Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka sqaruar pozicionin e partisë së tij pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit. Në një deklaratë për media, Krasniqi theksoi se vendimi i tyre ishte i nevojshëm për t’i dhënë fund bllokadës politike, edhe pse nuk ishte një zgjedhje e preferuar.

“Pas gati pesë muajve bllokadë nga Lëvizja Vetëvendosje, me rikthimin te rendi kushtetues… sot, larg nga e dëshiruara, u zgjodh Kryetari i Kuvendit,” tha Krasniqi. Ai shtoi se as votuesit e LVV-së dhe as qytetarët nuk janë të kënaqur me këtë përzgjedhje, duke lënë të kuptohet se kjo tregon se sa pak i vlerëson Albin Kurti.

Krasniqi ishte i qartë në arsyetimin e tij: “Në një situatë normale asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimal Basha në krye të kuvendit”. Megjithatë, ai theksoi se PDK-ja e dha votën e saj për të mbajtur fjalën e dhënë publikisht, e cila ishte zhbllokimi i situatës politike.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version