Udhëzimi i të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, gjatë hidhërimit
Edhe pse Muhamedi salallahu alejhi ue selem ishte i dërguar nga Allahu i Lartësuar dhe i vinte shpallja qiellore, ai ballafaqohej me ndjenjat njerëzore ashtu si edhe njerëzit e tjerë. Ai kalonte situata qetësie, gëzimi, lumturie dhe kënaqësie ashtu si kalonte momente pikëllimi, brenge dhe hidhërimi.
Në gjithë këto momente, vlera e aspektit moral vërehet shumë qartë, posaçërisht në rastet e hidhërimit, pasi veprimet e tij ishin të matura dhe të ruajtura si nga teprimi e tejkalimi i kufijve ashtu edhe nga shkujdesi dhe gjakftohtësia mospërfillëse. Madje kësaj ai i shtoi edhe një përmasë të re, kur e ndërlidhi me fitimin e shpërblimeve dhe pritjen e llogarisë tek Allahu i Lartësuar. Prandaj edhe thoshte: “Kam ardhur që t`ju përmbush normat më të larta të moralit.” (Shënon Bejhikiu)
Mund të thuhet se realiteti i hidhërimit është prush që ndez zjarr në zemrën e njeriut dhe e bën atë të flasë gjëra për të cilat pendohet më vonë ose bën vepra fundi i të cilave nuk është për t’u lavdëruar, ose nxitet në gjëra që favorizojnë epshin dhe përkrahin qëndrimet e tij apo dëshmojnë fanatizmin e padrejtë. Por te Muhamedi salallahu alejhi ue selem ky realitet gjithmonë ishte reagim me thënie të vërteta, reflektim i mërzisë për shkak të shkeljes së ndalesave të Allahut, por duke mos i tejkaluar kufijtë dhe duke mos e tepruar.
Motivi i hidhërimit tek ai gjithmonë ishte që t’i ndalonte njerëzit nga gjërat e këqija apo t’i qortonte ata për lënien e punëve të mira. Këtë që thamë e vërteton edhe hadithi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila thotë: “I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, kurrë nuk ka rrahur me dorën e tij askënd, as grua e as shërbëtorë, përveçse bëri xhihad në rrugë të Allahut. Nuk ka ndodhur që të lëndohet me ndonjë fyerje apo ofendim e pastaj të hakmerret për këtë, përveç shkeljes së ndalesave të Allahut. E, ai ka marrë hakun e Allahut të Lartësuar.” (Shënon Muslimi)
Reagimet konkrete të të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, gjatë hidhërimit na i zbulon shumë hollësisht përshkrimi i Aishes në hadithin e mësipërm. Nga këto raste është edhe qëndrimi i tij ndaj Usame bin Zejdit, kur u dërgua në një ekspeditë ushtarake. Usameja vrau një person i cili, pak para se të vritej, kishte shqiptuar shehadetin. Usameja mendoi se ai e bëri atë veprim nga frika e vrasjes dhe jo se e tha me të vërtetë. Kur i arriti ky lajm Muhamedit salallahu alejhi ue selem, ai u hidhërua shumë dhe tha: “A tha ai “La ilahe Ilallah”, kurse ti e vrave? A e hape gjoksin e tij që të kuptosh se e tha me sinqeritet apo jo?” Usameja thotë: “Ai vazhdoi të ma përsëriste këtë, derisa shpresova ta kisha pranuar Islamin atëherë e jo më herët.” (Shënon Muslimi)
Në një rast tjetër, Muhamedi salallahu alejhi ue selem pa një njeri që kishte vënë unazë ari. Ai u hidhërua, ia nxori unazën nga gishti dhe ia hodhi në tokë, pastaj tha: “A do ta merrte ndonjëri nga ju një gacë nga zjarri dhe ta mbante në dorë?” (Shënon Muslimi)
Kur Usame bin Zejdi tentoi të ndërmjetësonte te Muhamedi salallahu alejhi ue selem për një grua nga fisi Mahzumije, e cila kishte vjedhur, ai u hidhërua, derisa u vërejt kjo në fytyrën e tij, dhe i tha Usames: “A ndërmjetëson për një ndëshkim të përcaktuar nga Allahu?” Pastaj doli e mbajti fjalim para njerëzve dhe tha: “Vërtet shkaku i shkatërrimit të popujve para jush ishte se kur vidhte personi i titulluar (i cili ishte nga ndonjë familje e respektuar), e linin, kurse kur vidhte personi i dobët (nga ndonjë familje e dobët), atëherë e ndëshkonin sipas ligjit të Allahut. Për Allahun, po të kishte vjedhur Fatimja, bija e Muhamedit, do t’ia prisja dorën.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Në njërin nga tregjet e Medinës ndodhi një ngatërresë në mes një sahabi dhe një tregtari çifut. Çifuti tha: “Pasha Atë që e zgjodhi Musain prej njerëzimit.” Sahabi u nxeh nga kjo fjalë dhe i mëshoi me shuplakë dhe i tha: “E thua: “Pasha Atë që e zgjodhi Musain prej njerëzimit”, derisa i Dërguari është midis nesh?” Hebreu shkoi te Muhamedi salallahu alejhi ue selem dhe iu ankua. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, u hidhërua dhe u tha shokëve të tij: “Mos më preferoni (lavdëroni duke bërë dallim) në mes të Dërguarve të Allahut.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Nënat e besimtarëve (gratë e Muhamedit salallahu alejhi ue selem) na kanë përcjellë disa raste të hidhërimit të Muhamedit salallahu alejhi ue selem dhe mërzisë së tij për shkak të shkeljes së ndalesave të Allahut. Nga këto raste është ai që tregon Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Hyri me një rast Muhamedi salallahu alejhi ue selem në shtëpi, ku kisha vënë një perde që kishte piktura. Atij iu skuq fytyra dhe e hoqi perden duke thënë: “Njerëzit që më së shumti do të dënohen Ditën e Gjykimit janë ata që vizatojnë këto vizatime.” (Shënon Buhariu)
Një ditë, Muhamedi salallahu alejhi ue selem shkoi te disa shokë derisa ata ishin duke debatuar rreth kaderit. Ai u hidhërua shumë, sa iu skuq fytyra si shegë dhe tha: “E me këtë jeni urdhëruar? Apo për këtë jam dërguar unë te ju? Vërtet popujt para jush u shkatërruan atëherë kur filluan të grinden rreth kësaj çështjeje.”
Gjithashtu, Muhamedi salallahu alejhi ue selem është hidhëruar edhe nga pyetjet e tepërta rreth gjërave të imta, pyetje të cilat e bënin atë të ishte më rigoroz me ta. Ai bezdisej edhe nga pyetja që nuk kishte dobi. Shënon Buhariu se Ebu Musa Eshariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Muhamedi salallahu alejhi ue selem pyetej rreth gjërave që nuk kishte dëshirë dhe kur e tepronin, ai hidhërohej…”
Një njeri iu ankua atij se imami ishte duke e zgjatur namazin dhe po i mundonte falësit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, u hidhërua, derisa thotë Ibën Mesudi: “Nuk e kam parë ndonjëherë më të hidhëruar se atë ditë”, pastaj tha: “O njerëz, nga ju ka të tillë që prishin gjëra. Kush i udhëheq njerëzit në namaz (del imam), le ta shkurtojë atë për shkak se pas tij janë të dobëtit, të vjetrit dhe ata që kanë nevojë për diçka.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Ekzistojnë edhe raste të tjera që tregojnë se hidhërimi i Muhamedit,lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, nuk ka qenë i kufizuar vetëm gjatë shkeljes së ndalesave të Allahut të Lartësuar, por ai hidhërohej edhe nga lënia pas dore e punëve të mira dhe të preferuara nga ana e besimtarëve. Për këtë dëshmon hadithi që shënon Imam Ahmedi nga Xherir Ibën Abdullahu, i cili thotë: “Muhamedi salallahu alejhi ue selem na mbajti një fjalim dhe na nxiti për dhënien e sadakasë, por njerëzit u përmbajtën (nuk filluan menjëherë të japin sadaka), derisa u vërejt në fytyrën e tij hidhërimi.”
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se një njeri e fyente Ebu Bekrin, Allahu qoftë i kënaqur me të, derisa Muhamedi salallahu alejhi ue selem ishte i ulur afër, buzëqeshte dhe gëzohej. Kur ky person e teproi me fyerjet, Ebu Bekri ia ktheu. Muhamedi salallahu alejhi ue selem u hidhërua dhe u ngrit nga ndeja. Ebu Bekri i shkoi pas dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, ai më ofendonte kurse ti rrije ulur dhe kur ia ktheva unë disa nga ofendimet e tij, ti u ngrite.” I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, i tha: “Ishte një melek aty pranë teje, i cili ia kthente në vendin tënd. Kur fillove ti që t’ia kthesh, u ul shejtani aty dhe nuk desha të rrija me shejtanin.” (Shënon Ahmedi)
Nga këto raste vërtetojmë qartë se hidhërimi i të Dërguarit ishte për hir të Allahut e jo për veten e tij dhe epshi nuk kishte vend aty. Ky, pra, është kriteri më i saktë për të arritur kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.
Burimi: www.islamweb.net
Përktheu: Alaudin Abazi
Dijaonline.net