Shkëmbimi më i fundit i të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës është planifikuar të zhvillohet javën që vjen, siç ishte rënë dakord më herët me zyrtarët rusë, ka deklaruar shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, duke hedhur poshtë pretendimet e Moskës se Kievi kishte shtyrë pa afat këtë proces.

“Fillimi i aktiviteteve të riatdhesimit, në bazë të rezultateve dhe negociatave të zhvilluara në Stamboll, është planifikuar për javën e ardhshme, dhe personat përgjegjës janë njoftuar për këtë të martën”, tha në një deklaratë të dielën shefi i inteligjencës ushtarake, Kirilo Budanov.

“Çdo gjë po ecën sipas planit, pavarësisht lojërave të pista informative të armikut,” shtoi ai me një ton të ashpër.

Ky koment erdhi pasi Rusia akuzoi publikisht të shtunën Ukrainën për shtyrjen pa afat të kthimit të trupave të rreth 6,000 ushtarëve të rënë nga të dyja palët, si dhe të shkëmbimit të të burgosurve të plagosur rëndë dhe atyre nën moshën 25 vjeçare.

Budanov kundërshtoi këto akuza duke theksuar se Ukraina “po i përmbahet me përpikmëri marrëveshjeve të arritura në Stamboll,” duke iu referuar raundit të dytë të bisedimeve të zhvilluara në qytetin turk të hënën e kaluar.

Ndërkohë, Rusia pretendoi se kishte sjellë në pikën e shkëmbimit më shumë se 1,000 trupa të ushtarëve ukrainas të rënë dhe i kishte dorëzuar Ukrainës një listë me 640 të burgosur lufte, por se negociatorët ukrainas nuk ishin paraqitur në vendin e shkëmbimit. Ukraina mohoi këto akuza dhe i kërkoi Moskës të ndalojë “lojërat e pista”.

Melinda Haring, studiuese në Qendrën për Euroazinë pranë Këshillit Atlantik, tha për Al Jazeera se është shenjë pozitive që procesi duket se po rikthehet në rrugën e duhur.

“Ky është një zhvillim i madh, pasi ky shkëmbim do të jetë më i madhi që është realizuar deri tani mes Ukrainës dhe Rusisë. Dhe në të kaluarën, këto shkëmbime janë zhvilluar pa probleme të mëdha,” tha Haring. “Fakti që pati narrativa të kundërta në një kohë kur po tentohet të shtyhen bisedimet për paqe ishte vërtet shqetësues.”

“Shkëmbimet e të burgosurve të luftës konsiderohen si mënyra me rrezik të ulët për ndërtimin e besimit në një negociatë më të madhe. Fërkimet që ndodhën — që sipas meje u shkaktuan nga pala ruse — tregojnë mungesën e vullnetit të vërtetë për paqe nga ana e Moskës,” shtoi ajo.

Të dyja palët mbeten larg arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim të përkohshëm si hap konkret drejt përfundimit të konfliktit, pavarësisht përpjekjeve fillestare nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Presidenti amerikan Donald Trump po tregon shenja të pakënaqësisë me ngadalësinë e procesit, duke sugjeruar madje që palët duhet të “zihen edhe pak si fëmijë në park” para se të ndahen.

As Trump nuk ka ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar në vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Rusisë.


Luftimet vazhdojnë

Narrativat e kundërta dhe zbehja e përpjekjeve diplomatike ndodhin në sfondin e një lufte që po vazhdon në vitin e saj të katërt, ndërsa të dyja palët intensifikojnë sulmet ndaj njëra-tjetrës.

Në orët e para të së dielës, Rusia njoftoi se kishte rrëzuar 10 dronë ukrainas pranë kryeqytetit Moskë, duke detyruar dy aeroporte kryesore të ndërpresin përkohësisht aktivitetin. Kjo ndodhi vetëm një javë pas një operacioni të guximshëm dhe të paprecedentë të dronëve ukrainas, që kishte si objektiv avionë ushtarakë me kapacitet bërthamor në baza ajrore të thella në territorin rus, përfshirë edhe në Siberi. Kievi pretendon se ka shkatërruar 14 për qind të bombarduesve strategjikë të Rusisë.

Por edhe Ukraina ka qenë nën sulme të ashpra. Ditët e fundit, forcat ruse kanë goditur disa lokacione duke vrarë më shumë se një duzinë civilësh gjatë fundjavës. Qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, Harkivi, ka qenë më i godituri.

Gjithashtu, Rusia ka bërë përparime të konsiderueshme në terren. Ajo deklaroi se forcat e saj kanë hyrë për herë të parë në rajonin e Dnipropetrovskut që nga fillimi i luftës. Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se njësitë e saj të tankeve kanë arritur në kufirin perëndimor të rajonit dhe po vazhdojnë ofensivën. Ky rajon industrial është shtëpia e rreth tre milionë banorëve dhe përfshin qytetin e madh Dnipro. Ukraina ende nuk ka komentuar mbi këto pretendime.

“Ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi rajoni i Dnipropetrovskut nuk është një nga ato që Rusia i konsideron si pjesë të Federatës Ruse pas referendumeve të zhvilluara në vitin 2022,” raportoi nga Kievi gazetari i Al Jazeera, Charles Stratford.

“Putini e konsideron Donetskun, Khersonin, Luhanskun dhe Zaporizhian si pjesë të Rusisë — Dnipropetrovsku nuk është në atë plan. Pra, nëse vërtet trupat ruse po kalojnë në këtë rajon, atëherë kemi të bëjmë me një zhvillim tepër domethënës,” përfundoi aibo

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version