Institucionet kompetente, me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë nisur procesin e zhvarrosjes (ekshumimit) në një lokacion në komunën e Zubin Potokut. Ky aksion ndërmerret me qëllim identifikimin e mbetjeve mortore, në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që udhëhiqen nga ky institucion.
Gjatë këtij procesi, autoritetet kanë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar me inicialet M.J. dhe M.B.
Prokuroria ka bërë të ditur se i gjithë operacioni i ekshumimit po zbatohet në përputhje të rreptë me urdhrin gjyqësor, si dhe me standardet profesionale dhe ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave. Në terren janë të përfshira institucionet përgjegjëse dhe ekspertët përkatës.
“Informacionet e mëtejshme do të bëhen publike vetëm në masën që nuk cenojnë integritetin e procedurës penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Prokuroria Speciale ka rikonfirmuar përkushtimin e saj institucional për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.
