Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se mbetet i hapur për takime, konsultime dhe bashkëpunim politik me qëllim tejkalimin e krizës institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ka bërë dy oferta kompromisi për të zgjidhur situatën e bllokuar.

“Gjithmonë jam i gatshëm për takime, konsultime konstruktive e bashkëpunime, për konsensus e kompromis,” u shpreh Kurti.

Sipas tij, kompromisi i parë i propozuar partive politike përfshin mundësinë që ato të delegojnë përfaqësues dhe të arrijnë një marrëveshje të përbashkët për zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit, përmes një pakoje që do të votohej me procedurë individuale për secilin emër.

“Nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë. Me bojkot nuk shkohet përpara. Të kemi marrëveshje politike për kryetarin dhe pesë nënkryetarët – me marrëveshje paketë të votohen një nga një,” tha Kurti.

Kompromisi i dytë, sipas Kurtit, është ofruar në mënyrë të njëanshme nga kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Kompromisi tjetër është ofruar njëanshëm nga kandidatja jonë Albulena Haxhiu, e cila ka deklaruar se nëse nuk votohet me votim të fshehtë, do të tërhiqet. Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër,” theksoi Kurti.

Ai gjithashtu shprehu habi për kundërshtimet e vazhdueshme të partive opozitare ndaj përdorimit të votimit të fshehtë si mekanizëm vendimmarrës.

“Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare për votim të fshehtë, kur dihet që qytetarët me 9 shkurt kanë votuar me votë të fshehtë dhe e kanë bërë Vetëvendosjen fituese,” theksoi Kurti.

Në përmbyllje të deklaratës së tij, Kurti kritikoi partitë opozitare PDK dhe LDK, duke thënë se ato nuk po veprojnë me të njëjtin angazhim si Lëvizja Vetëvendosje. Këto komente ai i bëri gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për një çerdhe në fshatin Bradhosh të Prishtinës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version