Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka ndërmarrë një veprim të suksesshëm në parandalimin e një rasti të kontrabandës së mallrave të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur më 27 qershor 2025, rreth orës 21:20, në Pikën Kufitare të Bërnjakut, gjatë hyrjes së një automjeti në vend. Pas deklarimit negativ nga ana e udhëtarit për mallra që kërkojnë deklarim doganor, zyrtarët doganorë kanë vendosur që automjeti të kalojë në kontrollin e detajuar në vijën e dytë.
Gjatë këtij kontrolli, në pjesët e fshehura të automjetit – konkretisht në hapësirat nën tapeta dhe në kutitë e ulëseve – janë zbuluar mallra të padeklaruara, përkatësisht insekticide me origjinë nga Serbia.
Lista e mallrave të sekuestruara përfshin:
-
Tonus 2.5gr – 300 copë
-
Alverde 5ml – 200 copë
-
Apioxal Strips – 17 copë
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët dhe bizneset se importi i produkteve të tilla është i rregulluar me ligj dhe kërkon leje dhe dokumentacion përkatës. Çdo tentim për t’i futur ato në vend pa deklarim përbën shkelje ligjore dhe si i tillë ndëshkohet sipas dispozitave në fuqi.
Autoritetet doganore theksojnë se mbeten të përkushtuara ndaj mbrojtjes së tregut të brendshëm dhe shëndetit publik, duke angazhuar të gjitha kapacitetet për të parandaluar futjen e mallrave të paautorizuara në Kosovë.