Qyteti më i madh i Amerikës merr një kthesë të çuditshme

Andrew Cuomo, ish-guvernatori i Nju Jorkut, pranoi humbjen ndaj Zohran Mamdanit në zgjedhjet paraprake të demokratëve për kryetar bashkie në qytetin e Nju Jorkut më 24 qershor. Deri vonë, as mbështetësi më entuziast i Mamdanit nuk mund ta kishte imagjinuar se socialisti demokrat 33-vjeçar, i cili deri pak muaj më parë ishte pak i njohur jashtë lagjes në Queens të cilën e përfaqëson si ligjvënës në Albany, që do të rrëzonte një nga emrat më të mëdhenj në politikën e Nju Jorkut. Konfirmimi i rezultatit do të vijë pasi të jenë numëruar të gjitha votat me zgjedhje të renditura, gjë që do të zgjasë deri në mes të korrikut. Debati se çfarë do të thotë rezultati, për qytetin dhe Partinë Demokratike, nuk do të presë.

Një mënyrë për të interpretuar këtë rezultat është si një betejë mes të majtës dhe qendrës, në të cilën qendra nuk mundi të mbijetonte. Z. Cuomo është një centrist i favorshëm për biznesin. Njerëzit dhe paratë pas tij e pasqyrojnë këtë. Z. Cuomo fitoi mbështetje nga personalitete të moshuara demokratike si Jim Clyburn, një kongresmen, dhe Bill Clinton. Ai kishte mbështetës të pasur, përfshirë Bill Ackman, një miliarder i fondeve mbrojtëse që mbështeti edhe Donald Trumpin, dhe Mike Bloombergun, një ish-kryetar bashkie. Ky i fundit dhuroi 8.3 milionë dollarë për Super PAC-un e Z. Cuomo.

Nga ana tjetër është Z. Mamdani, një fans i “solidaritetit” dhe autobusëve falas. Ai dëshiron të vendosë supermarkete të drejtuara nga qyteti në zonat ku mungojnë. Ai dëshiron të taksojë të pasurit. Ai është një kritik i zëshëm i luftës së Izraelit në Gaza, gjë që e bën të dashur për disa banorë të Nju Jorkut dhe i largon të tjerët, por që thotë pak për aftësinë e tij për të mbikëqyrur 10,000 punonjësit e higjienës së qytetit, 36,000 policët ose për të luftuar minjtë e panumërt. Ai ka qenë i pavendosur nëse intifada duhet të globalizohet. Mbështetja nga Partia e Familjeve Punëtore, një parti e vogël progresiste, ishte gjithashtu e dobishme.

 

Një mënyrë e dytë për të interpretuar rezultatin ka më pak të bëjë me ideologjinë sesa me fushatën. Z. Mamdani është shumë i mirë në këtë, si në planin online ashtu edhe jashtë saj.

Z. Cuomo bëri fushatë si dikush që ka bërë fushatë për herë të parë në vitin 1982, gjë që në fakt e bëri. Pak ditë para zgjedhjeve Z. Mamdani eci në gjithë gjatësinë e Manhatanit: 21 km (13 milje), nga maja e Inwood, poshtë në Washington Heights, një enklavë emigrantësh kryesisht dominikanë, përmes Upper West Side, me votuesit e tij progresivë por të përkushtuar, ai kaloj përmes Times Square, dhe më në fund në Battery Park, duke marrë copa picash ndërsa shëtiste.

Z. Mamdani tha se kishte 46,000 vullnetarë që e mbuluan tërë qytetin.

Z. Cuomo rrallë bënte fushatë jashtë tubimeve të orkestruara në sallat e sindikatave ose në kishat e zezakëve. Ai u mbështet te njohja e emrit të tij (ajo fushatë e vitit 1982 ishte për garën për guvernator të babait të tij). Kjo mund të ketë pasqyruar njëfarë vetëkënaqësie. Ai udhëhiqte në sondazhe edhe para se të hynte në garë, pavarësisht se kishte dhënë dorëheqjen si guvernator për shkak të akuzave për ngacmim seksual (të cilat ai i mohon) dhe ai krenohej për numrin e ulët të banorëve të moshuar të Nju Jorkut që vdiqën në shtëpitë e kujdesit gjatë pandemisë covid-19.

Ndoshta kjo garë nuk ishte për fushatën apo ideologjinë. Z. Clinton dhe Z. Clyburn kanë lindur të dy në vitet 1940. Z. Cuomo është dyfishi i moshës së kundërshtarit të tij, por sipas standardeve të shumë demokratëve centristë është një 67-vjeçar i gjallë. Votuesit e zgjedhjeve paraprake demokratike janë në të majtë të elektoratit në tërësi, madje edhe në Nju Jork. Por ata janë gjithashtu të lodhur nga brezi i liderëve që ka humbur ndaj Z. Trump dy herë dhe megjithatë kapen pas pushtetit. Këto zgjedhje ishin edhe për këtë motiv. Rezultatet në nivel qarku tregojnë se Z. Mamdani fitoi më mirë në zonat me përqindjen më të lartë të gjeneratës së mijëvjeçarëve – Millienials.

Gara nuk ka mbaruar ende. Po të humb Z. Mamdani, Partisë Demokratike mund t’i humb nga duart qyteti më i madh i Amerikës. Në zgjedhjet e nëntorit ai mund të përballet përsëri me Z. Cuomo, i cili mund të garoj edhe si i pavarur, dhe me kryetarin aktual, Eric Adams, i cili fitoi si demokrat, por nuk është më demokrat.

Z. Mamdani do ta fillonte atë garë me një avantazh. Por pjesa tjetër e qytetit të Nju Jorkut mund të mos pajtohet me votuesit e zgjedhjeve paraprake demokratike për mençurinë e dorëzimit të një buxheti vjetor prej 116 miliardë dollarësh dikujt që është i madh në TikTok.

 

The Economist

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version