ChatGPT nuk është vetëm për të dhënë përgjigje. Ja se si kjo inteligjencë artificiale mund t’ju kursejë një sasi të jashtëzakonshme kohe.
ChatGPT po e ndryshon botën me një ritëm të shpejtë. Ky proces tashmë ka filluar dhe do të përshpejtohet edhe më shumë teksa teknologjia përmirësohet, më shumë njerëz fitojnë qasje në të, dhe sa më shumë njerëz mësojnë si ta përdorin.
Ajo që është befasuese është numri i madh i detyrave që ChatGPT është tashmë i aftë t’i menaxhojë për ju. Ndërsa ata që janë më skeptikët mund të nënvlerësojnë potencialin e asistentëve me inteligjencë artificiale, ju mund ta përdorni për të kryer lloj lloj punësh. Këtu janë disa prej përdorimeve më të preferuara:
1. Shkruan email-et për ju
Të gjithëve na ka ndodhur që të na duhet të shkruajmë një email — qoftë personal apo profesional — por të mos dimë si ta formulojmë në mënyrën më të mirë. ChatGPT mund të marrë përsipër pjesën më të vështirë, duke shkruar një email të strukturuar mirë, bazuar në informacionin që i jepni.
Supozoni se email-i që duhet të shkruani është profesional dhe një formulim i gabuar mund të dëmtojë karrierën tuaj. Duke e udhëzuar ChatGPT për strukturën, përmbajtjen dhe tonin që dëshironi, mund të krijoni një email shumë të mirë për fillim.
Një këshillë: mos e pranoni menjëherë versionin e parë. Lexojeni, sugjeroni përmirësime dhe përshtateni edhe vetë. Idealja është që gjithmonë ta personalizoni.
2. Krijon itinerare dhe orare
Nëse po planifikoni një udhëtim, por nuk e duroni pjesën e organizimit, ChatGPT mund të përgatisë itinerare të personalizuara. Rezultatet varen nga sasia e detajeve që jepni.
Nëse pëlqeni të udhëtoni të paktën një herë në vit dhe ta shfrytëzoni maksimalisht çdo udhëtim, mund ta përdorni ChatGPT për të ndërtuar planin. Jepi destinacionin dhe çfarë doni të vizitoni, dhe ChatGPT bën pjesën më të madhe të punës. Në vend se të kaloni ditë duke kërkuar, ju mund ta reduktoni procesin në disa minuta.
Përdorni kërkesa të ndryshme për ta sjellë itinerarin sa më afër dëshirës suaj. Do të zbuloni ide interesante që ndoshta nuk do t’i kishit menduar vetë.
3. Shpjegon koncepte të ndërlikuara
Një nga përdorimet më të fuqishme të ChatGPT është për të shpjeguar koncepte të vështira. Pyeteni për çdo temë që ju intereson dhe zakonisht do të merrni një shpjegim të qartë. Madje mund të kërkoni edhe elementë vizualë.
Për shembull, nëse një drejtues në punë flet vazhdimisht për rëndësinë e “rrjetëzimit” (networking) pa e shpjeguar ndonjëherë çfarë do të thotë konkretisht — pyeteni ChatGPT!
Në të vërtetë, kjo vlen për çdo temë: realiteti i shtuar, përpunimi multi-threaded, blockchain, modelet e mëdha të gjuhës — ChatGPT do t’jua shpjegojë thjesht, me shembuj, ndoshta edhe me analogji dhe imazhe.
4. Analizon dhe ndihmon në vendime të vështira
Të gjithë përballemi me vendime të vështira. Herën tjetër që ndiheni të pasigurt për një vendim të rëndësishëm, kërkoni këshillë nga ChatGPT.
Duket e çuditshme të mbështetesh tek AI për vendime të mëdha, por ndonjëherë mund të ndihmojë më shumë sesa një person tjetër. Ndryshe nga njerëzit, ChatGPT nuk ndikohet nga emocionet dhe përdor logjikën. I vetmi rrezik është anësia e konfirmimit. Pra t’i konfirmoj ose validoj idetë tuaja.
Prandaj sigurisht, nuk duhet të merrni çdo sugjerim si të prerë. Përdoreni për të peshuar të mirat dhe të këqijat, për të kuptuar çfarë vlerësoni më shumë, dhe për të eksploruar drejtimet e mundshme. Edhe refuzimi i një përgjigjeje mund t’ju tregojë se çfarë doni vërtet.
5. Planifikon projekte të ndërlikuara dhe strategji
Shumica e punëve përfshijnë një nivel planifikimi projekti. Edhe si shkrimtar i pavarur, duhet të menaxhosh detyrat për të përfunduar projektet në kohë. Këtu hyn në lojë ChatGPT, që mund t’i ndajë projektet në hapa të menaxhueshëm.
Thjesht tregojini natyrën e projektit, objektivin final, kufizimet që keni dhe çfarë keni bërë deri tani. ChatGPT do ta ndajë atë në një plan hap pas hapi, madje edhe në faza të veçanta nëse është e nevojshme.
Nëse herën e parë nuk ju përshtatet struktura që ju jep, përdorni kërkesa të tjera derisa të përputhet me atë që dëshironi. Do t’ju kursejë shumë kohë në planifikim.
6. Përmbledh kërkime dhe shënime
Kur duhet të hulumtoni një temë, ChatGPT mund t’ju kursejë kohën e përmbledhjes së informacionit. Para një udhëtimi në Kroaci, kërkova një përmbledhje të Luftës për Pavarësi të Kroacisë, me pika të shkurtra që ndihmojnë në kuptimin e kontekstit.
Pasi mora përmbledhjen, kërkova një kronologji të ngjarjeve kryesore. ChatGPT ofroi edhe harta të betejave dhe profile të figurave kryesore. Ju mund të thelloheni edhe më shumë me funksionin Deep Research, tani i disponueshëm edhe për përdoruesit falas (deri në 5 kërkime mujore). Ai mbledh informacion nga interneti dhe e strukturon në raport me referenca. Ky proces zgjat deri në 30 minuta, por kursen ditë të tëra pune.
7. Përmbledh artikuj, takime dhe më shumë
Meqenëse çdo ditë publikohen pafund artikuj të rinj, shpesh nuk kemi kohë për të lexuar gjithçka. Për artikuj të gjatë, përdorni ChatGPT për një përmbledhje të shpejtë — më pas lexoni vetë vetëm nëse ju duket e nevojshme.
Kam përdorur këtë metodë për një artikull të Dija Online rreth rreziqeve të ekzagjërimit të intelegjencës artificiale. ChatGPT përmblodhi pikat kryesore dhe analizoi se sipas argumenteve. Por si duket, përfshiu edhe elementë nga artikuj të tjerë — nëse s’ju pëlqen kjo, thjesht tregojeni të përmbahet vetëm tek linku i materialit tuaj.
Kjo metodë është perfekte për intervista, ligjërata, video dhe takime Zoom. Vetëm kini kujdes: mos ndani informacione sekrete apo të mbrojtura me kontratë.
8. Krijon kartat pyetje-përgjigje për mësim
Kartat ndihmojnë shumë për të memorizuar informacion, sidomos kur përgatiteni për provime, intervista apo trajnime. Me ChatGPT, nuk keni më nevojë t’i krijoni vetë manualisht — thjesht tregoni çfarë po mësoni.
Mund të specifikoni formatin (si Q&A apo shumë-alternativa), temën, dhe nivelin e detajit. Mund të ngarkoni edhe shënimet tuaja për referencë. Google NotebookLM është një tjetër mjet që mund ta përdorni në mënyrë të ngjashme.
9. Ofron praktikë për intervista
Qoftë në fillim të karrierës, qoftë me përvojë të gjatë, është gjithmonë ide e mirë të praktikoni për intervista. Dikur duhej të luteshe te një mik që të bënte rolin e intervistuesit, por tani ChatGPT mund ta bëjë këtë — dhe shpesh më mirë.
Tregojani titullin e vendit të punës, industrinë, nivelin e pozicionit, llojin e intervistës (screening, teknike, panel, etj.), dhe çdo detaj tjetër që ka rëndësi. ChatGPT do të simulojë intervistën dhe do t’ju japë edhe reagime për çdo përgjigje që jepni.
Kur e provova vetë, u habita se sa mirë mund të simulojë një intervistues real. Sugjerimet që jep përmirësojnë ndjeshëm mënyrën se si paraqiteni para një rekrutuesi të vërtetë.
____________________________________________________________________________
Në përfundim, ChatGPT është shumë më tepër se një mjet përgjigjesh — është një ndihmës digjital që mund t’ju kursejë orë të tëra në çdo ditë pune apo studimi. Mjafton ta përdorni me kreativitet.