Grupi ukrainas i teknologjisë së mbrojtjes Brave1, i cili mbështetet nga shteti, ka nisur zhvillimin e një lloji të ri municioni kundër dronëve, me synimin për të rritur ndjeshëm efektshmërinë në goditjen e objektivave ajrorë.

Municionet prodhohen në kalibrin standard të pushkës 5.56 mm, që është shumë i përdorur në pajisjet ushtarake. Sipas raportimeve nga Oboronka – një projekt i industrisë së mbrojtjes në Mezha – Brave1 po punon për të sjellë këtë teknologji të re në shërbim të forcave të armatosura, transmeton Dija Online.

Municioni i ri është i pajisur me një kokë speciale, e cila rrit dukshëm mundësinë për të goditur dronët në fluturim në krahasim me fishekët standardë. Megjithatë, për momentin nuk janë dhënë informacione të detajuara teknike mbi strukturën ose mënyrën e funksionimit të këtij municioni.

Produktit të ri i është dhënë një kodifikim zyrtar nga autoritetet, dhe përpjekjet aktuale janë përqendruar në rritjen e kapaciteteve të prodhimit për të përmbushur nevojat e njësive të këmbësorisë brenda forcave mbrojtëse të Ukrainës.

Brave1 më herët ka prezantuar gjithashtu një dron të avancuar, të pajisur me inteligjencë artificiale, i zhvilluar nga kompania ukrainase UADamage. Ky dron është në gjendje të monitorojë zona të kontaminuara me mina deri në 100 herë më shpejt se një ekspert i specializuar për asgjësim bombash.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version