Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u deklarua pas dështimit të 40-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. I pyetur nëse do të marrë pjesë në një takim nëse ftohet nga presidentja Vjosa Osmani, Abdixhiku u përgjigj shkurt:
“Jo, ende nuk kam marrë ftesë, dhe shkojmë kurdo që marrim ftesë. Dhe bënë mirë që na mbledh presidentja dhe bënë mirë edhe që të ketë qëndrim për këtë çështje”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e një pozicionimi të presidentes për situatën aktuale politike.
Ndërkohë, nga Presidenca është bërë e ditur se presidentja Vjosa Osmani pritet t’i ftojë në ditët në vijim liderët e partive politike për takime konsultative.
Lajmin e konfirmoi këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili theksoi se Osmani pret që subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit 30-ditor, siç është kërkuar nga gjykata.
“Presidentja Osmani do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata. Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, deklaroi Kupina.