SI NDIKON VONESA PËR NAMAZ NË JETËN TËNDE & ÇFARË TË BËJMË

0

 

“Allahu Ekber… Allahu Ekber…”
E dëgjoj ezanin nga dritarja e zyrës sime dhe e shoh ‘përkujtimin’ që më paraqitet në kompjuterin tim, “Është koha e namazit të Drekës.”
Disa minuta më herët filloj t’i futem rrjedhës së punës, sepse nuk dua ta humbas çastin. Kështu, i them vetës, “I kam edhe 20 minuta deri në ikamet (thirrja për në farz). Ta përfundoj këtë e pastaj do të shkoj me kohë, in sha Allah.”
25 minuta më vonë, e di se Namazi ka filluar, e unë, çmendurisht, po përpiqem ta dërgoj e-mail-in e fundit para se të shpejtoj për të marrë një abdes të shpejtë dhe t’i bashkohem Namazit. Jam vonë, sërish!
Dhe kjo nuk ishte vetëm për Namazin e Drekës, por për 5 kohët e Namazit: vonë për Sabah, sepse u zgjova vonë; Vonë për Drekë dhe Ikindi për shkak të punës; Vonë për Aksham për shkak të trafikut; Vonë për Jaci për shkak të darkës!
Dhe sa herë që isha vonë, u ndjeja keq dhe i thoja vetës: “Kjo do të jetë hera e fundit që do të jem vonë!” Dhe, qëlloja se çfarë! Në namazin e radhës isha sërish vonë. Në fakt, unë isha ai vëllau i cili dukej që pozicioni i tij është gjithmonë në rreshtat e fundit të çdo xhamije që hyja.
Në fillim po e merrja këtë vonesë butësisht. Në fakt, rashë në kurthin e zakontë të shejtanit dhe i thoja vetës: “Elhamdulilah vëlla. Të paktën ti falesh, madje edhe në xhami! Ma sha Allah! Sa vëllezër janë jashtë që nuk falen në xhami, ose që nuk falen fare!” Por, ngadalë e kuptova se kjo vonesë po krijonte impakt në gjendjen shpirtërore dhe në karakter, si dhe po ndikonte në produktivitetin tim të përgjithshëm.

PSE TË QENURIT VONË VAZHDIMISHT PËR NAMAZ ËSHTË I DËMSHËM PËR TY?
Të qenurit gjithmonë vonë për namaz thotë shumë për ty dhe karakterin tënd. Tregon se ti ke mungesë të diciplinës, mungesë të fuqisë së brendshme dhe mungesë të ndershmërisë që të jesh atje ku duhet të jesh dhe në kohë për takimet e tua më të rëndësishme të ditës. Dhe, për më tepër, ti nuk je i besueshëm.
Askush nuk dëshiron të thotë për vetën e tij se nuk është i besueshëm, apo se ka mungesë dicipline, por veprat flasin më shumë se fjalët; dhe të qenit vonë vazhdimisht për namaz është paralajmërimi i parë se ti je në rrezik të jesh vonë në të gjitha gjërat tjera në jetë.

Ka thënë Hasan El-Basri:
“Kur namazi është shqetësimi yt i fundit, atëherë cila gjë është më e rëndësishmja për ty? Aq sa e rregullon Namazin tënd, aq jeta jote do të rregullohet. A nuk e ke ditur se Namazi është barazuar me sukes: “Eja në Namaz, eja në sukses!” Si mund t’i lutesh Allahut për sukses, kur ti nuk po i përgjigjesh të drejtës së Tij mbi ty?”
Nëse ti po pyet veten, pse ka vonesa në furnizimin tënd, në martesën tënde, në punën tënde, në shëndetin tënd, atëherë shiko në Namazin tënd: a je duke e vonuar atë?

PSE VONOHEMI PËR NAMAZ?
Kur unë fillova të shikoj brenda vetës sime dhe kur e pyeta vetën se pse jam GJITHMONË vonë për namaz, dola në përfundim se janë 3 arsye shpirtërore dhe 3 arsyje në praktikë.

ARSYET SHPIRTËRORE
1. Mungesa e dijës se kush është Allahu. Vonesa ime për namaz ishte, fatkeqësisht, një shenjë se unë nuk e kisha kuptuar se kush është Allahu. Unë dështova të kuptoj fuqinë dhe Madhërinë e Tij. Ti, me siguri, e ke dëgjuar shembullin, tashmë klishe: “Nëse ti je i ftuar nga një mbret, apo një president, ose një kryeministër i një shteti, a nuk do përpiqëshe ta takoje atë me sjelljen më të mirë, me rrobat më të mira dhe të shkosh shumë herët në takim? Si është e mundur, kur Allahu, Mbreti i mbretërve, na thërret neve në Namaz, por ne nuk e marrim këtë ftesë seriozisht?” Që ta them më qartë, nëse ne, me të vërtet, besojmë në të padukshmen dhe besojmë në të Dërguarin e Allahut, i cili na tregoi se Allahu dëshiron të na takojë neve 5 herë në ditë në Namazin tonë, atëherë ne duhet ta marrim Namazin më seriozisht.
2. Mungesa e falenderimit për dhuratën e namazit. Mua gjithmonë më magjeps fakti si Namazi është I VETMI OBLIGIM që iu zbrit Muhamedit (alejhis-selam) në qiej gjatë udhëtimit të Israsë dhe Miraxhit. Çdo obligim tjetër u bë obligim këtu, në tokë. Kjo sepse Allahu deshi të na tregojë neve se sa i rëndësishëm është Namazi, duke ia bërë dhuratë vetë Muhamedit (alejhis-selam) dhe umetit të tij. Kur ne jemi vonë për namaz, a tregon kjo që ne jemi falenderues për këtë dhuratë nga Allahu?
3. Mungesa e dijes për lidhjen në mes namazit dhe rizkut (furnizimit): Justifikimi i parë që njerëzit (duke e përfshirë veten) e përdorin për vonesën në namaz është se ata janë duke punuar për rizkun e tyre. I dëgjon arsyet, si: “e kam një takim”, “po pres një telefonatë të rëndësishme”, “e kam një ligjeratë” etj.
Ajo çka ne nuk po e kuptojmë është se, si pasojë e të shtyrit të namazit dhe mosmarrja e tij seriozisht, humb bereqeti i furnizimit, edhe nëse përfitojmë materialisht në atë kohë që e humbim namazin. Allahu, Furnizuesi, thotë në Kur’an:
“Dhe urdhëroje familjen tënde të kryejë namaz dhe në këtë insisto! Ne nuk kërkojmë furnizim prej teje. Ne të furnizojmë ty, e përfundimi i mirë është për ata që ruhen nga mëkatet.” Kuran (20:132)
Shiko si Allahu e ka lidhur Namazin me kërkimin e furnizimit. Ai, i Lartësuari, po na premton neve nëpërmjet këtyre ajeteve, se nëse ne falemi dhe i urdhërojmë familjet tona të falen, Ai do të na japë neve.

ARSYET NË PRAKTIKË
1. Të nënvlerësuarit se sa kohë marrin gjërat. E kisha kuptuar gabim kohën kur mendoja se më duhen vetëm 10 minuta për të arritur në xhami. Harroja të kalkuloja sa kohë më merr abdesi, të zbriturit nga shkallët, dalja nga puna, të ecurit për në xhami dhe në fund, vendosja e këpucëve në rafta para se të hyjë në xhami. Koha e marrë nga momenti që e lë zyren deri në momentin që hyj në xhami është afër 20 minutave, e jo 10 minuta!
2. Zvarritja. Shumë herë, arsyeja pse jam vonë për Namaz është sepse unë zvarris në ndonjë detyrë që më është caktuar në ditët dhe javët e kaluara. Kjo zvarritje pastaj më çon në pengimin e afateve që janë të panegociueshme që më duhet t’i kryej dhe nuk më lejon ta arrij Namazin në kohë.
3. Të shijuarit e nxitimit. Thellë në zemër, unë e shijoja “nxitimin” që ta lejon koha ndërmjet ezanit dhe ikametit. Posa të thërret ezani, kthehem në ‘laser me fokus të mprehtë’ dhe kryej shumë punë në këto 20 minuta, por, sigurisht, në ‘kurriz’ të Namazit.

SI TA NDËRPREJMË VONESËN E VAZHDUESHME PËR NAMAZ?
Vonesa për Namaz është një model, që, në momentin kur e kupton se si zhvillohet, mund të bësh përmirësime të vogla në përditshmërinë dhe mentalitetin tënd, dhe të përpiqesh të zhvillosh një model të ri që të ndihmon ta kryesh Namazin në kohë – çdo herë. Poshtë janë 10 këshilla si ta ndalosh vonesën e vazhdueshme për Namaz:
1. Ballafaqohu me problemin. Pranoje se e ke problem vonesën. Nëse mendon se je në rregull dhe se duhet të duartrokitesh vetëm pse fal Namaz, atëherë ti kurrë nuk do ta marrësh këtë vonesë seriozisht. Me të kuptuar se vonesa për Namaz nuk është ajo çka Allahu i Lartësuar, apo i Dërguari i tij (alejhis-selam) dëshirojnë, atëherë të detyron ta pranosh problemin dhe të ndërmarrësh diçka për të.
2. Kuptoje përpikmërinë si pjesë të fesë. E dëgjojmë ajetin Kur’anor:
“Se, Namazi, është detyrë e obligueshme për besimtarë në kohë të caktuar” Kuran (4:10)
Le ta përvetësojmë përpikmërinë dhe ta bëjmë atë pjesë të besimit tonë. Pyete vetën tënde me këto pyetje:
– A beson vërtet se Allahu i Lartësuar po të thërret ty ta takosh Atë?
– A beson vërtet se Namazi është dhurata e Tij për ty?
– A beson vërtet se suksesi, furnizimi dhe bereqeti do të vijnë nga falja e Namazit në kohë?
Nëse po, atëherë bëhu i përpiktë me Namazin tënd dhe tregoji Allahut të Lartësuar se ti je i etur ta takosh Atë!
3. Vërej përfitimet e të qenurit në kohë për Namaz. Fatkeqësisht për disa njerëz, mendojnë se është shpenzim i kohës të jesh herët për Namaz. Thonë, “çka do të bëj? Vetëm të ulem aty dhe të pres?” Ata çka ata nuk e kuptojnë është mirësia shumë e madhe dhe e thjeshtë: vetëm të presësh për Namaz. Do të përmendi 3 hadithe për të të inspiruar ty:
-1. Nga Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të:
“E pyeta Pejgamberin (alejhis-selam): ‘Cila vepër është më e dashura te Allahu?’ Ai u përgjigj, ‘Ta falësh Namazin në kohën e vet” (Buhariu)
-2. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Muhamedi (alejhis-selam) ka thënë:
“Melaqet luten për ndonjërin prej jush që ulet në xhami dhe pret namazin për aq kohë sa ai nuk e prish abdesin, e thonë: O Allahu ynë! Fale atë! O Allahu ynë! Mëshiroje atë!” (Muslimi)
-3. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti (alejhis-selam) ka thënë:
“Po ta dinin njerëzit shpërblimin e namazit të Drekës kur falet në kohën e vet, do të garonin për të. Po ta dinin ata shpërblimin e namazit të Jacisë dhe të Sabahut me xhemat, ata do të vinin në to duke u zvarritur. Po ta dinin shpërblimin e safit (rreshtit) të parë, do të hidhnin short për të.” (Buhariu)
4. Ndaloje punën gjatë kohës së Ezanit. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an:
“Mjerë për ata, të cilët kur falen janë të pakujdesshëm” Kuran (107:4-5)
Ky ajet është një paralajmërim i ashpër për ata të cilët falen, por që janë të pakujdesshëm në Namaz dhe nuk i kushtojnë vëmendjen që duhet.
5. Mundohu të shkosh 5-15 minuta më herët. E kam shpjeguar më herët se si zgjohem 45 minuta më herët për Namaz të Sabahut, pa marrë parasysh stinës. Të njejtin parim e përdori tani për namazet tjera ditore. E lë alarmin 30 minuta para nisjes për në xhami dhe kjo më jep kohë 30 minuta që të përfundoj çkado që jam duke bërë, si dhe të shkoj në xhami 5-15 minuta më herët.
6. Mat kohën! Një nga mënyrat që më ndihmoi të kuptoj se sa gjatë, realisht, më merr kohë të shkoj nga zyra për në xhami, ishte një matës-kohe. Pra, do ta shtypi ‘start’ në një ‘timer’ (matës-kohe) sapo që të dal nga zyra dhe do ta shtypi ‘stop’ kur do të hyj në xhami. Kjo më jep mua një vlerësim të sigurtë se sa gjatë më merr të shkoj në xhami dhe këtë e bëra pjesë të orarit tim. Nëse ti e aplikon këtë ushtrim, do të befasohesh se si gjërat e vogla përfundojnë duke të të vonuar ty, pa e kuptuar.
7. Mbaj gjërat në vende të caktuara. Një nga arsyet më të mëdha pse njerëzit përfundojnë vonë është se atyre i humbasin gjërat që u duhen para se të dalin jashtë. Mund të jenë çelësat, kuleta, çanta etj.. Mos dështo në këtë! Mbaj gjërat në një vend të caktuar dhe lëri gjërat e rëndësishme (çelësat, kuleta etj.) afër derës që të mos humbasësh kohë për t’i kërkuar e ta humbasësh Namazin.
8. Mbaje një orë-alarm që thërret Ezanin. Që të inspirosh familjen tënde për t’u falur gjithmonë në kohë dhe që të mos e shtyjnë Namazin, bleje një orë muri që thërret ezanin dhe vendose diku në mes të shtëpisë. Ushtroj fëmijët e tu që kur ta dëgjojnë ezanin nga kjo orë (sidomos, nëse nuk jetojnë afër një xhamije), të lëjnë atë punë që janë duke e bërë dhe të bëhen gati për Namaz.
Dhe kjo është një vërejtje për prindërit: Nëse fëmijët e tu të shohin ty të shkujdesur për Namaz dhe se nuk e lë atë që je duke e bërë për t’u bërë gati për namaz kur të thërret ezani, atëherë qëlloja se çfarë do të mësojnë fëmijët!
9. Planifikoje jetën tënde sipas Namazit. Të gjitha këshillat e lartpërmendura çojnë te planifikimi i jetës tënde sipas Namazit. Ajo çka i rekomandoj klientët e mi është që të rezervojnë kohën për Namaz në kalendarët e tyre dhe të vendosin një ‘përkujtim’ 30 minuta më herët për çdo Namaz. Kështu, ata nuk do të caktojnë ndonjë takim, apo nuk do të merren me thirrje ose porosi gjatë kohës së namazit, duke përfunduar në shtyrjen e tij. Siç themi ne në “Muslimanin Produktiv”:
“Planifikoje jetën tënde sipas Namazit dhe jo në të kundërtën!”
10. Mos fut asgjë në mes teje dhe Namazit. E kam mësuar këtë nga një dijetar që thoshte se mësuesi i tij i kishte thënë kurrë të mos vënte ndonjë gjë në mes tij dhe Namazit. Çka do të thotë kjo është se ti nuk duhet të vësh ndonjë porosi, apo ndonjë detyrë, apo dikë mes teje dhe Namazit. Në momentin që thërret Ezani, mos thuaj “Do të kaloj nga dyqanet e pastaj do vazhdoj për në xhami’, apo “Do ta dërgoj këtë e-mail e pastaj do falem” etj. Mos fut asgjë në mes teje dhe namazit! Ky është udhëzimi i Profetit (alejhis-selam) i cili edhe kur ishte me familjen e tij duke i ndihmuar dhe duke i shërbyer atyre, kur fillonte Ezani, ai vazhdonte për Namaz.
Ishte pyetur Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të: “çfarë bënte i Dërguari i Allahut (alejhis-selam) në shtëpinë e tij?” Ajo u përgjigj: “I ndihmonte anëtarët e familjes dhe, kur vinte koha e Namazit, ai çohej për t’u falur.” (Buhariu)

KËSHILLAT NË PRAKTIKË
“Allahu Ekber… Allahu Ekber…”
E dëgjoj ezanin nga dritarja e zyrës sime, dhe e shikoj ‘përkujtimin’ që më shfaqet në kompjuterin tim, “Është koha e namazit të Drekës.”
Ndaloj së bëri atë që jam duke e bërë, sepse tani veç i kisha 30 minuta kohë për t’i përfunduar, për të marrë abdes dhe për t’u nisur në xhami. Arrij 10 minuta më herët, i fali sunetet, bëj dua dhe lexoj Kur’an. Lutem me xhemat në safin (rreshtin) e parë dhe ulem pas farzit për ta kompletuar dhikrin (përmendjen e Allahut) dhe i fali sunetet. Kthehem në zyrë, i freskuar, i ripërtrirë dhe gati për punë tjera produktive në punë.
Çfarë dallimi nga namazi i nxituar e i vonshëm i imi!

Allahu na bëftë të gjithë neve nga ata që janë në rreshtat e parë në këtë botë dhe në tjetrën!

Shkroi: Muhamed Faris (Abu Productive)
Përktheu: Festim Klinaku


Source: Informacione 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com