Ekrem Avdiu
UDHËZIMI DHE DHUNTIA SHKOJNË BASHKË, ASHTU SIKUR EDHE ZEMËRIMI DHE LAJTHITJA
Në shumë vende përmenden të humburit dhe ata që janë meritorë të zemërimit së bashku ashtu si përmenden edhe të udhëzuarit dhe ata që i gëzojnë mirësitë e Allahut së bashku. Kur’ani është plotë shembuj ku përmenden veprimet dhe gjendjet fillestare, si dhe ato që vijnë si rrjedhojë apo pasojë e tyre, qoftë në aspektin pozitiv apo në atë negativ. Kësisoj, përmendet udhëzimi dhe shpëtimi, apo suksesi, mirëqenia e fjalët tjera që mund të konsiderohen si sinonime të njëra tjetrës në kuptimin e mbarë dhe pozitiv. Edhe në të kundërtën, përmendet lajthitja, krimi, keqbërja si gjendje fillestare e pastaj përmendet pasoja e saj, konkretisht ndëshkimi, vuajtja, jeta e vështirë, etj..
Shembuj të këtillë në Kur’an ka mjaft, prej tyre po veçojmë:
“Këta janë në udhëzim prej Zotit të tyre dhe janë të shpëtuar.” (Bekare, 4)
“Atyre u takon siguria dhe janë të përudhur më rrugë të drejtë.” (En’am, 82)
“Vërtetë keqbërësit janë në humbje dhe do të digjen.” (Kamer, 47)
“Allahu ua vulosi zemrat dhe veshët e tyre, ndërsa në sytë e tyre bëri perde. Atyre u takon ndëshkim i madh.” (Bekare, 7)
“Juve do t’u vijë prej Meje. Ai që pason udhëzon udhëzimin Tim, nuk do të lajthitet e as do të bëhet i pafat. Ndërsa kush i kthen shpinën rrugës Sime, ai do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Gjykimit do të ringjallim të verbër.” (Taha, 123-124)
Ecja rrugës së drejtë dhe lumturia janë dy gjëra të pandashme, ku e dyta gjithsesi rezulton nga e para. Mund të themi se nuk ka, bile, rrugë të garantuar që shpie kah lumturia përveç rrugës së udhëzimit që buron nga shpallja hyjnore, rruga të cilën e kanë trasuar të gjithë të dërguarit e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ta. Përballë kësaj, jeta larg udhëzimit dhe rrugës së drejtë është garant i jetës së vështirë dhe vuajtjes në këtë dhe në botën tjetër, si u pa nga ajetet e lartshënuara.