Shoqëria civile: Korrupsioni në EULEX goditje sistemit të drejtësisë

0

Një numër i OJQ-ve, ndër më të mëdhatë në vend, si KCSF, Lëvizja FOL, GLPS, SiV, KFOS, Ec Ma Ndryshe, KIPRED, PIPS, e të tjera, kanë reaguar sot duke shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në EULEX. Në reagimin e tyre thuhet se aferat korruptive në këtë mision, janë një goditje për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Në reagimin e organizatave nga shoqëria civile, thuhet se në fillimin e punës së këtij misioni në vitin 2008, është pritur që ai do të jetë kontribues i rëndësishëm për një drejtësi funksionale dhe në shërbim të qytetarëve, dhe mbi këtë bazë, shoqëria civile në mënyra të ndryshme ka dhënë mbeshtetjen për këtë mision, por njëkohësisht ka kërkuar edhe rezultate në punën e tij.

Por tani thuhet se ky besim është zbehur.

“Besimi në punën e EULEX është zbehur dukshëm kohëve të fundit, si rezultat i performancës së pamjaftueshme në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivelet e larta. Aferat korruptive të publikuara ditëve të fundit janë një goditje e jashtëzakonshme në besimin publik dhe reputacionin e këtij misioni, por edhe të sistemit Kosovar të drejtësisë. Me një mungesë të tillë të besimit dhe kredibilitetit, EULEX dhe i gjithë sistemi vendor i drejtësisë do ta kenë shumë të vështirë që t’i bindin qytetarët e Kosovës që po punojnë për sundim të rendit dhe ligjit”.

Gjithashtu në reagim shprehet edhe shqetësimi për presion ndaj medias.

“Për më tepër, ne jemi shumë të shqetësuar për raportimet e presioneve nga zyrtarë të EULEX ndaj, raportimeve të gazetarëve, që ka publikuar këto afera korruptive. Nëse këto raportime dalin të vërteta, kjo do të paraqiste një shkelje të rëndë të lirisë së medias, shkelje kjo e papranueshme për një mision që ndihmon Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Europian, dhe që ka mision të punoj për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë”.

EULEX-it i kërkohet të ndërmarrë masa dhe të fillojë hetime të brendshem.

“Për këtë arsye, kërkojmë nga Misioni EULEX që sa më parë të ndërmarrë hetimet e brendshme rreth aferave korruptive dhe presioneve ndaj gazetarëve. Gjithashtu, Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë të gjitha hapat e domosdoshëm që të zhvillohen hetime të pavarura dhe, varësisht nga rezultatet e hetimeve, të mirren masat përkatëse. Për më tepër, Parlamenti Europian duhet të kërkojë llogari nga autoritetet përgjegjëse për EULEX-in në Prishtinë dhe Bruksel dhe të diskutojë mënyrën më të mirë të përmbushjes së qëllimit të EULEX gjatë periudhës në vazhdim”. 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com