Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka shpjeguar publikisht vendimin e saj për të mos votuar Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit. Në një reagim të fortë, ajo e ka cilësuar kandidatin e zgjedhur si një figurë përçarëse, e papranueshme për një post kaq të rëndësishëm.

“I thashë JO Dimal Bashës. Nuk mund të votoj për Kryetar të Kuvendit një person që karrierën politike e ka ndërtuar, jo mbi vizionin e unitetit, por mbi urrejtje dhe përçarje,” shkroi Musliu, duke theksuar se ky refuzim nuk ishte personal, por i bazuar në parime të forta politike dhe morale.

Ajo theksoi se Basha ka treguar haptazi “përçmim” ndaj vlerave që ajo përfaqëson, përfshirë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Drenicën, PDK-në dhe figurën e ish-presidentit Hashim Thaçi. Për Musliun, një votë për Bashën do të ishte tradhti ndaj besimit të mbi 31,000 votuesve të saj, të cilët e kanë mbështetur për më shumë se 16 vjet.

“Ne kemi nevojë për udhëheqës që bashkojnë, jo që përçajnë e përçmojnë. Ne kemi nevojë për liderë që respektojnë historinë, jo që e shkelin atë për interesa personale apo politike,” shkroi ajo.

Musliu e përmbylli deklaratën e saj me fjalët “Ky nuk është inat – ËSHTË PARIM”, duke lënë të kuptohet se vendimi i saj vjen nga një qëndrim i palëkundur politik. Votimi për Dimal Bashën u përmbyll me 73 vota pro, ku votat erdhën edhe nga deputetë të tjerë të PDK-së dhe AAK-së.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version