Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se ndonëse gjendja e sigurisë në vend duket e qetë, ajo mbetet ende e brishtë për shkak të tensioneve politike të pazgjidhura që vazhdojnë të ndikojnë në stabilitetin rajonal.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, Barduani theksoi përkushtimin e pandërprerë të NATO-s për paqe dhe stabilitet në Kosovë, duke e konsideruar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si mënyrën e vetme për të arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata.

Ai rikujtoi se NATO është e pranishme në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999 dhe se kontributi i saj ka qenë thelbësor për përmirësimin e situatës së sigurisë ndër vite.

Sipas tij, nga 50 mijë trupa sa ishin në vitin 1999, KFOR-i është transformuar në një forcë më të vogël, por më e përgatitur dhe më fleksibile, me rreth 4.600 trupa në terren aktualisht.

“Pavarësisht përmirësimeve të dukshme, situata mbetet e ndjeshme. Ngjarjet e vitit 2023 dhe incidentet e fundit, përfshirë edhe sulmin në Ibër-Lepenc, tregojnë qartë se paqja nuk është një e dhënë e garantuar,” tha Barduani.

Ai njoftoi se KFOR-i ka ndërmarrë masa parandaluese për të ruajtur stabilitetin, përfshirë forcimin e pranisë në zonat me ndjeshmëri të lartë, si dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetet lokale, Policinë e Kosovës dhe institucionet vendore të sigurisë.

Duke folur për incidentin në Zveçan gjatë vitit të kaluar, ku disa ushtarë të KFOR-it u lënduan në përballje me protestues serbë, Barduani e cilësoi atë akt si të papranueshëm dhe shprehu pritjen që autorët e dhunës të përgjigjen para drejtësisë.

Ai gjithashtu shprehu zhgënjim për mungesën e progresit në hetimet lidhur me këtë ngjarje, duke theksuar se si reagim, NATO kishte vendosur të dërgonte 1.000 trupa shtesë në Kosovë për të përforcuar sigurinë.

Sa i përket sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, komandanti i KFOR-it theksoi se kjo çështje nuk bie në kuadër të mandatit të tij, por i takon autoriteteve të rendit dhe drejtësisë që të zhvillojnë hetimet dhe të sjellin përgjegjësit para ligjit.

Në lidhje me raportimet për shtim të pranisë ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, Barduani sqaroi se nuk është regjistruar asnjë shkelje të procedurave të dakorduara me NATO-n dhe se gjendja përgjatë vijës administrative është nën kontrollin e plotë të KFOR-it.

Ai përmbylli duke theksuar se ekziston bashkëpunim i rregullt dhe funksional si me Forcat e Armatosura të Serbisë, ashtu edhe me institucionet e sigurisë në Kosovë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version