The Economist

Kush do të blinte sot një leje televizive? Në Britani, çdo ditë e më pak njerëz e bëjnë këtë. Abonimet për taksën vjetore prej 180 £ (245 $), e nevojshme për të ndjekur transmetuesit publikë dhe platformën iPlayer të BBC-së, ranë në 23.2 milionë në vitin 2025—viti i tetë radhazi i rënies. Kjo zbrazëti shkaktohet pjesërisht nga kalimi i shikuesve në platforma të tilla si Netflix. Mirëpo, shmangia e drejtpërdrejtë po merr përmasa edhe më të mëdha.

Sepse kush ndjen sot ende dëgjesë e respekt ndaj një transmetuesi që përfshihet vazhdimisht në skandale?

Shkalla e parashikuar e shmangies është rritur nga 5.2% që ishte në vitin 2010, në 11.9% sot. Rreth gjysma e atyre që deklarohen se nuk kanë nevojë për leje televizive e bëjnë këtë në mënyrë të pasaktë, vlerëson BBC-ja. Këto ditë, ngrit supet një drejtues i korporatës, njerëzit thjesht nuk ua hapin derën inspektorëve të taksës së lejes televizive.

Britanikët po u shmangen detyrimeve që dikur konsideroheshin detyra qytetare. Nivelet e mospërputhjes dhe moszbatimit janë rritur në të gjitha përgjegjësitë e përditshme, si pagesa e taksave vendore, përgjigja ndaj anketave zyrtare dhe dërgimi i fëmijëve në shkollë. Trende të ngjashme vërehen në të gjithë Evropën dhe Amerikën.

Të marra veç e veç, këto mospjesëmarrje mund të duken të palidhura ose banale. Ato burojnë nga shkaqe të ndryshme, nga shtrëngimi i buxheteve familjare e deri te disinformimi në internet. Por, po t’i mbivendosësh, modeli që shfaqet është goditës. Diçka duket se ka degraduar në marrëdhënien midis shtetit dhe shoqërisë. Ndërsa bindja dhe zbatueshmëria bien, shteti bëhet më pak efektiv, duke e lënë publikun edhe më skeptik e cinik.

Andy Burnham dhe kolegët e tij shqetësohen për këto prirje. Kur kryeministri vajton “neoliberalizmin”, ai flet po aq për individualizmin e shfrenuar sa edhe për ekonominë, shpjegon një personazh nga rrethi i tij. Institute for Public Policy Research (IPPR), një grup mendimi (think-tank) i afërt me qeverinë, advokon për “reciprocizmin”: ai mbështet masa të tilla si votimi me detyrim për të rindërtuar ndjenjën e detyrimit qytetar.

Duket se në lojë janë tre fajtorë kryesorë.
I pari është një rënie afatgjatë e besimit dhe e dëgjesës. Në vitin 1986, 38% e njerëzve deklaronin se zakonisht i besonin qeverisë se do të vendoste interesin kombëtar në radhë të parë (shih grafikun 2). Sot, vetëm 9% thonë të njëjtën gjë, sipas anketës British Social Attitudes. Përqindja e atyre që deklarojnë se korrupsioni është endemik në shërbimin civil u rrit me 16 pikë përqindjeje nga viti 2014 në 2023, ndërsa ata që thonë se zbatimi i ligjeve dhe rregullave është “shumë i rëndësishëm” ra me gjashtë pikë, raporton studimi i International Social Survey Programme. Anketa World Values Survey gjen se pjesa e atyre që mendojnë se do të ishte mirë të kishte “respekt më të madh për autoritetin” ra nga 74% në 56% midis viteve 1981 dhe 2022.

Së dyti, një gërshetim i taksave të larta me shërbimet e dobëta ka shteruar besimin te qeverisja. “Njerëzit po largohen nga shteti, sepse shteti nuk ka përmbushur detyrimet ndaj tyre,” thotë Harry Quilter-Pinner nga IPPR. Kërkesa për alternativa si kujdesi shëndetësor privat po rritet. Fajtori i tretë është pandemia COVID-19, e cila thyeu shumë zakone të bindjes dhe zbatimit të rregullave.

Britania nuk është një vatër libertarianësh me mjekërr që jetojnë jashtë rrjetit nëpër pyje. Njerëzit e ushqejnë neverinë ndaj shmangies së taksave dhe mashtrimit me ndihmat sociale më shumë se në shumë ekonomi të tjera të pasura. Mirëpo, edhe një rënie modeste e zbatueshmërisë mund të jetë mjaft e kushtueshme. Merrni taksën e këshillave vendorë (council tax), e cila grumbulloi 47 miliardë £ (1.6% e PBB-së) vitin e kaluar. Ajo mblidhej në Angli me një normë mbi 97% gjatë viteve 2010. Gjatë periudhës më të rëndë të pandemisë COVID-19, këshillat ndërpritën ekzekutimin e detyrueshëm të borxheve. Norma e mbledhjes nuk u rikthye kurrë në nivelin e mëparshëm, duke rënë në 95.6% vitin e kaluar. Prapambetjet në pagesa janë rritur në 7.4 miliardë £.

Ekzekutimi më i dobët i ligjit ndihmon gjithashtu për të shpjeguar një rritje dramatike të faturave të papaguara të energjisë, që tani kapin vlerën e 6 miliardë £. Shumë familje po përballen me vështirësi financiare. Mirëpo borxhet e energjisë nuk akumulojnë interes dhe furnizuesit rrallëzuar u presin energjinë shtëpive. Si rrjedhojë, njerëzit që kanë mundësi financiare t’i shlyejnë borxhet e tyre po përfitojnë falas (free-riding) nga rregullat e hartuara për mbrojtjen e shtresave të cenuara, pretendon Energy UK, një grup lobues i industry-së. Edhe licencimi i TV-ve zbatohet më dobët. Publiku nuk u beson më “furgonëve detektorë” që dikur thuhej se patrullonin rrugëve, dhe BBC-ja heziton të shohë borxhnjtë të përfundojnë në burg.

COVID-19 shkaktoi një “krisje fundore” në marrëdhënien midis shkollave dhe prindërve, përfundonte një raport nga Public First, një firmë konsulence. Pasi përjetuan izolimet e detyrueshme (lockdowns), shumë prindër arritën në përfundimin se arsimi është thjesht opsional. Mungesa e qëndrueshme (nxënësit që humbasin 10% ose më shumë të shkollës) arriti në 23% në vitin 2022, më shumë se dyfishi i mesatares para COVID-it.

Fushata e vaksinimit në Britani qe jashtëzakonisht e popullarizuar, e megjithatë ajo nxititi gjithashtu një valë skepticizmi online ndaj vaksinave. Vaksina gjashtë-në-një, e cila mbron nga tmerre të tilla si poliomieliti, është një shembull. Përqindja e fëmijëve dyvjeçarë të mbuluar e tejkalonte objektivin 95% të Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo vit nga 2010 deri në 2018. Ajo nuk është arritur më që nga ajo kohë, duke rënë në 92.5% vitin e kaluar. Në Hackney, një lagje e Londrës, ajo ra me me vrull në 66%. Kontrollet e tjera thelbësore shëndetësore po dështojnë gjithashtu: përqindja e grave që i nënshtrohen ekzaminimeve për kancerin e qafës së mitrës dhe të gjirit ka rënë po ashtu, në linjë me ekonomitë e tjera të zhvilluara.

Disa ndryshime mund ta bëjnë jetën urbane të duket e çrregullt. Shmangia e pagesës së biletës në metronë e Londrës (London Underground) u rrit ndjeshëm gjatë pandemisë dhe tani qëndron në 3.5%. Transport for London synon ta ulë këtë normë në 1.5% deri në vitin 2030. Mirëpo udhëtarët janë bërë më tolerantë ndaj atyre që kërcejnë traut të hyrjes. Përqindja e britanikëve që deklarojnë se shmangia e biletës nuk është “kurrë e arsyetueshme” ka rënë me 15 pikë që nga viti 1981.

Në Britani, ashtu si gjetkë, shkalla e përgjigjeve në anketat zyrtare të punësimit ka pësuar rënie, duke i lënë hartuesit e politikave monetare të ecin në errësirë. Në vitin 1977, Anketa e Fuqisë Punëtore në Britani kishte një shkallë përgjigjeje prej 70%. Ajo mezi arriti në pikën më të ulët prej 13% në vitin 2023 dhe tani qëndron në 23%. Një arsye është se telefonat fiks i kanë lënë vendin telefonave celularë. Mirëpo, rënia e besimit te institucionet është pjesë e problemit. Sir Ian Diamond, ish-kreu i Zyrës për Statistikat Kombëtare, foli për “nivele shumë të larta refuzimesh të prera” krahasuar me periudhën para pandemisë.

Ndryshimet në peizazhin mediatik mund të mos jenë duke ndihmuar. Merrni parasysh ndalimet e përdorimit të zorrëve të ujitjes që hynë në fuqi në pjesën më të madhe të Anglisë pas Thatësirave këtë verë, të cilat mbështeten te bindja vullnetare. Në vitet 1970, Daily Telegraph, një gazetë për njerëzit me kopshte të mëdha, ofronte këshilla të prerë se si t’ia dilje pa to. Këtë verë, ajo botoi kolumne me tituj të tillë si: “Po i sfidoj ndalimet e zorrës së ujitjes derisa kompania ime e ujësjellësit të vërë punët në vijë”.

Të ardhurat më të ulëta nga taksat, statistikat e pabesueshme dhe një popullsi më e sëmurë e bëjnë çdo qeveri më pak efektive. Nuk ka asnjë kuptim të shpenzohen miliarda në kurrikulat shkollore apo në fushatat e vaksinimit nëse njerëzit nuk paraqiten. E megjithatë, zbehja e zbatueshmërisë paraqet një problem të veçantë për të majtën, e cila e koncepton shtetin si një projekt kolektivist. “Efekti është asimetrik: ai minon disa nga tezate kryesore të krahut progresist të politikës,” thotë z. Quilter-Pinner. Z. Burnham premton një shtet më të madh. Por shumë britanikë po zgjedhin të largohen tërësisht prej tij.

The Economist

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version