u vranë dy muaj më vonë në një përplasje ajrore.

Sipas disa bisedave në platformën Telegram të përdorura nga mercenarë rusë, të cilat janë parë nga agjencia e lajmeve Reuters, rreth 70 deri në 80 për qind e anëtarëve të Africa Corps përbëhen nga ish-anëtarë të Wagner-it.

Zëvendësimi i Wagner-it me trupat e Africa Corps do të ndryshojë ndoshta rolin e Rusisë në Mali – nga pjesëmarrje direkte në luftime në drejtim të trajnimimit të ushtrisë vendase, tha Ulf Laessing, drejtues i programit për Sahel-in në Fondacionin Konrad Adenauer.

“Africa Corps ka një prani më të lehtë dhe përqendrohet më shumë në trajnim, sigurimin e pajisjeve dhe ofrimin e shërbimeve të sigurisë. Ata luftojnë më pak sesa mercenarët e stilit ‘Rambo’ të Wagner-it,” tha Laessing për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version